Banorët e Krrabës duhet të prisnin 60 vjet për të pasur një rrugë të re. Tashmë, rruga që lidh autostradën me Krrabën, me gjatësi 4 kilometra, ka nisur të rikonstruksohet plotësisht nga Bashkia e Tiranës, e cila po mban një tjetër premtim të bërë në fushatë. Rikonstruksioni i segmentit që njihet me emrin Mushqeta-Krrabë i shërben mbi 3 mijë banorëve. Punimet që kanë nisur prej gati një muaji u inspektuan sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se kjo është një tjetër provë që tregon se për Bashkinë e Tiranës nuk ka dallim mes qendrës dhe periferisë, sa i përket investimeve publike.
“Më vjen mirë që në fillimin e vitit tonë të dytë, po mbajmë një premtim që dhamë një vit e pak më parë, për rrugën e Krrabës. Më vjen mirë për 3200 banorët që janë rezidentë në Krrabë dhe që çdo ditë duhet të komunikojnë me Tiranën, disa herë pë të shkuar në spital, për të shkuar në shkollë, treg apo disa herë për të shkuar në punë, të cilët do të kenë një lidhje dinjitoze me kryeqytetin dhe besoj se në kohë rekord siç po punohet, do ta përfundojmë rrugën përpara afatit 6 mujor”, tha Veliaj. Gjithashtu, kryebashkiaku theksoi se investimet në infrastrukturë synojnë që të krijojnë mundësi të barabarta jetese për të gjithë banorët e Tiranës, pavarësisht nëse jetojnë në qendër apo në periferi.
“Nëse rritet cilësia e jetës këtu, edhe Tirana sot është shumë herë më afër se sa ç’ishte me një rrugë të shkatërruar, tregu është shumë herë më afër, shkolla, spitali janë shumë herë më afër; atëherë nuk lind nevoja që dikush të lërë të gjithë pasurinë e jetën e vet në Krrabë për të ardhur në Tiranë. Rritja e infrastrukturës bën të mundur që më shumë njerëz të rrinë aty ku janë, të shfrytëzojnë tokën, asetet, pasurinë e familjes, djersën e ballit të tyre dhe gjithçka kanë investuar në jetë, pa u detyruar që për shkak të një rruge të amortizuar të lënë gjithçka pas, të lënë gjithë mundin e tyre për t’ia nisur sërish nga zero” theksoi Veliaj. Por, ai theksoi se krahas punimeve për ndërtimin e kësaj rruge, bashkia do të vijojë që të nxisë zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë në këtë zonë, ashtu edhe promovimin e aseteve turistike.
“Duam të rigjallërojmë disa nga pikat turistike të zonës si Shpella e Pëllumbasit, një “pajë” fantastike e natyrës, të cilën Zoti na e ka dhënë për ta reklamuar e tërhequr turistë. Po ashtu, më vjen mirë që në disa prej zonave bujqësore, kemi pasur kontaktet e para me fermerët se si mund të aksesojmë më shpejt tregun në Tiranë. Pas dimrit duam të fokusohemi më shumë në promovimin e produkteve lokale dhe besoj se do ia arrijmë në kohë rekord kësaj pune dhe t’i japim secilit mundësinë të jetojë me dinjitet në shtëpinë e vet”, u shpreh Veliaj. Ai konfirmoi se ky vit i dytë i mandatit të tij si kryetar bashkie do të fokusohet kryesisht në investimet në zonat rurale, në mënyrë çdo qytetari të Tiranës t’i krijohet mundësia për një jetë normale aty ku edhe ka vendbanimin.
“Viti ynë i dytë, siç ka nisur me ndërtimin e rrugës në Zall Herr apo këtu në Krrabë, do të ketë fokusin më të madh në zonat rurale. Nuk mund të kemi një Tiranë që ecën me dy shpejtësi; pra, me marshin e pestë në qendër, dhe me marshin e parë në periferi. E vetmja mënyrë se si mund të arrijmë një Tiranë të balancuar është fillimisht duke balancuar buxhetin, e dyta duke balancuar investimet. Pra, të sigurohemi që sipas proporcionit të banorëve, të kemi edhe proporcionin e investimeve”, shtoi Veliaj.
Një premtim të mbajtur e konsideroi edhe deputeti i PS, Xhemal Qefalia, i cili falenderoi Bashkinë e Tiranës për këtë investim. “Do të doja që në emër të banorëve të Krrabës t’ju falenderoja juve personalisht, që po i bëni realitet, pasi kjo zonë ishte një zonë e lënë krejtësisht në harresë, si një ishull i veçuar, ku fëmijët e kishin shumë të vështirë të kapnin orarin në shkollat në qytet, kurse banorët e kishin shumë të vështirë të shkonin në Tiranë për të zhvilluar pse jo, edhe ndonjë tregti të vogël”, tha Qefalia.
Me investimin e Bashkisë së Tiranës do të realizohet rikonstruksioni i rrugës “Mushqeta-Krrabë” me gjatësi 4 kilometra, ku përfshihen edhe ndërtimi i disa objekteve dhe veprave të veçanta, si dhe një urë me lartësi 10 metra. Përveç punimeve në rrugë janë parashikuar të kryhen punime për kanalizimin e ujërave të shiut, mure mbajtëse anësore dhe sinjalistikë. Rruga do t’i shërbejë pjesës më të madhe të banorëve të Njësisë Administrative Krrabë, qoftë në lëvizjen më të mirë dhe të shpejtë të njerëzve, por edhe të produkteve bujqësore dhe blegtorale drejt Tiranës.