Starton nesër në Tiranë takimi ndërkombëtar i dialogut mes besimeve dhe kulturave “Paqja është gjithmonë e mundur”. Takimi do të zgjasë tri ditë, me një sërë aktivitetesh, ku do të diskutohet mbi besimet, kulturat dhe mundësitë për paqe në botë.
Ky takim ndërkombëtar, që për nga numri i të ftuarve dhe pjesëmarrësve është dhe aktiviteti më i madh ndërkombëtar që është mbajtur ndonjëherë në vendin tonë, do të çelet me një ceremoni të posaçme që do të mbahet nesër në orën 17:00, në Pallatin e Kongreseve. Ceremonia do të hapet nga Hilde Kieboom nga Komunieti Sant’Egidios dhe në të do të përshëndesin Kryeministri Edi Rama, ministri i MSR-së, Blendi Koosi. Gjithashtu, në këtë ceremoni të pranishmëve do t’u drejtohet me një mesazh zanor edhe Papa Françesku. Ndërkohë që përveç klerikëve, pjesëmarrës në këtë takim do të jenë edhe 4 ish-Presidentët e Shqipërisë, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi dhe Sali Berisha.
I pranishëm do jetë edhe Presidenti aktual, Bujar Nishani, i cili neser do te shtoje dhe nje darke per nder te te ftuarve, ku I pranishem do te jete dhe kryetari i opozites, Lulezim Basha. Pra duket se Komuniteti i Sant’Egidios që vepron prej vitesh në vendin tonë në ndërmjetësimin e dialogut, ka arritur një sukses paraprak, pasi do mund të bashkojë gjithë klasën politike shqiptare në një aktivitet. Në aktivitetin “Lutja e Paqes 2015” janë ftuar të marrin pjesë rreth 4000 persona, mes të cilëve krerë të besimeve fetare botërore (katolikë, ortodoksë, protestantë, myslimanë, hebrenj, zoroastrianë, sikh, budistë dhe shintistë), nga Italia, Gjermania, Franca, Belgjika, Iraku, Izraeli, India, Rusia, Indonezia, Qipro, Japonia, Kina, Australia, e shumë vende të tjera nga Europa, Afrika, Azia e Amerika Latine.
Po ashtu janë ftuar të marrin pjesë edhe personalitete të shquara të politikës, personalitete të larta të të gjitha besimeve fetare, historianë, filozofë, ekspertë të zhvillimeve ndërkombëtare, përfaqësues të botës akademike, gazetarë, teologë, shkrimtarë të njohur. Në “Lutjen për Paqe 2015” janë të ftuar rreth 400 personalitete politike dhe jo vetëm, mes tyre: zv.presidenti i Parlamentit Europian, ministri i Jashtëm italian, ministri italian i Drejtësisë, Sekretari i Përgjithshëm “Besime për Paqen” Japoni, Zv.ministri i Bashkëpunimit dhe Zhvillimit nga Gjermania, ministri i Punëve të Jashtme nga Salvadori, ish-president i Komisionit Europian, Romano Prodi, etj. Gjatë tri ditëve të këtyre aktiviteteve do vijnë edhe dëshmi konkrete nga vendet në konflikt si Siria, Iraku, Nigeria, Mindnao (Filipinet) dhe Libia.
Nisur nga numri i madh i të ftuarve dhe personaliteteve që do të marrin pjesë, organizatorët kanë nisur prej ditësh përgatitjet në të gjitha ambientet ku dhe do të zhvillohen aktivitetet, si Pallati i Kongreseve, Universiteti Politeknik, Galeria e Arteve, Muzeu Kombëtar dhe hotelet kryesore të kryeqytetit.









