Ne nje editorial ne median Koha Jone, editori i kesaj gazete Nikolle Lesi komenton arritjen e marreveshjes mes Rithemelimit dhe PS-se, per dy komisione hetimore dhe reformat ne Kuvend.
Koha Jone shkruan se Rama eshte tre hapa para Berishes ne levizjet e tij, por per te jo 3 por 30 hapa shume para, pasi me nje marreveshje qe nuk jep asgje, nderkohe qe ka te sigurte mandatyin e katert.
“Zhurmë e madhe në media dhe në publik për tërheqjen e PD së Berishës nga qëndrimi antiRama në parlament. Nga vendosmeria e tij se do ta rrëzojë Edi Ramën u kalua në marrëveshje apo siç dëshiron Gazment Bardhi ta quajë, në dialog!
Ndërkohë Edi Rama nuk ka ndryshuar asgjë në qëndrimet e tij, përkundrazi duket më i vendosur në rrugën e tij. Bile sot vetë kryeministri Rama ka postuar qëndrimin e tij në lidhje me këtë gjoja marreveshje, ku PD-në e Berishës e ofertoi, e mikloi dhe më pas e sakatoi politikisht.
Eshtë thënë shumëherë se Edi Rama përherë mbetet dhjetë hapa para opozitës, duke fituar sa herë zhvillohen zgjedhjet politike apo vendore.
Por le të lexojmë reagimin e Edi Ramës sot: “Të gjithë idiotët e dobishëm janë sulur socialeve e kanaleve për të thënë se paskërkemi gëlltitur ç’kemi thënë dhe po bashkëpunokemi me Non Gratën, pse jemi dakord që sipas kornizës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese të miratojmë komisione hetimore brenda kësaj kornize!
Po ne këtë e kemi thënë e stërthënë dhjetra herë, qyshse refuzuam të miratojmë kërkesa për të ngritur komisione hetimore jashtë asaj kornize! Dhe nëse deputetë të Kuvendit që mbledhin firmat për të ngritur një komision hetimor e bëjnë kërkesën brenda asaj kornize, ne s’kemi as të drejtë, as arsye e as mundësi që ta refuzojmë. E kurdoherë që kjo të ndodhë vota jonë është sigurisht pro!
Çfarë ka këtu për të vënë kujën përveç nevojës për të helmuar publikun me akuza dhe shpifje krejt të pabaza mbi medemek “pazarin me Non Gratën”, i cili thjesht nuk ekziston?
Edhe për Komisionin bipartizan të Reformës Zgjedhore e kemi thënë prej disa kohësh, nëse nuk pjell asgjë veç sherrit e shamatasë së tyre deri kur të mbyllet afati, do të mbyllet edhe komisioni e kjo punë do t’i mbetet Kuvendit, ku po nuk u arrit dot ndonjë mirëkuptim për ndryshime të ligjit dhe s’ka numra në sallë për të votuar ndryshime, do të shkojmë në zgjedhje me ligjin që kemi. As për këtë s’kemi ndryshuar ndonjë qëndrim a mendim.
Atëherë ku është ky pazar dhe ku hyn Non Grata në këtë mes?!
Ah, nëse ata që do të digjnin parlamentin kanë ndërruar mendje dhe duan të rikthehen në punë, ne as nuk i pengojmë dot, as nuk duam t’i pengojmë të reflektojnë, përkundrazi na vjen mirë që ta bëjnë. Kjo është e gjitha dhe ne jemi ata që ishim, aty ku ishim, me po ato qëndrime që kishim, jo sepse është gabim të ndryshosh qëndrim, po sepse në këtë rast nuk ka asgjë për të ndryshuar në qëndrimin tonë.
Çudi që s’e mësuan dot që Partia Socialiste është gjithnjë tre hapa përpara dhe në fund të gjitha xhirot bosh përfundojnë po në pikën ku nisin, tre hapa mbrapa nesh”- thotë kryeministri Rama.
Dje pas deklaratave të Gazment Bardhit se po bisedojmë me PS për zbatimin e Kushtetutës nga ana e mazhorancës, pakkush e hëngri togfjalëshin “ për Kushtetutën”, por në opozitë filluan sherret edhe mes deputetëve të grupit Basha-Berisha, sepse një pjesë mbeten për të vazhduar me protesta në sallën e parlamentit dhe në Bulevard kundër kryeministrit, ndërsa një pjesë të lodhur nga kjo betejë pa bereqet në parlament duan që të arrihet në një marrëveshje me Partinë Socialiste që të dalin nga ngërçi parlamentar, sepse nuk po prodhojnë politikë, por vetëm sherrnajë.
Nga ana tjetër u ndje keq Lulzim Basha dhe grupi i vogël afër tij, sepse menduan se Berisha po dakortsohet me Edi Ramën me anë të të Gazment Bardhit.
Edi Rama, mjeshtërisht i mikloi në kërkesat e tyre grupimin Bardhi-Berisha, duke iu lenë të hapur se ndryshoni ju si grupim që ne t’ju japim dritë në fund të tunelit ku keni hyrë.
Nga ana tjetër ndërseu grupimin e vogël me vulë në xhep të Lulzim Bashës që ti nxirrte në opionin demokrat se Berisha po bën Pazar me Edi Ramën, gjë që krijoi pakënaqësi në radhët demokrate, të cilët nuk besojnë më se cfarë luhet në prapaskenë.
Atë mobilizim të pranueshëm dhe paksa euroforik kur Gazment Bardhi e Agron Gjekmarkaj shkuan te ish-kryeministri Berisha, ua shkërmoqi Edi Rama me një lëvizje dinake brilante, duke i ofertuar. Natyrisht jo vetë direkt, por lëshoi grepin në liqenin me pak ujë të opozitës së Berishës dhe kapi krapin të cilin e rrotullon në ajër në grepin e tij, duke e lenë edhe pa atë ujin që ka mbetur në liqenin politik të PD.
Kur vetë Edi Rama thotë se jam tre hapa para Berishës dhe PD, në të vertetë ai është 30 hapa përpara, sepse ndryshe nuk ka sesi shpjegohet që akoma është në pushtet si kryeministër prej 11 vitesh e që duket se edhe zgjedhjet e vitit 2025 nuk ka asnjë shans ti fitojë opozita.
Edi Rama duhet rrëzuar, por kush ta rrëzojë?! Ata që kanë shkatërruar partinë Demokratike në katërqind copa dhe tani po mbledhin kockat e shpërndara të PD-së nëpër Shqipëri?
Kush ta rrëzoji, Sali Berisha që ka afro 400 mijë vota, ndërkohë që Edi Rama mbi 800 mijë vota?
Kush ta rrëzojë; Gazment Bardhi që synon një PD moderne por nuk e besojnë në PD se mos ka hyrë si Kali I Trojës për ti marrë Partinë, Berishës?
Kush ta rrëzojë Edi Ramën nga Opozita, Agron Gjekmarkaj, që mbetet intelektual dhe properëndimor, me ide futuriste për një PD larg nongratave dhe për një kandidat për kryeministër jo nga ata që kanë që kanë vite në PD e që janë bërë baltë para shqiptarëve?!
Kush ta rrëzojë Edi Ramën nga pushteti, Lulzim Basha që ka mbetur me një çetë me pesë vetë?!
Me thoni ju pra se si mund të fitojë opozita?
E fundit, kjo opozitë edhe sikur të hapet sic ka nevojë shoqeria, i duhet se paku tre vite që të bind e mobilizojë qytetarët, edhe ata që nuk janë as me Ramën, por as me Berishën.
Ndaj, për dreq, Edi Rama është tre hapa para opozitës.
Dhe imagjino hapin e madh të kryeministrit, që i bie sa 10 hapa të PD së sotme, të përcarë dhe pa energji”, shkruan Lesi ne editorialin e tij pa emer ne Koha jone./m.j