Një ngjarje e denjë për skenarin e një filmi horro, ka ndodhur në Afrikën e Jugut, ku një grua është rrëmbyer në një park nga 3 persona, të cilët e përdhunuan dhe e dogjën të gjallë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë orës 20:00 me orën lokale, teksa viktima 34-vjeçare po shëtiste në një park në Roodepan, Kimberley, raporton Daily Star. Dyshohet se 3 burrat iu afruan ngadalë gruas, dhe pasi e kapën e tërhoqën zvarrë për disa metra. Më pas ata e përdhunuan disa herë, deri sa në fund e spërkatën me parafinë dhe i vendosën flakët.
Gruaja u gjet me dëmtime të rënda nga kalimtarë të rastit, të cilët lajmëruan autoritetet dhe ajo u nis në spital. Megjithatë 34-vjeçarja nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të rënda.
Policia ndërkohë thuhet se ka identifikuar 3 autorët për shkak të kamerave të sigurisë që ndodheshin në zonë, megjithatë ende ata nuk janë kapur./m.j