Situata politike në Kosovë është përfshirë nga një ngërç i ri institucional lidhur me zgjedhjen e presidentit të vendit. Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje për ndryshime kushtetuese që do të mundësonin zgjedhjen e presidentit përmes votës së drejtpërdrejtë të qytetarëve, duke argumentuar se vetëm kështu mund të shmangen bllokadat politike në Kuvend.
Në një reagim publik në rrjetet sociale, Osmani deklaroi se i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës të ndërmarrë amendamente kushtetuese, që do të ndryshonin mënyrën aktuale të zgjedhjes së kreut të shtetit. Sipas saj, vendimi për presidentin duhet t’i takojë drejtpërdrejt popullit.
“Tani e tutje, le të flasë populli”, shkroi Osmani në Facebook, duke i bërë thirrje të gjitha partive politike që t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese.
Aktualisht, sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti zgjidhet nga deputetët e Kuvendit përmes votimit të fshehtë. Në dy raundet e para kërkohen dy të tretat e votave të deputetëve, ndërsa në raundin e tretë mjafton shumica e votave të të gjithë deputetëve.
Megjithatë, mungesa e konsensusit mes partive politike ka bërë që procesi të përballet me vështirësi serioze. Partitë nuk kanë arritur të bien dakord për një kandidat konsensual dhe presidentja Osmani nuk ka siguruar mbështetjen e nevojshme për një mandat të dytë.
Ndërkohë, nga radhët e Lëvizja Vetëvendosje është propozuar si kandidat për president Glauk Konjufca. Për të zhvilluar një garë formale në seancën për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën dy kandidatë, ndërsa deri tani nuk është siguruar një kandidat i dytë me nënshkrimet e nevojshme të deputetëve.
Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, paralajmëroi se nëse zgjedhja e presidentit dështon deri në përfundim të afatit kushtetues në mesnatë, çështja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Në disa postime në Facebook, Zulfaj argumentoi se mospjesëmarrja e deputetëve në votimin për presidentin përbën shkelje të Kushtetutës. Ai iu referua aktgjykimit KO29/11 të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit deputetët janë të obliguar të marrin pjesë në tri raundet e votimit për zgjedhjen e presidentit.
Sipas tij, nëse deputetët bojkotojnë votimin dhe nuk arrihet kuorumi prej dy të tretave, vendi nuk shkon automatikisht në zgjedhje të reja parlamentare. Në vend të kësaj, çështja duhet të trajtohet nga Gjykata Kushtetuese, për shkak të shkeljes së detyrimeve kushtetuese nga deputetët.
Zulfaj gjithashtu theksoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka detyrim politik ndaj Osmanit për ta mbështetur për një mandat tjetër. Ai kujtoi se Osmani është zgjedhur më parë kryetare e Kuvendit dhe presidente me votat e kësaj partie, por sipas tij kjo nuk krijon një detyrim për zgjedhje të përsëritur.
“Vjosa është një figurë e respektuar, ish-kryeparlamentare dhe presidente e vendit, e denjë për çdo pozitë shtetërore. Megjithatë, Vetëvendosje nuk ia ka borxh ta bëjë sërish presidente”, shkroi Zulfaj.
Ai shtoi se përjashtim nga tradita e presidentëve partiakë ka qenë vetëm ish-presidentja Atifete Jahjaga, e cila ishte zgjedhur si figurë më shumë konsensuale dhe jo drejtpërdrejt nga një parti politike.
Në fund të reagimit të tij, Zulfaj kritikoi edhe interpretimin që Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka bërë procedurës së zgjedhjes së presidentit. Sipas tij, vendimi i gjykatës e ka ndërlikuar procesin duke e barazuar praktikisht votimin e tretë me dy të parët, edhe pse Kushtetuta e kishte paraparë atë si një mekanizëm për të dalë nga bllokada politike.
Ndërsa afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit po afrohet drejt fundit, mbetet e paqartë nëse partitë do të arrijnë një marrëveshje në momentet e fundit apo nëse kriza do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese, duke hapur një kapitull të ri në përplasjet politike në Kosovë.












Je kujtu vonë moj kajmaklie. Shumë vonë. Tashti që po t’mërdhit bëjtha, del me kshi propozimesh. Je kokrra e marroqes, flokë shumë e tru pak….