Pas pandemisë, çmimet e pasurive të paluajtshme në Shqipëri kanë njohur rritje të ndjeshme, sidomos në kryeqytet, ku kërkesa dhe aktiviteti tregtar janë më të larta. Mirëpo, kjo rritje çmimesh herë pas here është shtyrë nga faktorë të ndryshëm, si rritja e mirëqenies, shtimi i turizmit, si dhe standardet e reja të ndërtimit, të cilat pasohen nga kosto të larta. Në këtë valë rritjesh të çmimeve të pronave, studimi i Investropa ka bërë një analizë për të identifikuar skenarin që mund të shkaktonte një rënie çmimesh në Shqipëri .
Skenari më i mundshëm që mund të shkaktojë një rënie të tregut të banesave është një kombinim i ngadalësimit të ndjeshëm të turizmit ndoshta për shkak të paqëndrueshmërisë rajonale ose një recesioni europian dhe i shtrëngimit të standardeve të kreditimit bankar, që zvogëlon rrjedhën e kredisë hipotekare në treg.
Shenjat e hershme paralajmëruese që do të tregojnë fillimin e një rënieje përfshijnë rritjen e ndjeshme të ditëve që një pronë qëndron në treg (veçanërisht në Tiranë, ku mund të tejkalohet 12 muaj), zgjerimin e zbritjeve mbi 15%, uljen e aplikimeve për leje ndërtimi, rënien e numrit të vizitorëve të huaj dhe rritjen e kredive me probleme nga bankat.
Bazuar në modelet historike, një rënie e mundshme mund të sjellë ulje të çmimeve me 10% deri në 25%, më të theksuar në zonat dytësore dhe më të moderuar në qendrën e Tiranës dhe qytetet bregdetare, ku kërkesa mbetet strukturore nga segmente të shumta blerësish. Një ulje e tillë mund të ndikojë jo vetëm blerësit dhe investitorët, por edhe zhvilluesit e rinj, duke rishpërndarë dinamikën e tregut dhe duke krijuar mundësi për segmentet e pazbuluara të blerësve, ndërsa ata që posedojnë prona në zona strategjike mund të përfitojnë nga kërkesa e qëndrueshme.











