Një rast i çuditshëm, nëse mund të cilësohet i tillë, është shënuar ditët e fundit në Greqi, që vë në qendër të vëmendjes raportin mësues-nxënës.
Një mësuese arti të një shkolle filloreje në Lutraki, shumë pranë Korinthit, ka bërë një denoncim ndaj një nxënësi të saj, të moshës 6-vjeç, duke e akuzuar për ngacmim seksual.
Sipas asaj që raportohet nga mediat greke, gjithçka ka ndodhur në orën e mësimit së 55-vjeçares, kur i mituri ka shkuar pranë saj për t’i treguar vizatimin e bërë.
Mësuesja pretendon se djali i vogël e ka prekur në gjoks, e që s’ishte një incident i ndodhur padashje nga ana e të miturit.
“Teksa isha duke dhënë mësim, djali i vogël më preku në gjoks. Fëmijët kishin një temë të caktuar për të vizatuar diçka. Ai thotë ‘mësuese’, teksa ngre dorën për të kërkuar leje. Unë i jap fjalën ‘po më thuaj çfarë të duhet’, e ai më thotë ‘a të vj t’ju tregoj vizatimin tim?’.
‘Eja ma trego vizatimin tënd’, i them unë, e ai vjen të më tregojë vizatimin dhe ndodh ajo ngjarja. E tani… unë nuk mund ta lija me kaq. Kjo sepse u tremba. Duhet të kuptoni se kjo nuk është gjë e mirë. Ne kemi punuar gjithë këto vite, patjetër që duam dhe sigurinë tonë”, u shpreh 55-vjeçarja për mediat greke.
Mësuesja punon prej 25 vitesh në sistemin arsimor grek, e shprehet se kjo eksperiencë e gjatë e ndihmon të besojë se një fëmijë di çfarë veprimi bën, pra, 6-vjeçari është i vetëdijshëm se bëri një gabim.
“Besoj se e kuptoni dhe ju. Nuk jemi fëmijë tani. Një fëmijë 6-vjeçar besoj se e kupton. Nuk është një foshnje mos ta kuptojë. Kjo është çështja. Mendoni… 6 vjeç do ia bënit ju mësuesit tuaj? Unë nuk do guxoja! Isha aq e turpshme saqë nuk guxoja as të lëvizja. Në të vërtetë është një fëmijë i mirë dhe e dua, por ju lutem pak seriozet”, shtoi më tej mësuesja.
Ajo shprehet më tej se nuk do të mund të flinte e qetë naten nëse nuk do e bënte denoncimin ndaj të miturit. Mësuesja nuk ka telefonuar në asnjë moment prindërit e 6-vjeçarit, por shprehet se arsyeja përse bëri një kallëzim ndaj tij ishte për efekt mbrojtjeje jo vetëm ndaj vetes, por dhe për të miturin.
“Sapo ndodhi ky incident, i thash fëmijës që ajo që bërë ishte e gabuar. Fëmija nuk kuptoi gjë, i vogël është. Fola me drejtuesin. Ai nuk më tha asgjë në ato momente, nuk e di se si e mori. I thash edhe mësueses kujdestare të fëmijës. Ajo më tha ‘do ta shoh, do ta kem parasysh’, e kështu me radhë. E kështu… unë nuk doja ta linte të shkonte kështu”, tha ajo.
Drejtori i shkollës, duket se e ka parë situatën nga një këndvështrim më të pafajshëm.
“Shkoi pranë saj për të treguar vizatimin e tij, e aty i gjuajti tek gjoksi. Ajo pretendon se ishte e qëllimshme, por fëmija deri aty arrinte me gjatësi”, u shpreh ai.
Kjo ngjarje ka sjellë habi dhe reagime të ndryshme e në stafin e kësaj shkolle. Mësues të tjerë janë përpjekur të qetësojnë 55-vjeçaren, me arsyetimin se është një fëmijë 6 vjeç e nuk mund të ketë qëllime të tilla. Por, mësuesja e prekur, këmbëngulte se është ngacmuar seksualisht nga i mituri, teksa ka pohuar para autoriteteve se “ata kishin përpara tyre një përdhunues të së ardhmes”.
Pretendimet e prindërve për besimin fetar
Ashtu sikurse ky rast është tronditës për mësuesit e kësaj shkolle, po kështu është dhe për prindërit e nxënësve, duke pasur dhe reagime të forta ndaj 55-vjeçares.
Ata pretendojnë se mësuesja është një person konservator dhe shumë “fetar”, që detyronte fëmijët të vizatonin figura të shenjta. Kështu, ata kanë bërë ankesë në drejtori për mësuesen në fjalë, me dëshirën që ajo mos të japë orë mësimi në këtë shkollë, sidomos pas këtij incidenti me 6-vjeçarin.
“Ata vizatonin figura të ngjashme të shenjta. I bëra vërejtje drejtorit. Ai më tha se e ka kritikuar mësuesen, por ajo nuk e ndryshoi modelin e mësimdhënies”, tha një prind.
“Kemi dhe ne të drejta, jo vetëm prindërit. Se tani… ata mendojnë që të gjithë prinderit kanë të drejta, që të gjithë nxënësit kanë të drejta. E kështu, fatkeqësisht, shumica e fëmijëve nuk janë ëngjëj të Zotit”, tha mësuesja.
Por, nuk është hera e parë që prindërit kanë bërë ankesa ndaj mësueses së artit.
“Ishte një mësuese që bertiste shumë, pa ndonjë arsye të veçantë. Nuk e kuptonim dot kurrë se pse një grua që bën vizatime të thjeshta për shkollë fillore, duhet të bërtasë kaq shumë për gjëra aspak serioze”, u shpreh një prind.
“Nuk ishte modeli më i mirë i mësueses. U bërtiste shumë nxënësve, u fliste ashpër. Ndërpriste dhe orën e mësimit. Fëmijët ankoheshin për tonin e saj”, tha një prind tjetër.
55-vjeçarja fillimisht u transferua në një shkollë tjetër, por me pas me urdhër të Prokurorisë u bë pezullimi i saj nga detyra, gjë që ajo e kundërshton.
“A s’kam të drejtë të mbroj veten unë? Nuk kam të drejtë të bëj ankesë për një 6-vjeçar? E kam bërë për mbrotje pra”, tha ajo.
Në dritë përvoja traumatike e gruas
Mësuesja e artit, duket se i është rikthyer pas dhe ngjarjeve kritike të ndodhura në jetën e saj, që përfshijnë dhunën.
Për mediat greke ajo ka shprehur se prej 30 vitesh ndodhej në një martesë të palumtur, ku kishte dhunë, abuzim, ekzistencë frike…
“Përjetova gjënë më të tmerrshme që një person mund të kalojë. Isha e palumtur prej 30 vitesh. Vuajta shumë. Kisha frikë prej tij. U divorcova vitin e kaluar dhe bëra një padi ndaj tij. Ai më mallkonte, mua, fëmijët e mi… Nga gjithçka, Jezus Krishti më shpëtoi! Pesë vite më parë as nuk besoja në Zot”, tha ajo.
E gjithë kjo ngjarje, tashmë ka marrë një kthesë tjetër, sepse rasti nuk i përket më vetëm zonës Lutraki, por ka reagime të ashpra nga gati gjithë Greqia.
Psikologët grekë sakaq, arsyetojnë se është e logjikshme që mësuesja të ndihet në siklet, por e shohin veprimin e të miturit si diçka të pa qëllimshme, por mund të ketë qenë një lëvizje impulsive.
Historia në vetvete ngre pikëpyetje të shumta, që ka ndezur debat në shtetin fqinjë për etikën dhe profesionalizmin e mësueve. Nga ana tjetër, prindërit kërkojnë që mësuesit të nënshtrohen më patjetër në një test vlerësimi psikologjik, që provon se janë të aftë për të qëndruar në një ambient me të mitur dhe të përballojnë problemet e nxënësve.











