Nga Anxhela Ferra
Praq Rado e ka ëndërruar Amerikën që kur ishte fëmijë. Dinte vetëm që ishte shumë larg, asgjë më tepër. Por, varfëria e tejskajshme me të cilën përballej çdo ditë, e bënte që përherë e më tepër të synonte tokën e largët. Është një prej atyre historive, ku më prezente ka qenë vuajtja sesa lumturia. Por përsëri, Praqi është një prej personave më optimist.
Djali nga Thethi i Shkodrës, rrëfen për Dritare.net historinë e tij, kur lutej të gjente pak bukë teksa kthehej nga shkolla. Deri sot, kur është shumë pranë ëndrrës për tu bërë aktor i famshëm në Amerikë.
Ishte vetëm 16 vjeç kur u nis në një rrugëtim të gjatë dhe shumë të vështirë për në Amerikë. Mes frikës dhe vendosjes së hekurt për të shkelur “tokën e ëndrrave”, ai nuk stepet. Deri në vitin 2001, kohë kur udhëtimit të tij i vjen fundi.
Edhe pse ishte pa dokumente, Praqi nis studimet për aktrim dhe menjëherë pas saj, realizon filmin e tij të parë me metrazh të shkurtër, me regjisorin fitues të Emmy, Lee Percy. “Dreaming American” tregon historinë 36 vjeçarit dhe pati një sukses të madh në festivalet amerikane, ku fitoi 7 çmime.
Duke parë suksesin e madh që pati filmi “Dreaming American”, Praqi tregon për Dritare.net se në fillim të 2018-ës, priten të nisin xhirimet për filmin me metrazh të gjatë, ku një pjesë do të filmohet në Theth. Kjo është edhe arsyeja e ardhjes në Shqipëri.
Dritare.net- Si ishte rikthimi në Theth pas kaq shumë vitesh?
Tani Thethi është bërë vend turistik dhe dallohen ndryshime, edhe pse për mua kjo është hera e dytë që vij. Por, përsëri ka ende shumë familje të cilat janë të varfra. Kuptova që ato familje të cilat kishin mundësi ekonomike më të mira, i kishin kryesisht fëmijët jashtë shtetit. Shihja fëmijët të cilët dilnin nga shkolla dhe më kujtonin veten. Pata një përzierje ndjenjash, nostalgji, mall, por si një bumerang mu rikthye edhe vuajtja.
Dritare.net- Çfarë kujtoni prej fëmijërisë dhe çfarë dhemb ende?
Kujtoj kur kthehesha nga shkolla i uritur, por në shtëpi nuk kishim bukë të hanim, mbi të gjitha që ne jemi 6 fëmijë. Shtëpia jonë ishte shumë e vjetër, në katin e parë mbanim bagëtinë, ndërkohë në katin sipër, jetonim të gjithë. Ishte vetëm një dhomë dhe kur binte borë, e gjitha hynte brenda. Nuk bëhej diferenca nëse ishe jashtë apo brenda. Mbaj mend, trishtimin e madh që kishin sytë e nënës time dhe pafuqinë e tim ati. Edhe pse vazhdojnë të dhembin, këto kujtime më japin forcë.
Dritare.net- A ndjeni mllefe?
Po. Ndjej inat për prindërit e mi, për mënyrën se si u trajtuan nga regjimi i asaj kohe. Ata dolën kundër dhe shteti i izoloi, duke i lënë në varfëri të tejskajshme. Ata kanë vuajtur, deri ditët që kanë vdekur. Unë për ata luftoj, që prindërit e mi, atje ku janë, të jenë krenarë për mua.
Motra e ime ka mësuar shumë në shkollë dhe i pëlqente të njihte gjëra të reja. Por, duke qenë se vinte nga një familje e prekur nga regjimi, ajo nuk u lejua të vazhdonte shkollën e mesme. Ky është një tjetër peng i imi.
Dritare.net- Ikët nga Shqipëria kur ishit vetëm 16 vjeçe. Çfarë ndodhi gjatë atij rrugëtimi të gjatë drejt Amerikës?
Në vitin 1998 mora vendimin për të shkuar në Amerikë. E shihja si vendin i cili do të më ndryshonte jetën dhe vetëm atje do të plotësoja ëndrrën time, për një jetë më të mirë. Nga Gjirokastra e deri në kufi kemi shkuar në këmbë, që të mos na kapte policia kufitare. Kisha shumë frikë, pasi përveçse i vogël, isha dhe vetëm, në mënyrë që të mos binim në sy. Në Greqi qëndrova për tetë muaj, te motra ime. Punova për të bërë mjaftueshëm lekë, që të ikja në Itali.
Ajo ishte një rrugë akoma më e vështirë. Ishte muaji janar dhe ne jemi nisur natën, me një gomone shumë të vogël. Ishim rreth 15 emigrantë dhe shqiptar isha vetëm unë. Duke menduar se ishim afër bregut, mua më hedhin në det. Nuk e di pse e bënë një gjë të tillë. Por, bregu ishte pak larg dhe unë duhet të shkoja me not. Nuk kisha asnjë gjë me vete, me vetëm rrobat e lagura duhet të ecja për tetë orë, ku më priste një taksi për të më çuar në Milano. Së bashku me disa emigrantë të tjerë, hipim në një maune, e cila nisej për në Angli. Shkuam deri në Francë, por aty e kuptoi shoferi, na nxori jashtë dhe lajmëroi policinë, e cila na ktheu në Itali. Më pas në 2001, më në fund iki në Angli, me anë të dokumenteve fallco.
Prej aty nisem për në Amerikë, ndalesa e parë ishte në Michigan, më pas në New York. Gjatë kësaj kohe kam bërë të gjitha punët, që nga kamerier, restorant, lyerje shtëpish, e deri te pastrimi i peshkut.
Dritare.net- A ishte e madhe Amerika, apo shpresa ishte më e madhe?
Në Amerikë kam pasur shumë probleme me dokumentet, sado që unë kërkova azil politik, përsëri refuzonin të mi jepnin. I kam marr në vitin 2010, kur ishte premiera e filmit “Dreaming America” në Kaliforni. Rrugës më ndaloi policia dhe më morën në komisariat. Më kërkuan letrat, por dokumenti i vetëm që unë kisha, ishte posteri i filmit. Më mbajtën për 8 ditë, gjatë kësaj kohe as nuk haja, e as nuk pija. Isha i dëshpëruar, pasi nuk doja të kthehesha në Shqipëri. Më pas i them policëve që të dërgojnë një deklaratë për shtyp nga email-i im. Të gjitha mediat kryesore në Amerikë, e trajtuan si lajm dhe çështja u bë shumë e madhe. Shkon edhe në veshin e Kongresmenit të New York, i cili më ndihmoi me një avokat shumë të mirë, i cili më nxori nga burgu dhe mora letrat. Ndonjëherë çdo e keqe, e ka nga një të mirë.
Dritare.net- Është aktrimi një ‘arratisje’ nga jeta juaj e vështirë?
Po, është e vërtetë. Pikërisht kjo më bëri të dashurohem me aktrimin, mundësia për të jetuar jetën e dikujt tjetër. Kur ke shumë vuajtje ne jetën tënde reale, nëpërmjet aktrimit, për ca kohë ti shkëputesh nga ato. Ndër të tjera më pëlqen shumë krijimi dhe të punoj me sa më shumë njerëz. Nuk më pëlqen të më japin një rol dhe unë të shkoj ta luaj. Më tepër dua të kem projekte të mijat dhe të jem vetë producent.
Dritare.net- “Dreaming American” ishte çelësi juaj i suksesit, takimin me Lee Percy-n e quani fat apo fryt i këmbënguljes suaj?
Koha kur isha në shkollë për aktrim, ka qenë një periudhë po ashtu shumë e vështirë. Paralel me studimet, edhe punoja, pa dokumente isha. Në ato vite më vdiqën edhe prindërit, e unë nuk pata mundësi të vija në varrimin e tyre. Teksa shihja familjet që gjatë festave ishin të gjithë bashkë, më kaplonte një ndjenjë e thellë dëshpërimi, unë isha krejt vetëm.
Ishin dy shokë të shkollës të cilën më nxitën që unë gjithë historinë time ta shkruaja për një film me metrazh të shkurtër. Edhe pse kam marr shumë përgjigje negative, unë përsëri nuk dorëzohesha, doja me patjetër që historia ime të bëhej film.
Takimi me Percy-n ishte fat, por edhe këmbëngulja ime.
Në atë kohë punoja si kamerier në një nga restorantet më të mira në Amerikë dhe aty vjen gjithë grupi i xhirimit të filmit Salt, mes tyre edhe Lee Percy. Iu prezantova dhe i tregova për projektin tim, e ai më tha ta kontaktoja në email. Përgjigjia e të cilës më erdhi pas një muaji. Gjatë kësaj kohe mendoja se do të më vinte përsëri një ‘jo fatale’.
Por, Percy-t i pëlqeu shumë historia ime dhe menjëherë filluam punën, qëndronim në set nga mëngjesi deri pas mesnate. Në çastin e parë që thonë ‘aksion’, fillova të qaj, ishte e pabesueshme. Është për tu theksuar, se asnjë nga ekipi nuk mori lekë, të gjithë punuan vullnetarisht, pasi skenari i pëlqeu shumë.
Dritare.net- Si është një ditë për Praqin?
Unë jetoj në Manhattan dhe tani jam në përfundim të universitetit për “Marketing dhe PR”, por këtë e kam si plan rezervë. Pasi nuk më pëlqen të punoj me atë orarin fiks, 9:00-17:00. Dua orare fleksibël, në mënyrë që të krijoj. Ndaj kam një firmë dhe kam të punësuar disa shqiptarë, ku ofrojmë shërbime transporti dhe mirëmbajtje shtëpish.
Asnjë ditë nuk është e njëjtë për mua, pasi më pëlqen që të provoj gjëra të reja, të takoj njerëz të ndryshëm, të njihem me gjëra që më parë as nuk i kam imagjinuar.
Dritare.net- Sa e rëndësishme është jeta sentimentale për ju?
Për momentin jo shumë, ose më saktë nuk kam asnjë gjë serioze. Janë lidhje të shkurtra. Mendoj që nuk ka ardhur ende momenti për mua të krijoj një familje. Më parë duhet të bëj karrierë e të plotësohem si njeri, më pas të plotësoj veten me një partnere në krahë.
Dritare.net- Çfarë nuk njohim nga bota e Hollivudit dhe çfarë mendon për shqiptarët të cilët janë pjesë e tij?
Hollivudi është një gënjeshtër, shkëlqimi është vetëm maja e ajsbergut. Ndërkohë për të arritur atje, duhet të kalosh sakrifica dhe shumë punë. Ka edhe shqiptarë të cilët duan të bëhen të famshëm pa bërë asgjë. Siç është Bleona Qereti, e cila bën zhurmë kot, pasi askujt nuk i intereson se kush është ajo. Ato që po luftojnë dhe po ecin shumë para janë Rita Ora, Dua Lipa dhe Bebe Rexha. Hollivudi është vetëm një fjalë, por çfarë je duke bërë ti aty dhe sa lufton për të qëndruar.
Dritare.net- Në një intervistë për emisionin Dritare në Vizion Plus, keni thënë se Hillary Clinton duhej të drejtonte Amerikën. Si po qeveriset vendi me President Donald Trump?
Hillary Clinton është një femër model, ka një eksperiencë të gjatë në politikë dhe nuk krahashohet me Trump që është një biznesmen. Ai i sheh amerikanët dhe Amerikën si një biznes, nisur që nga mënyra si i trajton emigrantët, femrat myslimanët. Trump bën zhurmë me gjëra të vogla, që të gjitha mediat të merren me atë gjë. Por, ndërkohë është duke kaluar ligje apo bën marrëveshje me shtete të tjera, në dëm të kombit amerikan.
Kurse Hillary është e fortë, e zonja, serioze, me ide të qarta dhe do ta çonte Amerikën para, nëse do të ishte ajo Presidente. E tillë është edhe nga afër, ka një përgjigje për çdo gjë dhe i afron shumë njerëzit.
Dritare.net- Çfarë do t’i thoni Praqit 16 vjeç dhe të rinjve shqiptarë?
Të dyja palëve do t’i thosha, punoni shumë se keni për t’ia dalë mbanë. Mos kini frikë prej asnjë gjëje, besoni në vetvete dhe jini solidarë. Këto gjëra ia thoni vazhdimisht vetes, qëndroni optimist dhe do të keni sukses.