Nga Berat Buzhala
Ose je me ne, pjesë e njësisë për linçime publike, diferencime dhe ekzekutime morale, ose je hajdut. Të ka paguar Edi Rama. Minimumi me një sufllaqe, maksimumi me një ishull.
Me disa përjashtime, kjo ka qenë ADN-ja e atmosferës që e ka shoqëruar protestën në Shqipëri.
Një atmosferë rreth së cilës u bashkuan njerëz nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Lugina dhe diaspora: jo domosdoshmërisht rreth një ideje të përbashkët, por rreth nevojës për ta shpallur tradhtar këdo që nuk brohoriste njësoj.
Për mua, fatbardhësisht, kjo nuk ishte një klimë e panjohur.
Karl Marxi kishte shkruar se historia përsëritet dy herë: herën e parë si tragjedi, herën e dytë si farsë.
Kjo që po ndodh sot në Shqipëri ka ndodhur në Kosovë në vitin 2021. Vetëm se në Kosovë revolucioni u materializua. Ne tashmë jemi në vitin e gjashtë të qeverisjes së asaj mendësie që, kohë pas kohe, kërkohet edhe nëpër rrugët e Tiranës.
Dhe tash, gjashtë vjet më vonë, mund ta shohim edhe bilancin e revolucionit të materializuar.
Kosova nuk u bë as më demokratike, as më funksionale, as më e begatë vetëm pse pushteti kaloi në duart e atyre që e kishin shpallur veten moralisht superiorë ndaj të gjithë të tjerëve.
Kosova ka hyrë tri herë në zgjedhje parlamentare brenda vetëm 18 muajve. Jo për shkak të ndonjë emergjence kombëtare.
Revolucionarët e Kosovës, të paaftë për t’u dhënë zgjidhje problemeve, vazhdojnë t’u japin emra fajtorëve.
Ndërkohë, inflacioni arriti mbi 7.5 për qind në prill të vitit 2026, ndër nivelet më të larta në rajon, duke e ngrënë çdo ditë fuqinë blerëse të qytetarit të zakonshëm.
Në Kosovë ishte tragjedi. Në Shqipëri po përsëritet si farsë.
Logjika, megjithatë, është e njëjtë: sharja dhe frikësimi i kundërshtarit. Jo vetëm i kundërshtarit politik, por sidomos i atij që përpiqet ta ruajë një grimë pavarësie.
Sepse kundërshtari, së paku, e ka deklaruar anën e tij. I pavaruri është më i rrezikshëm. Ai mund ta prishë narrativën. Mund të bëjë pyetje. Mund të mos entuziazmohet me komandë. Mund të mos e ngrejë dorën në të njëjtën sekondë me turmën.
Prandaj, në çdo revolucion të turmës, të pavarurit duhet të varen të parët.
Deluzioni i disa prej atyre që dalin çdo ditë në rrugët e Tiranës, si organizatorë, prijës, tribuna apo çfarëdo që e quajnë veten, është aq i thellë, sa mendojnë se e kaluara e tyre mund të kthehet vetëm 43 ditë prapa.
Sipas kalendarit të tyre moral, historia e Shqipërisë fillon ditën kur ata kanë dalë në protestë.
Gjithçka që kanë bërë përpara asaj date është fshirë.
Ata kanë rënë dakord, në heshtje, që ta amnistojnë njëri-tjetrin. Të mos e pyesin njëri-tjetrin se ku ishin dje. Çfarë bënin. Kujt i shërbenin. Nga kush financoheshin. Cilat padrejtësi i toleronin dhe për cilat pushtete e mbanin gojën mbyllur.
Në revolucionin e tyre, mjafton të dalësh sot në shesh dhe të gjitha mëkatet e djeshme të falen.
Janë të gatshëm t’i amnistojnë edhe ata që u bashkohen më vonë. Mund të kesh qenë ministër i Ramës. Zëvendësministër i Ramës. Drejtor i Ramës. Përfitues i Ramës. Mund të kesh heshtur kur duhej të flisje dhe të kesh folur vetëm kur të janë mbyllur dyert e pushtetit.
Mjafton të paraqitesh në protestë, ta thuash fjalëkalimin e ditës dhe të pagëzohesh si opozitar.
Por kjo mëshirë revolucionare nuk vlen për të gjithë.
Ajo nuk vlen për ata që qeverinë Rama e kanë kritikuar edhe atëherë kur shumë prej organizatorëve të sotëm, ose shefat e tyre, merrnin miliona nga reklamat e inceneratorëve.
Ata janë të gatshëm t’ua falin mëkatet ish-ministrave dhe ish-zëvendësministrave të Ramës. Janë të gatshëm t’ua shesin indulgjencat të gjithë atyre që pranojnë të futen nën çadrën e tyre morale.
Por nuk janë të gatshëm ta pranojnë një gjë shumë më të thjeshtë: se në shoqëri mund të ketë njerëz që nuk i përkasin as Ramës, as revolucionit të tyre.
Mund të ketë zëra të pavarur.
Mund të ketë njerëz që e kritikojnë pushtetin, por nuk duan t’ia dorëzojnë arsyen turmës. Që janë kundër korrupsionit, por edhe kundër linçimit. Që duan drejtësi, por nuk pranojnë gjyqe popullore. Që mund ta kundërshtojnë Edi Ramën pa u detyruar t’i nënshtrohen çdo deliri që prodhohet kundër tij.
Pikërisht këta njerëz i urrejnë më së shumti.
Sepse përballë pushtetit mund ta luajnë heroin. Përballë të pavarurit duhet të japin përgjigje.
E përgjigjet janë shumë më të vështira se parullat.











