• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, July 25, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

“Nga TikTok-u në kazermë”, vendet e Ballkanit Perëndimor gati të rikthejnë shërbimin ushtarak

by E S
25/07/2026 17:43
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Që nga shkurti i vitit 2022, kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, peizazhi i sigurisë në Evropë ndryshoi rrënjësisht.

Ndjenja e pasigurisë u përhap në të gjithë kontinentin dhe një nga pasojat më të dukshme ishte rikthimi i debatit për shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Shtetet evropiane po rrisin buxhetet për mbrojtjen, po forcojnë ushtritë dhe po investojnë në modele të reja të mbrojtjes.

I njëjti trend po vërehet edhe në vende të Ballkanit Perëndimor që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Serbia njoftoi se, nga marsi i vitit të ardhshëm, do ta rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, i cili do të zgjasë 75 ditë.

Kosova synon të zbatojë modelin finlandez të mbrojtjes gjithëpërfshirëse.

Ndërkaq, Kroacia – anëtarja më e re e Bashkimit Evropian – e riktheu shërbimin e detyrueshëm ushtarak në mars të vitit 2026.

Dy muaj trajnim i kushtojnë shtetit rreth 20 milionë euro në vit, ndërsa rekrutët marrin 1.100 euro në muaj, përfitojnë stazh pune, si dhe ushqim e transport.

Për ata që refuzojnë shërbimin ushtarak, ekziston shërbimi civil, i cili zgjat dy herë më shumë dhe paguhet më pak.

Bosnje dhe Hercegovina vazhdon të mbështetet në një ushtri profesionale, por po shqyrton edhe krijimin e një force rezerviste.

Çdo model i shërbimit të detyrueshëm ushtarak prek një periudhë të rëndësishme të jetës – të njëzetat. Dhe nuk është një proces i thjeshtë.

Siç shpjegon analisti ushtarak nga Bosnje dhe Hercegovina, Dean Xhebiq, t’i veshësh dikujt uniformën nuk do të thotë vetëm t’i japësh “një copë pëlhurë me stemë në të dyja supet”.

“Është një sfidë sociologjike dhe kulturore për gjithë shoqërinë, sepse, në njëfarë mënyre, e militarizon gjithë shoqërinë. Sidomos kur flasim për brezin Z – ju i largoni të rinjtë nga TikTok-u, nga nëna, nga shtëpia dhe i vishni me uniformë”, thotë Xhebiq për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, në Kroaci tashmë mund të lexohen komente në rrjetet sociale nga të rinjtë që ankohen se u mungojnë telefonat, PlayStation, videolojërat dhe gjithçka që lanë pas në jetën civile.

Çfarë duan të rinjtë?

Mahmudi dhe Nejra, një çift i ri që gazetarët e Radios Evropa e Lirë takuan në Sarajevë, besojnë se rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak do t’i ndihmonte të rinjtë të krijonin më shumë disiplinë, të zgjoheshin me kohë dhe të fitonin shprehi më të mira pune.

“Njerëzit të kaliten, të mos jetë më gjendja siç është tani”, thotë Mahmudi.

Një raport alternativ për pozitën dhe nevojat e të rinjve në Serbi, i publikuar në vitin 2024, tregon se 51 për qind e vajzave dhe 47 për qind e djemve mbështesin shërbimin e detyrueshëm ushtarak për burrat.

Edhe të rinjtë në Beograd, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, thonë se do t’i përgjigjeshin thirrjes nëse do ta merrnin.

“Kur të vijë thirrja, çfarë të bëjmë? Do të shkojmë për dy muaj e gjysmë”, thotë Zorani.

Të njëjtin qëndrim ka edhe Milloshi:

“Nuk do ta refuzojmë. Do ta kryejmë dhe aq. Nuk ka zgjidhje tjetër”.

Ata, por edhe të rinj të tjerë që folën për Radion Evropa e Lirë, thonë se nëse baballarët dhe gjyshërit e tyre e kanë kryer shërbimin ushtarak, nuk shohin arsye pse të mos e bëjnë edhe ata.

“Shërbimi ushtarak është shumë i rëndësishëm, sepse e formon njeriun. E mëson me disiplinë dhe me shprehi pune, të cilat që në moshë të re ndihmojnë që të rritet si një person i pavarur dhe një anëtar i mirë i shoqërisë”, thotë Amari nga Sarajeva.

Edhe Eurobarometri i vitit 2025 tregon se 31 për qind e të rinjve evropianë besojnë se siguria dhe mbrojtja duhet të jenë ndër prioritetet kryesore të Bashkimit Evropian, ndërsa paqja dhe stabiliteti global renditen mes shqetësimeve të tyre më të mëdha.

Në të njëjtën kohë, një anketë e zhvilluar me qytetarët e Bashkimit Evropian tregon mbështetje rekorde për një mbrojtje të përbashkët evropiane.

Madje, 78 për qind e tyre shprehen të shqetësuar për sigurinë dhe mbrojtjen e Evropës gjatë pesë vjetëve të ardhshëm.

Pse Evropa po e ndryshon qasjen ndaj mbrojtjes?

Duke prezantuar planin e Bashkimit Evropian për rritjen e gatishmërisë mbrojtëse, komisionari evropian për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, tha vitin e kaluar se vendet evropiane do të investojnë 6.8 trilionë euro në mbrojtje deri në vitin 2035.

“Ne synojmë të arrijmë gatishmëri të plotë mbrojtëse para vitit 2030. Pse? Për shkak të planeve të [presidentit rus, Vladimir] Putin. Duhet ta pengojmë agresionin, ta parandalojmë luftën dhe ta ruajmë paqen. Pikërisht për këtë shërben ky plan”, tha Kubilius.

Duke shpjeguar drejtimin e ri të politikës evropiane të mbrojtjes, Predrag Petroviq, nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, thotë se pas këtij ndryshimi qëndrojnë dy faktorë kryesorë.

“I pari është [presidenti amerikan] Donald Trump, i cili kërkon që Evropa, më në fund, të marrë përgjegjësi për sigurinë e saj dhe t’i ndajë për NATO-n fondet që i ka premtuar, në vend që të kursejë në mbrojtje dhe siguri”, thotë Petroviq për Radion Evropa e Lirë.

Faktori i dytë është Rusia, përkatësisht lufta në Ukrainë.

“E gjithë kjo e detyron Evropën t’i rrisë investimet në mbrojtje dhe siguri, si dhe t’i rikthejë kapacitetet e saj mbrojtëse për t’u përballur me një konflikt të mundshëm me Rusinë. Kjo është tema që ka dominuar që nga pushtimi rus i Ukrainës”, shton Petroviq.

Pas samitit të fundit të NATO-s, të mbajtur në Ankara në qershor, u bë e ditur se 31 vendet anëtare të Aleancës i kanë rritur së bashku shpenzimet për mbrojtjen për 139 miliardë dollarë gjatë vitit të kaluar.

Një vit më parë, NATO-ja u zotua që deri në vitin 2035 t’i rrisë shpenzimet për mbrojtje dhe siguri në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Vetëm për vitin e ardhshëm, Gjermania miratoi një buxhet ushtarak prej 105 miliardë eurosh, krahasuar me 82 miliardë euro sa ishte një vit më parë, raportoi agjencia Reuters.

Ekonomia më e madhe e Evropës e hoqi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2011, por tani, në dritën e zhvillimeve në Ukrainë, po rikthen një model të shërbimit ushtarak vullnetar.

Të gjithë burrat mbi moshën 18-vjeçare do të jenë të detyruar të plotësojnë një pyetësor për shërbimin ushtarak, ndërsa për gratë kjo do të jetë vullnetare.

Ata që shprehin gatishmëri për t’iu bashkuar ushtrisë, do t’i nënshtrohen një procesi vlerësimi, i cili pritet të nisë në mesin e vitit 2027.

Po Ballkani Perëndimor?

Pas Kroacisë, vendi i radhës në Ballkanin Perëndimor që pritet ta rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak është Serbia.

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Serbi është planifikuar të nisë në mars të vitit 2027.

Deri më tani, për përgatitje janë ndarë rreth 130 milionë euro, kryesisht për rindërtimin e kazermave të braktisura.

Plani parasheh që burrat e moshës 18 deri në 30 vjeç të kryejnë 75 ditë shërbim ushtarak, por ai duhet të miratohet nga Kuvendi i Serbisë.

Sipas Predrag Petroviqit, nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, autoritetet serbe e arsyetojnë rikthimin e shërbimit ushtarak me përkeqësimin e situatës së sigurisë në rajon dhe në Evropë.

“Megjithatë, ky argument nuk qëndron, sepse rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak është paralajmëruar prej gati dhjetë vjetësh”, thotë Petroviq.

“Kjo nuk është një ide e re që lindi si pasojë e luftës në Ukrainë apo zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Serbia, thjesht, është përballur me një largim masiv të ushtarakëve të të gjitha profileve”, shton ai.

Kur njoftoi se Serbia do ta rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se kjo “do t’i forcojë edhe më tej kapacitetet tona mbrojtëse”.

Ushtria e Serbisë – një vend që në fund të vitit 2007 shpalli neutralitetin ushtarak përmes një rezolute parlamentare për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues – u bë zyrtarisht profesionale në fillim të vitit 2011.

Kjo ndodhi pasi hyri në fuqi vendimi i Kuvendit për pezullimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Që atëherë, shërbimi i detyrueshëm me armë u zëvendësua me shërbimin vullnetar, ndërsa radhët e ushtrisë filluan të plotësoheshin me ushtarë dhe oficerë profesionistë.

Bosnje dhe Hercegovina mbetet me ushtri profesionale

Bosnje dhe Hercegovina nuk është duke shqyrtuar rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Forcat e sotme të Armatosura të Bosnje dhe Hercegovinës u krijuan në vitin 2006, pas reformës së mbrojtjes dhe bashkimit të strukturave të mëparshme ushtarake në një ushtri të vetme profesionale.

Megjithatë, ministri i Mbrojtjes i Bosnje dhe Hercegovinës, Zukan Helez, nisi në vitin 2025 një nismë për krijimin e një rezerve ushtarake, e cila do të përfshinte jo vetëm ish-ushtarakë, por edhe profesionistë si: inxhinierë, mjekë dhe personel tjetër mjekësor.

Nisma e tij erdhi pasi Kroacia dhe Serbia vendosën rikthimin e stërvitjeve të detyrueshme ushtarake, ndërsa entiteti i Republikës Sërpska filloi procedurat për krijimin e forcave rezervë të policisë.

“Kur flasim për Bosnje dhe Hercegovinën, ajo ka mbetur pas. Ligji ynë për mbrojtjen ka pësuar ndryshime minimale, ndërsa Strategjia e Sigurisë daton nga viti 2006. Të gjitha këto dokumente strategjike janë tashmë të vjetruara”, thotë Xhebiq.

Por, në sistemin kompleks administrativ të Bosnje dhe Hercegovinës, çdo ndryshim varet nga “marrëveshja politike”.

“Në Bosnje dhe Hercegovinë ende nuk e dimë se çfarë duam të bëjmë me Forcat e Armatosura. Ato janë institucioni më i madh shtetëror dhe punësojnë rreth 11.000 persona”, thotë Xhebiq.

Aktualisht, ushtria mbetet profesionale, pa ndryshimet që po i zbatojnë vendet e tjera të rajonit.

Sipas Xhebiqit, e vetmja nismë konkrete e Ministrisë së Mbrojtjes është krijimi i një sistemi rezervë.

“Ushtrisë i mungojnë arkitektët, inxhinierët e ndërtimit, mjekët. Pagat që ofron nuk mund të krahasohen me ato në sektorin privat”, thotë ai.

Rregullorja për rezervën ushtarake do të mundësonte, për shembull, që një mjek të thirrej në shërbim ushtarak, ndërsa statusi i tij do të rregullohej në koordinim me punëdhënësin.

Për të gjitha këto reforma, thotë Xhebiq, Bosnje dhe Hercegovina gëzon mbështetjen e NATO-s dhe të misionit evropian, EUFOR.

Modeli finlandez në Kosovë

Kosova, e cila ka Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) si ushtri profesionale, po shqyrton jo rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, por zbatimin e një modeli të mbrojtjes gjithëpërfshirëse, të ngjashëm me atë të Finlandës dhe vendeve baltike.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha në fund të majit se për Kosovën është “më e mençur” të ndërtojë një sistem të mbrojtjes gjithëpërfshirëse sesa të vendosë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, të cilin e ka premtuar prej kohësh.

“Është një model i ngjashëm me atë të Finlandës dhe vendeve baltike, ku nuk krijoni një ushtri si një grup të madh njerëzish që më pas duhet ta organizoni dhe pajisni, por përcaktoni funksione dhe detyra konkrete, si dhe role të caktuara për qytetarët në rast të rreziqeve të ndryshme – nga fatkeqësitë natyrore deri te konfliktet e armatosura”, tha Kurti.

Në shtator të vitit 2024, Qeveria e Kosovës miratoi Programin Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse, i cili synon ta përgatisë shtetin për t’u përballur me kërcënime të sigurisë, sulme dhe fatkeqësi natyrore.

Programi parashikon rritjen e qëndrueshmërisë së shoqërisë përmes trajnimit të qytetarëve, zhvillimit të rezervës, forcimit të mbrojtjes ndaj kërcënimeve hibride dhe futjes së një lënde të re në shkollat e mesme.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë mandatit të kaluar qeveritar, është bërë një analizë për të përcaktuar se cili koncept i mbrojtjes i përshtatet më mirë Kosovës.

“Arritëm në përfundimin se koncepti i mbrojtjes gjithëpërfshirëse është shumë i përshtatshëm, i domosdoshëm dhe njëkohësisht nuk krijon kosto të mëdha financiare”, thotë Maqedonci.

Ai shton se ky model ndërton një sistem të gjerë mbrojtjeje në nivel shoqëror dhe institucional, pa i detyruar të rinjtë të kryejnë shërbim ushtarak për një periudhë të caktuar.

“E kemi shmangur shërbimin e detyrueshëm ushtarak për t’i mundësuar Kosovës të vazhdojë zhvillimin ekonomik, pra pa e penguar atë, duke i mbajtur qytetarët tanë të angazhuar në fusha të tjera dhe, në të njëjtën kohë, duke forcuar sistemin mbrojtës të vendit”, thotë Maqedonci.

Ky sistem hap rrugë edhe për përfshirjen e vullnetarëve, organizatave joqeveritare dhe individëve në përgatitje dhe trajnime.

“Ne vazhdojmë të mbajmë një forcë profesionale, Forcën e Sigurisë së Kosovës, me 5.000 pjesëtarë aktivë dhe 3.000 rezervistë, por, në të njëjtën kohë, po zhvillojmë edhe rezervën vullnetare, e cila do të jetë në shërbim dhe mbështetje të FSK-së, nëse paraqitet nevoja”, thotë Maqedonci.

Modeli finlandez, në thelb, është një strategji për mobilizimin e të gjithë shtetit në rast lufte.

“Parimi i mbrojtjes totale në Finlandë do të thotë se mbrojtja jonë varet nga mbështetja e fortë e gjithë shoqërisë”, deklaroi ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Hakkanen, pas miratimit të raportit qeveritar për mbrojtjen në dhjetor të vitit 2024.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes së Finlandës, më shumë se 80 për qind e finlandezëve mbështesin sistemin aktual të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Po vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor?

Sa u përket vendeve të tjera të rajonit, modeli aktual i shërbimit ushtarak mbetet, për momentin, i pandryshuar.

Mali i Zi e shfuqizoi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2006.

Që nga viti 2019, ai ofron një shërbim vullnetar tremujor, i cili u hap rrugën kandidatëve për t’iu bashkuar ushtrisë profesionale prej rreth 2.400 pjesëtarësh.

Si anëtar i NATO-s që nga viti 2017, Mali i Zi ndau vitin e kaluar një rekord prej 2.05% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen.

Megjithëse shërbimi i detyrueshëm ushtarak është shfuqizuar, ministri i Mbrojtjes i këtij vendi, Dragan Krapoviq, dhe ministria që ai drejton nuk e përjashtojnë mundësinë e rikthimit të tij.

Por, theksojnë se një vendim i tillë do të kërkonte një analizë të detajuar, një konsensus të gjerë politik dhe, mbi të gjitha, mbështetjen e opinionit publik.

Maqedonia e Veriut e shfuqizoi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2006 dhe kaloi në një ushtri profesionale.

Sot, ushtria e saj numëron rreth 7.000 pjesëtarë, përfshirë forcat aktive dhe rezerviste.

Aktualisht, nuk ka plane zyrtare për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Si anëtare e NATO-s që nga viti 2020, Maqedonia e Veriut vazhdon t’i përmbahet modelit të ushtrisë profesionale, ndërsa qytetarëve u ofrohet mundësia e një trajnimi ushtarak vullnetar tremujor.

Edhe Sllovenia, anëtare e NATO-s që nga viti 2004, e shfuqizoi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2003 dhe kaloi në një ushtri profesionale.

Në mbarë Evropën janë të dislokuar më shumë se dy milionë ushtarë aktivë të vendeve anëtare të NATO-s.

Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, Aleancës i janë bashkuar edhe Finlanda dhe Suedia./ REL

Next Post
Polemika para emërimit, shkak lidhja e Pirlos me kompaninë e basteve në Rusi

Polemika para emërimit, shkak lidhja e Pirlos me kompaninë e basteve në Rusi

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Sonte shkruhet historia, Kristian Prenga sfidon Anthony Joshua-n në duelin më të madh të boksit shqiptar

Sonte shkruhet historia, Kristian Prenga sfidon Anthony Joshua-n në duelin më të madh të boksit shqiptar

July 25, 2026
Digjet mali i Çipinit, era e fortë përkeqëson situatën e zjarreve, autoritetet thirrje banorëve të zonës: Tregoni kujdes

Digjet mali i Çipinit, era e fortë përkeqëson situatën e zjarreve, autoritetet thirrje banorëve të zonës: Tregoni kujdes

July 25, 2026
“Paraja fizike nuk do duhet më në vitin 2036”, deklarata e Elon Musk ndez debat për të ardhmen e ekonomisë

“Paraja fizike nuk do duhet më në vitin 2036”, deklarata e Elon Musk ndez debat për të ardhmen e ekonomisë

July 25, 2026
Ka hyrë protesta në rutinën e saj?

Ka hyrë protesta në rutinën e saj?

July 25, 2026
“Kosova është pjesë e Serbisë”, mesazhi i Vuçiç për ushtrinë! Sulmon edhe aleancën ushtarake mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë

“Kosova është pjesë e Serbisë”, mesazhi i Vuçiç për ushtrinë! Sulmon edhe aleancën ushtarake mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë

July 25, 2026
Spanja e Franca vijojnë betejën me flakët, shkon në 270 mijë numri i personave të evakuuar

Spanja e Franca vijojnë betejën me flakët, shkon në 270 mijë numri i personave të evakuuar

July 25, 2026
Analiza satirike e Gjekmarkajt: Babua dhe Besën, tani Shqipëria do dalë në selamet! Braçja ‘derdhi gotën’, dreq o punë, rënkoi Tao

Analiza satirike e Gjekmarkajt: Babua dhe Besën, tani Shqipëria do dalë në selamet! Braçja ‘derdhi gotën’, dreq o punë, rënkoi Tao

July 25, 2026
“65 mijë minoritarë në Shqipëri”/ PS kërkon që Dropulli, Finiqi dhe Pusteci të mos preken nga Reforma Territoriale

“65 mijë minoritarë në Shqipëri”/ PS kërkon që Dropulli, Finiqi dhe Pusteci të mos preken nga Reforma Territoriale

July 25, 2026
“Në pushtet nuk vihet me broçkulla”, Spaho përgënjeshtron Berishën pas deklaratave se ndaj protestuesve u përdorën lëndë kimike

“Në pushtet nuk vihet me broçkulla”, Spaho përgënjeshtron Berishën pas deklaratave se ndaj protestuesve u përdorën lëndë kimike

July 25, 2026
Ajo që zbuloi “Artemis II” në tokë

Hendeku që “Besa” duhet të mbyllë

July 25, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In