Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka rrëfyer jetën e tij në 360 gradë, nga rinia dhe familja, politika dhe sfidat, profesioni dhe pasionet.
Në emisionin “Elevate” me Floriana Garo, ish-presidenti dhe kryeministri ndau dekadat e karrierës së tij politike e jo vetëm, duke kombinuar historitë e jetës familjare me atë të braktisjes së profesionit të mjekut për të zgjedhur politikën si një rastësi e madhe dhe që nuk e kishte menduar kurrë më parë.
Berisha duke iu kthyer viteve më përpara në politikë, u shpreh se në 1997 u rrëzua nga pushteti nga rebelimi komunist, njerëz të cilët i mundi, shtoi ai me votë të lirë në vitin 2005. Të njëjtën Berisha beson se ende do ta bëjë me një rikthim të tretë në pushtet, po me votën e lirë.
Duke folur për vitin 2021, kryedemokrati atëherë i zgjedhur deputet, tha se non-grata e SHBA me anë të Blinken ishte një rrufe në qiell të hapur.
Më tej, Berisha tha se pika e kthesës për kthimin e tij ishte kërkesa për moslejimin e tij për t’u futur në parlament.
“Kisha jetuar në diktaturë, një nga mësimet ishte se qëndrimi në kohë të gjatë në karrige nuk është i dobishëm për vendin. Edhe sot e mendoj. Kam dhënë dorëheqjen. Pa ndonjë keqardhje të madhe. mendova se unë përmbusha.”
“Ishte një rrufe në qiell të hapur. Më kishte thënë Rama po censurohesh, se ke dekonspiruar kundër politikës së jashtme SHBA. Vendimi ishte për korrupsion dhe minim të demokracisë. Ishte një fyerje e rëndë dinjitetit tim. Ishte beteja për dinjitetin tim. Kur ata kërkuan të mos hyj në parlament. atë se bënë dot. Kur në tërbim, Yuri Kim bënte çdo gjë që të kontrollonte Lulzim Bashën si kryetar partie. Kjo nuk mund të ndodhte. U vendosëm në një izolim të paprecedent. Nga burokratë të korruptuar europianë dhe botëror. Ne ia dolëm dhe do ia dalim. Është kauzë e drejtë.”
“Për të qenë i suksesshëm duhet të ketë moral dhe empati. Jashtë moralit dhe empatisë e kam të vështirë të mendoj. Mund të kesh sukses por do jesh problem i madh” thekson Berisha.
Nga fëmijëria në Malësinë e Gjakovës, vitet e formimit dhe pasionet e hershme, deri te rrugëtimi si gjimnazist në Tiranë dhe studimet në Mjekësi, Berisha rrëfen momentet që kanë ndikuar në formimin e tij njerëzor dhe profesional. Ai ndalet edhe te njohja me bashkëshorten, krijimi i familjes dhe përjetimi i rolit të babait, një dimension intim, i rrallë për publikun.
Intervista vijon me hyrjen në politikë, sfidat e mëdha të drejtimit të vendit, përjetimet si President dhe Kryeministër, vendimet e vështira, dorëheqjen dhe rikthimin në skenën politike.
“Nuk e kisha menduar ndonjëherë se mund të merresha me politikë. Dhe në atë kohë çdo lloj kundërshtimi mund të vinte me pasoja nga më të paimagjinueshme. Por pasojat më të rënda do i paguanin fëmijët dhe gruaja. Pra çmimi në atë kohë ishte i madh”, rrëfeu ai.
Por çfarë e nxiti Berishën që të ndiqte rrugën e politikës, pasi pranon se kishte informim vetëm për çështjet e Kosovës, për shkak të familjes së tij.
“Na mungonte dinjiteti njerëzor, sepse ne tjetër mendonim dhe tjetër flisnim, ishte imponuar njeriu diktaturë. Ne diskutonim me miqtë gjithçka kundër, por kur shkonim në kolektiv, flisnim të gjithë ndryshe. Im atë për shembull fliste gjithmonë ato që mendonte. Për sa i përket situatës, një nxitje e madhe për mua ishte uria e shqiptarëve. Ishte uria kronika, 75% e shqiptarëve ishin me uri kronike, me sëmundje nga më të ndryshme. Ishte vetëm buka e misrit. Kjo ishte nxitje e madhe për mua, se kaloi në barbari. Në 1988 thanë se po hapeshin dhe i dhanë fshatarëve një qingj e një kec, një për vete e një për kooperativën. Degradim total. Vendimi i përfshirjes në politikë ishte më i vështiri, më i rëndësishmi, sepse më mori shumë kohë. Ramiz Alia në pamje dukej tolerant, por në të vërtetë ishte një marksist-leninist i bindur”, rrëfen kreu i selisë blu.
I pyetur nëse ishte një vendim i vështirë braktisja e profesionit, ai e pranon, por nuk mund të qëndronte i heshtur përballë asaj situate. Berisha ka rrëfyer edhe vizionin e tij të parë politik, që ishte “Shqipëria si Evropa”.
“Kurrë s’e kisha menduar, unë isha mjek dhe isha i lidhur me të, ishte profesion shumë i bukur. Në atë kohë i gjithë formimi im politik ishte çështja kombëtare, Kosova. Ajo që kishte ndikuar familja tek unë, më shumë se çdo gjë tjetër, ishte Kosova. Kosova ishte brenga e tyre e madhe. 70% të bisedave ishin për Kosovën, sepse pas 45 u ndanë më shumë. Ata flisnin për shitje, unë mendoja dhe thoja e bënë rusët ndarjen, por ata thonin jo, ia bëmë vetes. Ata flisnin për gjithçka për të dhe ndaj i gjithë formimi im ishte për Kosovën. Vizioni im i parë për Shqipërinë kur nisa politikën ishte “Shqipëria në Evropë”. Nuk kam menduar se do ishte një udhëtim i shkurtër”, u shpreh ai.
Një tjetër shkak që Berisha zgjodhi politikën ishte edhe indoktrinomi i popullit në atë kohë nga regjimi diktatorial, madje e krahasoi me “akullnajë” dhe “njerëz të hekurosur nga regjimi”.
“Unë shqiptarët në kohën e regjimit i mendoja si njerëz të hekurosur nga regjimi, si akullnajë. Psikologjia kombëtare në atë periudhë më dukej si akullnajë dhe synimi ishte të shkrinim akullin, se ndryshe shkoje në konflikt. Ishte rënia e Enver Hoxhës dhe ata ishin të indoktrinuar, mijëra shqiptarë rrëmbyen armët, ashtu e mendonin ata, u mobilizuan, ishin të indoktrinuar, kalonin orë të tëra me bust në krah, sikur të ishte gjallë. I tillë ishte indoktrinomi i tyre”, tha ai.
Rinia e Berishës, njohja me Lilin, martesa, familja dhe fëmijët
Berisha rrëfeu edhe pasionet e rinisë, lidhjen me Lirinë, martesën, fëmijët dhe qëndrimi larg tyre për shkak të punës. Ai tha se “Lili ishte fati im”, duke e cilësuar më të rëndësishmen e jetës së tij.
“Lili ishte fati im. Një vit e gjysmë, dy pas njohjes u martuam. Nuk kemi bërë dasmë. Jo, nuk kemi bërë, kushtet ishin të atilla. Ishte nga një familje me tradita, edhe prindërit e mi e donin shumë, Ishim të dy mjekë. Ajo ishte më e zënë, se përveç punës kishte edhe shtëpinë. Ajo e kishte me pasion mjekësinë, por unë i sugjerova pediatrinë. U dashurua me profesionin e vetë, e donte shumë, sepse fëmija i pasqyron gjërat më shumë se i rrituri, ndaj ajo është e dashuruar me profesionin e vetë. Me gjithë dëshirën që kisha për ta ndihmuar, nuk e ndihmoja dot. Dhe shikoja vjehrrën time që i kërkonte të birit të njëjta gjëra si kërkesat që kishte ndaj vajzave dhe e shikoja si pozitive këtë gjë”, tha kryedemokrati.
“Me fëmijët isha shumë i lidhur, por nuk kisha shumë kohë. Dhe përpiqesha që ta kompensoja me sa të mundesha. Kemi bërë pushime brenda vendit, kemi shkuar në Tropojë, por vendim im i preferuar për pushime ishte Pogradeci. Kemi shkuar 13 vera radhazi atje me familjen, ku ishim me një familje mikëpritëse pogradecare. Shkoja me fëmijët atje, ishte vendi im i preferuar, jetë e qetë familjare. Fëmijët nuk i kam ndikuar në zgjedhjet e tyre, doja t’u sugjeroja edhe mjekësinë, por nuk i kam ndikuar. Të dy u shkolluan në Tiranë dhe bënë masterat jashtë në degët e tyre. Argitës nuk i dhanë më 1990 të drejtën për Juridik dhe më 1991 kaloi nga Biologjia te Fakulteti Juridik. Edhe Shkëlzeni ndoqi rrugën e drejtësisë gjithashtu, Avokatinë, sepse ishte trend në atë kohë”, rrëfeu ai.
Berisha: Nuk e njihja ekonominë e tregut, rroga si president 16 dollarë
Berisha rrëfeu edhe ditët e para të funksionit të tij si President, kalimi i vështirësive social-ekonomike të vendit nëpërmjet tranzicionit total dhe atij politik, ku qytetarët vuanin varfërinë.
Ai pranon se nuk kishte njohuri për ekonominë e tregut dhe është dashur ndihma e amerikanëve me trajnime, deri në stabilizimin e ekonomisë së brendshme dhe zgjerimit të sipërmarrjes private.
“Rroga ime si president ishte 16 dollarë, e shqiptarëve 4-6 dollarë. Ndërhynë dhe amerikanët që na ndihmuan në atë kohë, sikundër edhe me Entin e Banesave. Kisha edhe këshilltarë. Nuk kisha njohuri për ekonominë e tregut. Erdhën edhe përfaqësues amerikanë, na bënë kurse 2-3 mujor për tregun, se ne nuk kishim në atë kohë. Në atë situatë ishte vendi. Nisëm me stabilizimin e monedhës dhe me të ardhurat kryesore nga ekonomia private, sikurse edhe taksat më të ulëta. Filozofia ekonomike e Reganit më frymëzonte në atë kohë. E para, ishte antikomunist, e shpalli komunizmin si të keqe të madhe, u impresionova prej tij. Nuk ka më keq se të pengosh tjetrin të besojë Zotin. Edhe babanë e kisha shumë besimtar dhe gjithmonë thoshte se ashtu si e kishte bërë Enver Hoxha, as Zoti nuk na ndihmonte dot”, rrëfeu ai.
Një tjetër pjesë e karrierës së tij politike, ishte vizita në Shtëpinë e Bardhë në SHBA për herë të parë.
“Kur shkova për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë kisha emocion sigurisht, ishte takimi i parë, por përsëri Kosova dominoi aty. Ku denoncova faktin se plani serb ishte të dëbonin gjysmën e kosovarëve drejt Rrafshit të Dukagjinit dhe u thashë se kjo nuk mund të ndodhte. Kam ruajtur raporte me ish-presidentin Bush, ka ardhur dy herë dhe kam shkuar për vizitë gjithashtu në Huston, Teksas bashkë me Lilin”, tha Berisha.
Njohja me Nënë Terezën dhe bisedat me të
Berisha rrëfeu edhe njohjen me nënë Terezën, kur e pa për herë të parë, takimi dhe bisedat me bamirësen e madhe shqiptare.
“Nënë Terezën e kam njohur kur kam qenë mjek dhe isha i mahnitur prej saj, pasi kisha parë dokumentarin nga një televizion italian se si ajo merrej me njerëzit lebrozë, me të gjithë të sëmurët, i merrte, i mjekonte dhe si mjek më bënte përshtypje të jashtëzakonshme se si ajo gjente forcë aty ku mjekësia nuk hynte dot dhe i kishte braktisur. Dhe e gjeta se ajo forcën e kishte te përqendrimi. Doja ta kuptoja se ku qëndronte forca e saj dhe ajo ishte përqendrimi. Dashuria ishte gjithçka, dashuria dhe Krishti, ishte shkopi magjik i saj, Leva e Arkimedit e saj. E ftuam për drekë me Lilin, gatoi Lili për të, por nuk e hëngri. E mori për të motrën, tha ma paketoni se do ia dërgoj asaj”, rrëfeu kreu i selisë blu.
Berisha tregoi edhe detajin se si nënë Tereza erdhi në Shqipëri dhe vlerësimi i saj me Urdhrin e Nderit.
“Më mori e më tha se do vinte në Tiranë, do uronte për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës. E nderova dhe me urdhrin Nderi i Kombit”, tha Berisha.
Por kush janë momentet me të dashura të Berishës:
“Momentet më të dashura familjare për mua kanë qenë lindja e fëmijëve, martesat e tyre dhe fëmijët e tyre. Këto kanë qenë më të veçantat për mua. Kemi ruajtur një traditë ku çdo fundjavë ne e kalojmë të gjithë bashkë, përveçse kur nuk ndodhemi këtu. Dhe kjo mbetet, e kemi traditë dhe bën diferencë”./MAPO/











