• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, February 28, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews

Nga ndërtimet individuale tek peisazhi historik urban

by
04/08/2015 13:29
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Debati për arkitekturën dhe modernitetin, shpesh neglizhon termat urbane si ndryshimet shoqërore, dijet, transmetimi i memorjes vendore, në favor të stilit ndërkombëtar. Megjithëse ky proçes ndodh në mjaft vende sot, ne duhet të dimë që disa prej tyre sillen më mirë se disa të tjera, në raport me ruajtjen e trashëgimisë, për një bashkëekzistencë me materialin ekzistues…

Nga Ark. Arben Biçoku

Ruajtja e peizazheve historike urbane është një temë mjaft e rëndësishme në reflektimet e zhvilluesve urbanë. Ka diferencë në sjelljen e tyre nëse ata janë progresive apo konvencionalë, në emër të ruajtjes fizike dhe vizuale të origjinalitetin ose për arsye të zhvillimit ekonomik.

Shkalla dhe intensiteti i raporteve dhe debateve janë një tregues i një gjendje të sëmurë që shkon përtej ndikimit të thjeshtë vizual në këtë çështje. Debati në formë, në fakt, maskon transformimin e thellë dhe të  shpejtë të zonave historike urbane të cilat tërheqin spekulatorët e shumtë që veprojnë në fushën e pasurive të patundshme, kur vlera e tyre është e njohur, duke projektuar konfigurimin gjeometrike të zonave qendrore, në zemrat e vjetra  organike urbane.

Lënda e këtij debati është dendësia, layout-i (shtrirja), stili arkitektonik, prezenca e fortë e një infrastrukture të re tashmë.  Memorandumi i Vjenës ( ËHC, 2005) ka hapur reflektime  në integritetin e peizazh urban historik, që është shprehje e një substance shoqërore  themelore sa i përket  formës urbane,  dhe strukturave të ndërtuara.

Nga Rekomandimet e  UNESCO-s të vitit  1968 për  Pronat Kulturore deri tek Memorandumi i Vjenës i vitit 2005, ne kemi  lëvizur nga “pronësia mbi trashëgiminë” në një kontekst të territorit dhe peizazhit. Konceptet origjinale të konservimit, restaurimit dhe ruajtjes i kanë hapur udhë  një pranimi të ndryshimit të përhershëm, njohur si një nga traditat e qytetit.

Nëse marrja në konsideratë e qytetit, arkitekturës së tij të brendshme dhe evoluimi i tij shoqëror korrespondon ngushtë me frymën e maturimit të ngadalshëm të shtresave urbane, rezultatet e projektimit përmes kompjuterit dhe marketingut arkitektonik  janë shqetësuese, me tendencën e tyre formale për shkëputje nga e kaluara dhe kërkesën e tyre për të imponuar veten.

Debati për arkitekturën dhe modernitetin, shpesh neglizhon termat urbane si ndryshimet shoqërore, dijet, transmetimi i memorjes vendore, në favor të stilit ndërkombëtar. Megjithëse ky proçes ndodh në mjaft vende sot, ne duhet të dimë që disa prej tyre sillen më mirë se disa të tjera, në raport me ruajtjen e trashëgimisë, për një bashkëekzistencë me materialin ekzistues.

Aktualisht në Shqipëri shohim një kulturë kontradiktore, edhe të ruajtjes së trashëgimisë, por dhe të dëmtimit për hir të interesave spekulative të zhvillimit. Ka tendenca të ruajtjes që shkojnë nga ndërtimi individual tek peizazhi, përmes paraqitjes së instrumenteve të veprimit dhe adaptimit të stimujve financiarë, për shembull, për restaurimin e hapësirave të banimit në qendrat historike të qyteteve.

Për të ndërhyrë në qendrat historike të qyteteve, për ti adaptuar ato me nevojat tona të sotme është më treguese mënyra e të menduarit se sa metodologjia.

Koncepti për ruajtjen e vendeve të kujtesës në të cilat projektet e zhvillimit janë të realizueshme përfshin kërkimin, rregulloret planifikuese, të menaxhuara nga autoritetet e qytetit apo ato shtetërore, sikurse dhe paraqitjen e përfitimeve në drejtim të strehimit. Ky koncept, korrespondon me trendin në drejtim të politikave të zhvillimit dhe atyre të trashëgimisë.

Ky diskutim sjell në vëmendje metodat aktuale dhe praktikën në Shqipëri, duke demostruar që konservimi ose zhvillimi në një sit varet nga bashkëveprimi kompleks i aktorëve të ndryshëm dhe mënyrës së veprimit që shkon përtej instalimit të një zone bufferike (mbrojtëse). Mënyra se si lejet zhvillimore menaxhohen dhe kontrollohen është vetëm njeri aspekt i përtëritjes urbane, arkitektonike dhe shoqërore.

Që në fillimet e tij (1913) shteti i ri shqiptar vendosi rregulla për ndërtesat që paraqisnin vlera. Nga ajo kohë janë inventarizuar mjaft objekte si ndërtesa monument kulture, dhe kanë qenë objekt i mbrotjes, konservimit, restaurimit, në përputhje me gjendjen e tyre fizike si dhe me vlerat që paraqesin.

Arsyetuar në një shkallë globale, dhe parë më tepër si një çështje kulturore se sa si një problem ekonomik, monumentet dhe arkitektura e trashëgimisë nuk konsiderohen më në risk në mjaft vende, megjithëse ne duhet të jemi gjithnjë vigjilentë, dhe idetë tona mund të bien ndesh me shfaqjet teorike tipike për çdo vend, ose me shkollat e mendimit.

Në këtë shkrim kujdesi fokusohet më tepër në mjedisin e ndërtuar rrethues se sa në monumentin në vetvete, në këtë përzierje shumëngjyrëshe moshash, stilesh, në pamjet e ndryshme që formësojnë peisazhin dhe këto ansamble urbane që i përgjigjen lëvizjeve projektuese, që ndajnë hapsirën, dhe planeve të ndryshme rregulluese në kohë.

Ne kemi lëvizur nga menaxhimi i thjeshtë në një përqasje shumë komplekse në drejtim të mbrojtjes së trashëgimisë. Në avancimin e konceptit të strukturave individuale në tërësinë e peisazhit ne konfrontohemi midis të tjerash me vendet dhe stilet e jetesës. Duke ruajtur dhe valorizuar disa zona të caktuara, në të njëjtën kohë ne njohim dhe transmetojmë vendet e memorieve në diversitetin e tyre të pasur, por marrim gjithashtu parasysh dhe jetën e përditshme dhe zhvillimin e qytetit. A mundet që menaxhimi dhe instrumentet e veprimit të përshtaten me ndryshimet shoqërore apo thjesht keqkuptohen, konfuzojnë stilet në raport me substancën?

31613235

Nga ana tjetër, koordinimi dhe kontrolli nga një ndërtim individual, gjykohen nga një sistem kompleks, që nënkupton pjesëmarrje me aftësi të një niveli të caktuar.

Trashëgimia e ndryshme, komplekse, apo e zakonshme, por që ka interesa gjithsesi, sot nuk mund të menaxhohet vetëm si objekt simbolik dhe i jashtëzakonshëm. Përgjatë kohës ne duhet të krijojmë një mënyrë tjetër të të parit të gjërave, një tjetër mënyrë të sjellim me të tjera instrumente, në një përqasje më globale. Një lexim historik, me një estetikë të vetme dhe me kulturë, nuk është e vetmja mënyrë, sepse megjithëse qyteti është një proces krijimi artistik, ai nuk është vetëm i tillë; dhe sepse nëse qyteti është një proces social, ai nuk është vetëm i tillë.

Ne jemi të vetëdijshëm që në këtë qytet, një akumulim trashëgimie të prekshme dhe jo të prekshme, është e vështirë që të konservohet. Por ne tashmë e dimë që qendrat historike janë de facto  strehimi i situatave më të varfëruara, më të thyeshme, strehë e mjaft të ardhurve.  Por nga ana tjetër, qendrat historike mund të gjenerojnë zhvillim duke mbledhur shtresat më të pasura e më të kultivuara së bashku.

Rrjedha e kohes ka lejuar maturimin e ngadalshëm të qytetit dhe vendosjen e mekanizmave mbrojtëse, shpesh në përgjigje të ngjarjeve. Disa lidhje të peizazhit historik ose zinxhirit të monumenteve kane fuzionuar/bashkëvepruar, duke krijuar një zonë perimetrale mbrojtëse duke konfrontuar ose kompletuar konceptin e zhvillimit, të padukshëm nga mbrojtja.

Megjithëse përgjate kohës konservimi dhe zhvillimi janë në gjendje të lidhin sasioren me cilësoren, ndarja e punës dhe krijimi i profesioneve të shumta ndryshojnë zakonet e njerëzve.

Arkitekti dhe urbanisti që 25 vjet me parë ishin të lire të zgjidhnin një metodë konservimi ose zhvillimi, tani, më së shumti mund të udhëheqin një ekip me profesione të përziera, zakonisht asgjë më shumë se një ndër ekipet e shumtë që luajnë në skenën e madhe të qyteti.

Shembujt e mëposhtëm e ilustrojnë këtë ide:

Prishja e Xhamisë së Karapicëve për ti hapur vendin ndërtesës së Bashkisë së Tiranës dhe më pas prishja e kësaj ndërtese për ti lënë vendin ndërtesës së Muzeut Historik Kombetar.

Prishja e Pazarit të Tiranës për ti hapur vendin Pallati te Kulturës.

Ideja e prishjes së ndërtesës së Piramidës (e shndërruar dhe në ligj parlamenti) për ti lënë vendin ndërtesës së re të Parlamentit të Shqipërisë.

Prishja e ndërtesave të Kinema 17 Nëntorit, Kinema Partizanit, Kinema Republikës (Mileniumit), për ti lënë vendin pallateve shpesh dhe të shëmtuar ose pa vlera të spikatura.

Këto shembuj hedhin dritë në evolucionin e mendimit tonë, apo në daçi skizofrenisë sonë sa i përket trashëgimisë. Ne ndoshta duhet të mendojmë se në cilën anë të mendimit duhet të pozicionohemi.

Sipas Fatos Lubonjës, njeri ndër njerëzit më aktivë në shprehjen e mendimeve mbi këto koncepte:

“… arkitektura dhe urbanistika që kemi ndërtuar këto njëzet vjet flet (për të mos thënë ulëret) për njerëz që nuk dinë të harmonizojnë interesin e ngushtë personal me atë të shoqërisë, oborrin e vogël me oborrin e madh. Ajo flet për njerëz që nuk dinë të kuptojnë, se historia që përmban arkitektura e një qyteti, gjelbërimi i tij, hapësirat publike dhe peizazhi i tij urban rrit atë që quhet “cilësi e jetës” së tyre. Nuk mund të fajësoj tërë qytetarët e Tiranës, por them se sigurisht, po të kishte ekzistuar një kulturë tjetër, horroret që janë bërë nuk do të kishin ndodhur. Por përgjegjëse kryesore, gjithsesi, mbetet një pakicë injorantësh, të babëziturish dhe manipulatorësh që, për të ndërtuar “oborrin” e tyre, kanë shkatërruar qytetin.

Ajo çfarë kemi prodhuar është kaosi, shëmtimi, zhurma, ndotja – jo thjesht në kuptimin fizik, por edhe në kuptimin e gjendjes shpirtërore që të përçon kryeqyteti, të marrëdhënieve negative njerëzore që ai stimulon. Ajo për çka ka nevojë kryeqyteti sot është para së gjithash rikuperimi i çfarë mund të rikuperohet në aspektin e këtyre dëmeve. Urbanistët duhet të bëjnë përpjekjen mbinjerëzore që të krijojnë pak “rend” në këtë kaos, pak harmoni në këtë zhurmë, pak hapësirë në këtë denduri, pak bukuri në këtë shëmtim, pak gjelbërim në këtë çimentifikim dhe jo ta vazhdojnë atë, siç kam sinjale se po duan të bëjnë.” (Plani urbanistik, Lubonja: Një kancer me metastaza. Gazeta SHQIP 21 shtator 2012).
Artan Fuga një tjetër mendimta në terrenin shqiptar hedh tezën e tij: Qyteti është një tenxhere e mbushur me agresivitet që valon.
Arkitekti Edgar Frashëri, nga të paktet zëra kritikë të këtyre kohëve, kur flet për Durrësin thotë: Ky … është TURP PUBLIK qe duhet ta ndjeje cilido banor i këtij vendi kudo qoftë kur dëgjon të tilla bëma…  Por me vjen keq se jam lindur në këtë qytet, dhe një nga arsyet që jam larguar prej tij, ka qenë pikërisht se mu shterrën bateritë dhe humbën shpresat se durrsaket mund të kishin nerv për të mbrojtur identitetin e qytetit te vet. Shqipëria historikisht ka prodhuar më shumë Baloza të zinj sesa ndonjë Gjergj Elez Ali. Si e tillë, prandaj edhe i ka kënduar me shume një trimërie e cila ka mbetur ne legjende, sepse faktet deri në ditët e sotme tregojnë të kundërtën. Kështjellat tona nuk na i ka prishur armiku i jashtëm, por ne vete, sepse nuk kemi bere aq lufte sa të na shkatërroheshin ato. Bota përtej i ka ruajtur me fanatizem. Sepse është vete populli qe i ruan. Pra po dëshmojmë se jemi popull i pacivilizuar, i dhunshëm dhe i pafè. Ne fillimet e viteve 1990 e shihja gotën gjysëm plot. Tani e shoh gati fare bosh.

Një arsenal ligjor që takon sfidën e mbrojtjes së trashëgimisë urbane dhe promovimit të zhvillimit.

Nga mesi i shekullit 20 deri me sot, gjithnjë ka pasur një paralele midis planeve të zhvillimit dhe politikave të konservimit të trashëgimisë.

Kjo përmbajtje, që paraqet interes gjerësisht, u bë e prekshme kur ne krijuam strukturat mbrojtëse (1964 IMK), kohë që përkon dhe me zhvillimi dinamike urbane si pasojë e industrializimit të vendit. Por kjo u bë mjaft delikate pas viti 1991 kur filloi lëvizja e lire e popullatës dhe urbanizimi i shpejtë i qyteteve tona kryesore. Pas këtij viti dhe sidomos pas vitit 2000 ne hasim dëmtime të forta të qendrave të qyteteve në emër te zhvillimit dhe rritjes së mirëqenies.

Transformimi urban është ne axhendën e tërë vendeve europiane, duke kulmuar me formulimin e teorive planifikuese me kompleksitet të lartë . Në këto përpjekje veç arkitektëve përfshihen inxhinierë, gjeografë, teknicienë të ndryshëm, artistë, të cilët fillojnë të mendojnë për planifikimin.

Ligji i mbrojtjes së peizazhit tek ne është një ligj i munguar. Legjislacioni për parqet nuk trajton peisazhin si një harmoni midis peizazhit natyror dhe peisazhit te ndertuar.

Një hallkë e dytë në zinxhirin e trashëgimisë është mbrotja e monumenteve historike.

Ligji “Për trashëgiminë kulturore „  nr. 9048, date 07.04.2003, ne Neni 29 te tij thote:

1.      Qytetet-muze, zonat-muze, qendrat historike, ansamblet-muze, qendrat dhe parqet arkeologjike janë kategori objektesh në grup, qe ruhen ne teresine e tyre si komplekse historiko-arkeologjike, monumentale, arkitektoniko-urbanistike dhe mjedisore dhe per këtë ndalohen ndërtimet e reja e qe prekin objektet ekzistuese, me perjashtim te rrjetit inxhinierik nentokesor.

2.      Rregullorja e administrimit për kategoritë e objekteve te mesiperme miratohet nga Këshilli i Ministrave me propozimin e Ministrit të Kulturës, …

3.      Monumentet e kulturës të kategorise I dhe II ne qendrat historike, qytet-muze, dhe ansamblet muze mund të shfrytëzohen edhe shfrytezohen edhe per funksione te tjera, qe nuk cenojnë në asnjë mënyrë vlerat e tyre. Aty mund te vendosen institucione shteterore ose private, si muze, biblioteka, atelie monumentesh, fototeka, galeri artesh dhe ekspozita te ndryshme.

Shembulli i Tiranës që nga një popullsi 200.000 banorë, kaloi në një popullsi 700.000 banorë. Nëse këtu llogarisim dhe faktin që sipërfaqja e banesës për person përgjatë viteve 1991-2014 është dyfishuar, kuptohet fare mirë që kemi rreth shtatëfishim të sipërfaqes së banimit në Tiranë për një periudhe rreth 24 vjeçare, një ndryshim drastik ky. Edhe qytetet e tjera të Shqipërisë si Durrësi, Vlora, Fieri etj. u ballafaquan me këtë fenomen, ku më shumë e ku me pak, pavarësisht se jo në përmasat që u përball Tirana.

Për të dialoguar me këtë fenomen duhet theksuar që primare del vlera e hapësirës dhe qarkullimit.

Raportet midis konservimit dhe zhvillimit nuk kane gjetur ne kohe as trajtimin e duhur teorik dhe as trajtimin e raportit te duhur praktik. ..

Zonat e mbrojtura marrin parasysh këtë trashëgimi te ndryshme, qe përfshin në të njëjtën kohe, ne te njëjtin vend, një unitet ose një ansambël peisazhistik arkitektoniko-urban.

Zbatimi i masave rregulluese dhe vepruese në trashëgiminë urbane ka përmirësuar imazhin e qendrave historike të qyteteve, duke sjellë rritje të qendrave tregtare dhe turizmit, por gjithsesi pa dialoguar në shumë prej tyre me problemin themelor të ndërtesave të dëmtuara, duke ofruar kushte jetese të qëndrueshme. Eksperienca ka treguar kufizimet e mjeteve të ndërhyrjes dhe asistencës financiare, të cilat nuk mbulojnë rinovimin e ndërtesave më të dëmtuara.

Nismat e kohëve të fundit  për prishjen e ndërtimeve abuzive që pengojnë zhvillimin urban të qytetit  (Vlorë, Himarë, Dhërmi, etj.) , edhe një herë, tentojnë të krijojnë një respekt të peisazhit historik. Gjykojmë që vijimësia nuk duhet të jetë përmes zhvillimeve agresive, por përmes rikonstruksionit, adaptimit, restaurimit të ndërtimeve ekzistuese, kushtëzuar dhe nga zgjerimi i konceptit të trashëgimisë, nga kujdesi për një zhvillim të qëndrueshëm dhe nga kostoja reale e një procesi më miqësor me mjedisin sa i përket shkatërrimit të materialeve dhe riciklimit të mbetjeve.

Një tjetër çështje  që do duhet të arsyetojmë është në atë që hapsirat vendore duhet të mbeten midis qendrave historike dhe rrethinave dhe peisazhit periferik, të dëmtuara nga ndërhyrjet disproporcionale të infrastrukturave, jashtë shkallës në këtë sektor shumë të rëndësishëm.

Tjetër çështje është që rritja ekspotenciale e disa prej qyteteve tona, ka prodhuar periferi që nuk kanë lidhje me qendrat e vjetra, që vijojnë të jenë tërheqja kryesore për mjaft njerez.

Nevoja për një trainim më të mirë profesional

Trainimi i arkitektëve, urbanisteve, inxhinierëve, duhet të jetë një fenomen në vijimësi dhe duhet të  tentoje favorizimin e restaurimit/adaptimit në raport me ndërtimin e ndërtesave të reja. Duhet të ketë një ndryshim raportesh në treg tani në favor të restaurimit/adaptimit karshi ndërtimeve të reja.

Nga ana tjetër përplasja midis modernes dhe tradicionales në Shqipëri ka përfunduar më së shumti me triumfin e modernes. Njohim pak shembuj që realizojnë ndërtime të reja duke marrë në konsideratë arkitekturen tradicionale.

Sa i përket ndërtimeve të reja, në shumicën e rasteve në ambientin e ndërtuar përdoren materiale dhe teknika moderne të adaptuara për ndërtimet e reja, pa respekt për metodat ndërtimore tradicionale. Për më tepër që shpesh ndërtimet tradicionale e kanë të mishëruar shumë më mirë idenë e zhvillimit të qëndrueshëm, me një cilësi mjedisore shumë më të mirë; ndërsa sot kjo duket sikur është një ide e re dhe e sapozbuluar.

Përtej këtyre vëzhgimeve, të cilat shërbejnë më tepër si një nxitje se sa si një qarje, pasuria e eksperimenteve, shumëllojshmëria e kurseve të trainimeve, procesi legjislativ, veprimi dhe burimet finale japin shpresë që gjerat mund të bëhen më mirë në vijim.

Drejt një qeverisjeje më të mirë

Megjithëse njohuritë për konservimin dhe zhvillimin janë në një raport delikat, në finale ne duhet të kuptojmë se ky domen mbetet prerogativë e pak aktorëve që e kuptojnë dhe të cilët vlerësojnë trashëgiminë urbane dhe peisazhistike, duke e vendosur atë në qendër të projekteve të tyre.

Nëse ne dëshirojmë të zhvillojmë qytetin, është e pashmangshme të reflektojmë mënyrën si e përdorim atë dhe të pranojmë natyrën e tij në ndryshim, veçanërisht sa i përket arkitekturës së banesave, ndërsa ruajmë bazat. Le të mos harrojmë se të ashtuquajturat ndërtesa historike të qyteteve moderne përfaqësojnë një stad të caktuar të evolucionit të tyre, nganjëherë edhe të transformuar nga pamja fillestare dhe stili.

Në këtë kontekst, duke rifituar cilësinë e qendrave historike të qyteteve,  ka të bëjë më tepër me vullnetin politik se sa me instrumentet ligjore dhe të kontrollit. Kjo gjë mund të gjeneroje një qeverisje të përgjegjshme .

Sa kohë që keto gjëra kanë të bëjnë me cilësinë e trashëgimisë, të zgjedhurit vendorë aspirojnë që të njihen me qëllimet bazë të inkurajimit të zhvillimit të industrisë së turizmit. Por ama vërehet një kujdes i pakët nga autoritetet vendore në raport me trashëgiminë, per rizhvillimet arkitektonike, urbane dhe sociale.

Next Post

Greku Aristidh dhe kriza që nuk duket

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Nis hakmarrja e Iranit, sirenat e alarmit dëgjohen në disa qytete të Izraelit

Nis hakmarrja e Iranit, sirenat e alarmit dëgjohen në disa qytete të Izraelit

February 28, 2026
Armë dhe laboratorë nëntokë, përgjigje me raketa dhe kamikazë/ Mburoja e regjimit të Iranit është gati

Armë dhe laboratorë nëntokë, përgjigje me raketa dhe kamikazë/ Mburoja e regjimit të Iranit është gati

February 28, 2026
Diplomacia e padukshme që ndryshoi lojën/ Zef Mazi: Proceset e ndërlikuara që kanë shoqëruar çështjen e Kosovës ndër vite

Diplomacia e padukshme që ndryshoi lojën/ Zef Mazi: Proceset e ndërlikuara që kanë shoqëruar çështjen e Kosovës ndër vite

February 28, 2026
Kush është (dhe ku është) Khamenei, Ajatollahu që nuk është larguar nga Irani që nga viti 1989

Kush është (dhe ku është) Khamenei, Ajatollahu që nuk është larguar nga Irani që nga viti 1989

February 28, 2026
“Populli i guximshëm iranian të marrë në dorë fatin e tij”, Netanyahu bën thirrje për ndryshim regjimi

“Populli i guximshëm iranian të marrë në dorë fatin e tij”, Netanyahu bën thirrje për ndryshim regjimi

February 28, 2026
Irani nis kundërpërgjigjen ndaj sulmit të SHBA-së dhe Izraelit, regjimi iranian lëshon raketa drejt shtetit hebre

Irani nis kundërpërgjigjen ndaj sulmit të SHBA-së dhe Izraelit, regjimi iranian lëshon raketa drejt shtetit hebre

February 28, 2026
Shembja e rrugës në aksin Librazhd-Prrenjas, Rama: Nuk ka asnjë lidhje me punimet që po bëhen në Korridorin VIII

Shembja e rrugës në aksin Librazhd-Prrenjas, Rama: Nuk ka asnjë lidhje me punimet që po bëhen në Korridorin VIII

February 28, 2026
Rama dhe Vuçiç i shkruajnë Brukselit: Na integroni tani në tregun e përbashkët dhe në Shengen!

Rama dhe Vuçiç i shkruajnë Brukselit: Na integroni tani në tregun e përbashkët dhe në Shengen!

February 28, 2026
“Kanë pesë dekada që na urrejnë”, Trump konfirmon pjesëmarrjen e SHBA-ve në operacionin kundër Iranit

“Kanë pesë dekada që na urrejnë”, Trump konfirmon pjesëmarrjen e SHBA-ve në operacionin kundër Iranit

February 28, 2026
Sulmi mbi Iranin, MEPJ thirrje qytetarëve shqiptarë në Izrael: Tregoni kujdes

Sulmi mbi Iranin, MEPJ thirrje qytetarëve shqiptarë në Izrael: Tregoni kujdes

February 28, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In