Çështja e azilit është bërë thelbësore dhe tema më e prekur e aktualitetit. Bajerni dhe Reali ndihmuan emigrantët duke dhënë për bamirësi nga 1 milion euro. Gjithashtu, edhe yjet e futbollit si Havi Martinez, Kristiano Ronaldo, Lionel Mesi, Tiago Alkantara u kanë ardhur në ndihmë refugjatëve në vendet e zhvilluara të Europës, kryesisht në Gjermani.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe në vitet ’90 në luftërat në Nigeri, Kongo, Kosovë, Bosnjë, Kroaci, Shqipëri, ku shumë familje braktisën vendin e tyre.
Disa prej fëmijëve të vegjël janë sot yje futbolli, raporton Panorama Sport. Shumë pak mund ta dinin që disa prej yjeve të më- poshtëm do të bëheshin futbollistë falë emigrimit dhe kërkimit të azilit
Altin Lala
Nëntor 1991, Ofenbah, stadiumi “Bieber Berg”. Pas një ndeshjeje të kombëtares së moshave U-16 ikin në drejtim të paditur 10 talente shqiptarë, mes të cilëve edhe Altin Lala. “Vetëm vëllai e dinte që s’do kthehesha. Prindërit s’do të më kishin lënë. Shokët e mi më thoshin: Mos u kthe! Babai më pati dhënë 20 marka dhe 20 franga”, pati thënë Lala për “Bild”. Humbën 1-8 me Gjermani, pasaportat i mbante trajneri, por ata “avulluan”. Lala fjeti te një shok në Ofenbah, i cili kishte emigruar dy vjet para tij. Futbolli e ndihmoi. Ai nisi provën te moshat B të Hosenfeld së bashku me dy emigrantë të tjerë shqiptarë. Më pas u zbulua nga trajneri i Fuldas. Si azilant, Lalës nuk i lejohej arsimimi, por mund të punonte. Ai këtë gjë bëri derisa mbushi 18 vjeç dhe nënshkroi kontratën e parë me Borusia Fulda. Përfitonte 1200 marka gjermane, ndërsa bënte edhe punë të dytë në një pikë shumice me produkte gastronomike. Në mars 1997, kur në Shqipëri plasi lufta, Lala e kalonte natën në disko. Në janar 1998, Lala u kërkua nga Hanoveri, por Fulda refuzoi 60 mijë markat e ofruara. Në verë, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare u bë “i kuq”. Ishte kontrata e parë e nënshkruar si për Altin Lalën dhe presidentin e Hanoverit, Martin Kind. Për 14 vite te Hanoveri kthehet në një legjendë dhe 39-vjeçari parashikon të kthehet një ditë tek ish-ekipi si drejtues.
Igli Tare
Ishte dimër 1992. Në moshën 17-vjeçare, Igli Tare mori rrugën e mërgimit, duke braktisur komunizmin shqiptar, regjim i cili sapo ishte rrëzuar nga pluralizmi. Ai erdhi me kushëririn e tij në Ludvigshafen. Pagoi 800 marka për të zbuluar rrugën nëpër pyje, male dhe mbërritur në Gjermani. Ai u regjistruara si azilant në Beete. Në zyrën e socialit punonte edhe Valter Pradt, ish-portieri i Sv Valdhof Manhaim. Tare i tregonte se ishte vërtet talent futbolli. Në atë kohë, Pradt ishte trajner tek ekipi i moshave të Ludvigshafen dhe i dha një shans Iglit 1.91 i gjatë. Tare nuk ndihej mirë, sepse nuk u prit mirë si azilant. “Tre vitet e para në Gjermani ishin më të këqijat në jetën time”, ankohej Tare. Në vitin 1995, Tare njohu një biznesmen shqiptar, i cili i premtoi një provë tek ekipi i Karlsruhes. Tomas Hesler bëri ironi me të, por më pas i kërkoi falje. Më pas, ish-bomberi shqiptar ia doli te Fortuna Dyseldorf në Ligën 2, kur shënoi 13 gola në sezonin e parë dhe 11 tek i dyti. Në verë 1999, ai u transferua te Kaizerslautern nën drejtimin e Oto Rehagel. Tare luante me Miroslav Klosen. Duke qenë se ofensiva përbëhej nga Olaf Marshall dhe Klose, Tare në merkaton e dimrit të vitit 2002 u largua në Itali te Breshia. Më pas kaloi te Bolonja dhe Lacio ku e mbylli karrierën në vitin 2008 duke nisur punën si drejtor sportiv i Lacios, detyrën të cilën e mban akoma.
Luka Modriç
(29/Real Madrid) Mesfushori kroat luan sot në “katedralen” e futbollit europian. Në vitin 1992, familja e tij emigroi dhe kërkoi azil pas pushtimit të trupave serbe, ndaj të cilëve mbeti i vrarë gjyshi i tij. Ai u rrit me prindërit e tij në qytetit kroat Zadar. Në moshën 8-vjeçare shkoi te Dinamo Zagreb. Në 2008-ën u transferua te Totenhemi dhe në 4 vite më pas te Reali. Në 2014-ën fitoi Champions-in.
Kristian Benteke
(24/Liverpul) Mesfushori belg u transferua për 46.5 milionë euro nga Aston Vila te Liverpuli. Ai ishte i vogël kur familja e tij u largua nga Konko. Në atë kohë, Republika Demokratike e Kongos quhej Zaire. Babai i Bentekes ishte ushtar dhe gjeti rrugën të emigronte në Belgjikë, në Liezh. Benteke u integrua në akademinë e Genkut dhe, më pas, u zbulua nga Standard Liezh.
Edin Dzeko
(29/AS Rom) Edin Dzeko përjetoi luftën që në fëmijë në Bosnjë. Ai nuk u largua para luftës, por qëndroi në Sarajevë. Ai luante futboll në beton para shtëpisë mes granatave. Në moshën 18-vjeçare, gjeti hapësira dhe emigroi në Çeki, ku luajti me Fk Teplice. Në 2007-ën, ai u ble për 4 mln euro nga Volfsburgu. Këtë sezon është huazuar te Roma.
Viktor Moses
(24/Uest Ham)
Viktor Moses jetonte me babanë, prift katolik dhe të ëmën në Nigeri, ku grupimi terrorist Boko Haram terrorizoi vendin. Në moshën 11- vjeçare, islamistët i vranë prindërit dhe ai brenda javës e braktisi Nigerinë. Xhaxhai i tij e çoi në Londër. Karrierën e nisi te Kristal Palas dhe në 2012-ën shkoi te Çelsi. Pas huazimit te Liverpuli dhe Stoku, Moses luan me Uest Hemin.
Xherdan Shaqiri
(23/Stok Siti) Shaqiri lindi në Kosovë në vitin 1991. Një vit më pas, familja Shaqiri së bashku me 4 fëmijët (3 djem, 1 vajzë) emigruan në Zvicër, në qytezën e vogël Augst, afër Bazelit. Skautët e Bazelit e zbuluan talentin e tij në moshën 8-vjeçare. Xherdani u maturua te Bazeli, ku në vitin 2012 u bë pjesë e Bajernit. Pas një viti shkoi tek Interi dhe tani te Stoku.









