Nga Ylli Pata
Shqipëria, deri përpara reformës në drejtësi ka pasur prokurorin e Përgjithshëm më të fuqishëm prej shumë vendeve, si në rajon apo edhe në botë.
Kushtetushmërisht, institucioni zyrtar që ngre akuzën dhe ndjekjen penale në Republikë varej vetëm nga një njeri-Kryeprokurori.
I cili në mënyrë vertikale hiqte e vinte kë të donte dhe rrjedhimisht urdhëronte e ndiqte hapjen apo mbylljen e dosjeve.
Por, edhe pse ishte një “monstër institucionale”, në 30 vjet Shqipëria nuk pati asnjëherë një prokuror të Përgjithshëm të fortë.
Kryeprokurori i parë i Republikës postkomunist, Maksim Haxhiaj, u largua nga Sali Berisha, pas më shumë se një vit punë. Kjo ngaqë nuk pranoi arrestimin e Fatos Nanos. Haxhiaj ju kundërvu shkarkimit të tij që ishte antiligjor, por megjithatë mazhoranca kishte votat e duhura për ta larguar.
Njeriu që zëvendësoi zotin Haxhiaj, Alush Dragoshi, ishte një njeri i afërt me presidentin e atëhershëm Sali Berisha, ku ndoqi urdhërat e tij për të arrestuar kreun e opozitës Fatos Nano.
Pas 1997, socialistët zgjodhën Arben Rakipin si kryeprokuror, të cilin PD-ja e akuzonte si njeri që donte të fuste në burg opozitën, ngaqë ai hapi akuzën ndaj 6 zyrtarëve të lartë të qeverisë së PD-së.
Pas 14 shtatorit 1998, Sali Berishës ju hoq imuniteti në Parlament për akuzën e grushtit të shtetit, por prokurori i Përgjithshëm nuk kreu asnjë ndjekje penale për liderin e atëhershëm të opozitës.
Në fillimin e viteve 2000, Rakipi nisi një aksion për të hetuar problemet e abuzimit në qeverisjen e vendit, kur kryeministër ishte Ilir Meta.
Pas këtyre lëvizjeve, Sali Berisha dhe Ilir Meta, me bashkëpunimin e Presidentit Rexhep Meidani, bashkuan votat dhe shkarkuan Arben Rakipin nga detyra e kryeprokurorit, duke zgjedhur Theodhori Sollaku, ish-këshilltar i Berishës në Presidencë, ndërkaq për kohën ishte këshilltar i Meidanit.
Sollaku, megjithatë tentoi të vendosë një raport normal me të gjitha palët e politikës, e për një kohë ai nuk u sulmua nga pjesa që e kundërshtoi zgjedhjen e tij, pra grupi pro Fatos Nanos.
Ishte koha e detantës politike, ngaqë Nano dhe Berisha bënë marrëveshjen për të zgjedhur Alfred Moisiun president. Ishte koha e artë për një pryeprokuror që me fuqinë e tij të tregonte realisht kuptimin që ka ligji për të goditur abuzimin në nivele të larta.
Prokuroria, si organ i centralizuar që ishte bënte dosje pa fund në vend, duke çuar për ndjekje penale mijëra e mijëra njerëz, e kështu duke mbushur plot e përplot burgjet e vendit.
Një politikë penale që ktheu në “treg” të majmë ekonomik dosjet penale, ku u çelikos parimi i shitjes e blerjes nëpërmjet treshes avokat-prokuror-gjyqtar.
Theodhori Sollaku, tregoi dhëmbët vetëm kur Sali Berisha vendosi që ta shkarkoi atë kur u kthye në pushtet në 2005-n.
Një vit më pas, kryeprokurori i atëhershëm hapi dosjen e Remzi Hoxhës, një nga dosjet kriminale më të frikshme dhe që turpëronin shtetin shqiptar.
Dosja e Remzi Hoxhës ishte rasti i parë kur fuqia e një Kryeprokurori vihej në përdorim për të prekur majën e pushtetit dhe politikës. Kryeprokurori shënjestroi kryeministrin e vendit.
Zhvillim politik që e vendoste Shqipërinë drejt një progresi të saj si një shtet modern dhe europian. Hapja e dosjes së Remzi Hoxhës e çoi atë krim makabër drejt një procesi normal gjyqësor, ku shqiptarët panë e dëgjuan hapur skemën e rrëmbimit dhe zhdukjes së një qytetari shqiptar, thjesht sepse ai cilësohej nga pushteti si “dëshmitar që di shumë gjëra të këqia”.
Ajo dosje i dha Prokurorisë një shans e kurajo që me të vërtetë kur është vullneti, ky institucion mund të sjellë zhvillime të rëndësishme.
Berisha kërkoi shkarkimin e Sollakut, por Alfred Moisiu u bë një “digë” e vërtetë institucionale, duke ja përplasur kryeministrit në fytyrë Kushtetutën e Republikës.
Dëshira ju plotësua Berishës me zgjedhjen e Bamir Topit-president. Në vend të Sollakut që u shkarkua nga presidenti dhe Parlamenti u emërua për herë të parë një grua-kryeprokurore; Ina Rama.
Edhe pse me probleme ligjore në shkarkimin e të vjetrit e normalisht me emërimin e të riut, imazhi i zgjedhjes së Topit e Berishës pati impakt pozitiv, sidomos tek ndërkombëtarët.
Ina Rama, që në fillim dha mesazhin se edhe pse është e zgjedhur nga e djathta politike, ajo e konsideronte veten një magjistrate. E kështu veproi si në menaxhimin e grupit të prokurorëve por edhe në çështjet mjaft delikate që preknin pushtetin në Shqipëri.
Ina Rama nisi hetimin për abuzimin në Rrugën e Kombit, ku futi nën hetim ministrin Lulzim Basha. Pas Gërdecit hetoi edhe ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, e më 21 janar çoi në gjyq krerët e Gardës së Republikës. Sali Berisha u soll si agresor ndaj kryeprokurores, me të gjithë fuqinë e pushtetit ekzekutiv e politik.
Ky agresion nuk ndikoi vetëm në largimin apo uljen e fuqisë së Ina Ramës, por goditi rëndë kurajon dhe përvojën për të rritur stekën e hetimeve, që e mori nga rasti i Remzi Hoxhës institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme.
Sapo Bujar Nishani zgjidhet president, Sali Berisha dhe Ilir Meta së bashku zgjodhën me votat e partive të tyre Adriatik Llallën si kryeprokuror të Republikës.
Një vit pas zgjedhjes së tij, Adriatik Llalla pati mbështetjen më të madhe ndërkombëtare që ka pasur ndonjë prokuror i Përgjithshëm në vite, që të niste hetimet e pavarura ndaj korrupsionit të lartë.
Adriatik Llalla premtonte para çdo shtatori se do të kishte arrestime, por të vetmit që bëri ishte ish-ministri Spiro Ksera apo Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, por që më pas e zbuti akuzën ç’ka çoi në mos dënimin e tij për grabitjen e thesarit të shtetit.
Por, edhe pse kishte mbështetjen më të madhe ndërkombëtare, Llalla shkatërroi marrëdhëniet me partnerët, duke larguar të gjithë prokurorët që u trajnuan në SHBA, e prishi çdo lloj hetimi të rëndësishëm me bazë korrupsioni të lartë, si për shembull CEZ-Dia.
Edhe pse pati padi nga ministrat e PS-së, e nga KLSH-ja për zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë të shtetit, Llalla nuk hapi asnjë dosje të një zyrtari të lartë, por ndoqi politikën e shantazhit, duke ruajtur një fuqi politike për të mos e prekur.
U konfrontua me SHBA pasi u bë një mashë e Ilir Metës që të bllokonte zbatimin e reformës në drejtësi, nëpërmjet futjen e njerëzve të tij të besuar në organet e përzgjedhjes së kandidatëve për drejtësinë e re.
Kjo solli më pas përplasjen me SHBA-në, por Llalla, u kthye në zëdhënësin e Berishës e Metës për të sulmuar ambasadorin amerikan në Tiranë Donald Lu. Së bashku me Ilir Metën, atëherë kryetar Kuvendi, dy zyrtarë të lartë shqiptarë për herë të parë u vunë kundër qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërkaq, e përdori prokurorinë si instrument politik në shërbim të Metës e Berishës për të rrëzuar Edi Ramën. Që nga dosja Tahiri, e më pas përdorimi selektiv e me qëllime të qarta kohore e të llogaritur të ligjit të dekriminalizimit, Prokuroria u kthye një shtojcë e opozitës për të rrëzuar qeverinë jo me votë, por duke i hequr mazhorancën në Kuvend.
Në fundin e vitit 2017 kur ju mbyll mandati, Llalla nuk pranoi të largohej, duke u bërë kështu pjesë e lëvizjes së PD-së e LSI-së për ta mbajtur me forcë në postin e kryeprokurorit, edhe pse SHBA e BE kërkuan që të zgjidhet një Prokuror i Përgjithshëm i Përkohshëm.
Përfundimet dihen; Adriatik Llalla u shpall non grata, më pas u hetua për fshehje të pasurisë, ju sekuestrua pasuria e më pas u dënua në dy shkallët nga gjyqësori.
Ikën nga vendi nën hundën e Policisë dhe autoriteteve të shtetit dhe mbrëmë nga emisioni Opinion shpërndau një foto me çantë, si një shantazh se atje ka fshehur dosje e materiale kompromentuese…
Adriatik Llalla ishte i fundmi i kryprokurorëve të plotfuqishëm që bën gjithçka me njerëzit e dosjet. Siç degdisi prokurorë nga më të mirët, vetëm se i konsideronte kurajozë, apo përdori materialet përgjuese të dosjes 184 e 339 si një shantazh politik për të bllokuar zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019 e të rrëzonte Edi Ramën.
Pas tij kryeprokurori i Përgjithshëm nuk ka më në Kushtetutë as fuqi vertikale, e as horizontale. Ai nuk ka fuqi përveçse menaxhuese, ndërkohë që emërimet i bën Këshilli i Lartë i prokurorisë. Ndërkaq çdo prokuror është i plotfuqishëm për të hapur apo mbyllur një dosje, të ndjekë apo jo penalisht këdo.
Plus fuqisë Prokurorisë Speciale kundër Krimit të Organizuar e Korrpsionit, që është vetëm për një stekë të lartë të abuzimit me pushtetin në vend. Edhe në këtë institucion, kreu i SPAK nuk ka asnjë fuqi më shumë se çdo koleg i tij prokuror për të hapur një dosje apo për të ndjekur penalisht këdo…
TemA