Bedri Islami
E shtuna kaloi dhe pas saj, si gjithnjë erdhi e diela. Të shtunën në darkë, disa nga liderët e opozitës vajtën në një darkë presidenciale dhe njëri prej tyre, Mediu, e tundi me këngët e vallet greke. Shefi i opozitës u ndje i kënaqur dhe qeshja e tij ishte më e madhe se zakonisht. Protesta mbaroi. Kaq ishte e gjitha dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Njerëzit e thirrur nga rrethet u kthyen në shtëpitë e tyre. Kishin vajtur në Tiranë, kishin dëgjuar çfarë ishte thënë, disa u ndjenë të tradhtuar, disa të egërsuar dhe e gjitha ajo që do të mbahet mend nga një shfaqje e tillë do të jenë dy fundet e një litari: fillimi me hashashin e Babales dhe fundi me syzet e një gazetari.
Babale vetë nuk ishte në protestë. Nuk u pa askund dhe pak vetë e dinë se ku mund të jetë. Por fryma “babale” ishte e pranishme. Në të vërtetë ai duhej të ishte diku, aty, mes turmës që ishte thirrur për të shpallur luftën kundër kanabizimit të vendit. Mund të kishte ardhur si simbol i njeriut që futi në thes një “qeveri rezervë” dhe vetë shefin e madh, që kësaj radhe askush nuk e dinte pse kishte shkuar me një jelek antiplumb. Ndoshta ngaqë kujtesa e tij ishte mbarsur me 21 janarin dhe droja se dikush tjetër mund të përsëriste çfarë kishte bërë ai vetë.
Babale nuk ishte, fryma e tij ishte. Njeriu që u bë njësh me opozitën, edhe jo i pranishëm, ishte aty, pasi e gjitha filloi përmes një “përgjimi” të porositur apo të sajuar, kjo nuk është më e rëndësishme.
Gjashtë apo shtatë muaj opozita e mbajti “babalen” në prehër duke pritur ditën e saj. Njeriu, që vajti të gjente drogë dhe ta trafikonte atë, nuk kishte se si të gjente një strehë më të mirë se ajo ku shkoi. Ndoshta prej aty ishte nisur dhe aty u kthye edhe një herë. Salianji do të tregojë një ditë të vërtetën se nga u nis dhe ku arriti babale dhe përse u mbajt në gjirin e tij si një shkëndijë zjarri që nuk u ndez dot.
Babale është sot fizionomia e një force politike që, 28 vite më parë bënte thirrje për të hequr përmendoren e një njeriu sundues dhe tani niset me emrin e Babales.
Nëse dikur nisej për të bërë Shqipërinë si gjithë Europa, sot me babalepolitikën niset për ta lënë Shqipërinë jashtë Europës.
Nëse asaj kohe, shumë nga ata që kishin vendosur të bënin një histori, ishin studentë, intelektualë dhe idealistë, sot , duke vënë para Babalen dhe pas tij njerëz të hurit dhe të litarit politik si Noka, Paloka, Alibeaj dhe Salianji (e shikoni nivelin e përfaqësimit) studentët, idealistët dhe vizionarët mungonin.
Të ngritur për të përmbysur një sistem, sot një grup politikanësh, që më shumë u shkon debati në mejhane se në parlament, duan të marrin përsipër zezimin e gjithçkaje dhe të kujtdo, gjithnjë sipas një mendësie të mbartur nga ish shefi i tyre “ ose me mua, ose kundër meje”.
Opozita, dhjetë ditë me radhë, bëri thirrje për protestën me të madhe në historinë shqiptare. Bëri thirrje për hedhje në lumë, për zjarr, hekur dhe tërheqje zvarrë, për largimin me forcë të një qeverie dhe pushtetin e dhunshëm. Në dhjetë ditë krijoi imazhin e një vendi ku do të bëhej hataja më e madhe që ishte parë ndonjëherë, para së cilës, grushti i shtetit i shtatorit 1998 dhe protestat e tjera do të ishin lojra fëmijësh. Në dy kampet opozitare, që shpejt do të jenë të veçuara dhe larg njëra-tjetrës, u dha idea e përmbysjes dhe me këtë ide, të hedhjes poshtë të shtetit, u lakmua joshja e mijra e mijra njerëzve, krijimi i një turme babaliste, e cila, pa asnjë arsye do të shkatërronte atë që ishte ndërtuar.
Nëse kjo nuk ndodhi arsyeja është e thjeshtë: askush nuk beson se një qeveri mund të bjerë nga një babalizëm politik, askush nuk mund të mendojë se kjo klasë politike, sot në opozitë mund të jetë më e mirë se kjo që është tani, askush nuk mund të bindet se ndërrimi i vendeve mund të sjellë përparim, kur disa , jo vetëm janë provuar, por janë ende të padënuar.
Një Babale mund të bëjë një gurgule, kur pas tij qëndron një forcë politike, ose edhe më shumë se një. Mund të sjellë edhe çoroditje, por nuk mund të zhbëjë një shtet. Sepse babalizmi mbaron menjëherë sapo dëgjon se janë bërë korrjet e reja të hashashit, sapo merr vesh se një skaf po niset drejt trafikimit, sapo i thonë se do të ketë diçka në xhep.
Një lëvizje babaliste mund ta shpjerë edhe një gazetar në rolin e një demonstruesi dhunues, që përplas shufrat e hekurta në radhët e policisë, që është në linjën e parë të përplasjes.
Të jesh në vendin e duhur është alfa e punës së një gazetari, aq më tepër të një drejtuesi mediatik, qoftë kjo edhe gazeta më e pabesueshme në treg apo drejt shuarjes. Koha e 200 mijë kopjeve e RD-së ka shkuar me kohë e me vakt pikërisht sepse misioni i gazetarit ndërkëmbet me të metingashit.
Nëse do të jesh metingash, kjo është e drejta jote. Askush nuk ta mohon këtë të drejtë, qofsh gazetar, misionar apo edhe ministër. Kemi parë shumë ish ministra apo drejtues partish duke hipur mbi stola dhe duke u hedhur mbi policinë.
Një gazetar i ngjashëm me njerëzit e politikës apo me metingashët nuk është as çudi, as e ndaluar dhe as fundi i gazetarisë.
Por, nëse merr përsipër të heqësh mantelin e gazetarit dhe të vësh dorezat e mitingashit, nëse të godasin, me faj apo pa faj, çka është e dënueshme në të dyja rastet, pas goditjes mos hidh poshtë dorezat që i veshe me dëshirën më të madhe dhe të flasësh nën petkun e gazetarit. Ose dili zot asaj që more përsipër, ose hesht. Nuk mund të jesh njëkohësisht, edhe gazetar, edhe mitingash; edhe sulmues i egër i policisë dhe nxitës i turmës, edhe i viktimizuar. Duhet të gjesh rrugën tënde, aq më tepër se sot, në këtë botë jallane, nuk mund të jesh kurrë jashtë vëzhgimit. Dhe, pyetja më normale që mund të bëhet për secilin koleg: çfarë doje aty, në përleshjen me policinë e shtetit? Vërtet mendon se me mendjen e Babalëve mund të thyhet shteti, mund të merret një godinë qeveritare, mund të jesh mbi ligjin dhe mbi veten?
Babalizmi hyri në politikë si përdorimi i njeriut të krimit për të trasuar një rrugë jashtë interesave të vendit tënd.
Njerëzit kuptuan thelbin e asaj që po ndodhte në dhjetë ditë e netë: Loja që po luhet nuk ka të bëjë me mllefin e një trafikanti për një paketë cigare, as me lojën e një gazetari që trembet në mes të rrugës dhe ia lë “arushën” në dorë atyre që i besoi. Të zakonshmit u dëshmuan se janë më të mençur dhe më të arsyeshëm se sa ata që i thirrën në një “dasëm”, ku, sapo të hiqeshin të zotët e shtëpisë, qoftë edhe me dhunë të skajshme, tepsia do u mbetej atyre.
200 vetë për të sulmuar një godinë qeveritare mund të gjenden kurdoherë. Mund të gjenden edhe më shumë, sidomos kur atyre u bashkohen edhe deputetë, të cilët mendjen e kanë lënë diku jashtë dhe kanë marrë në duar hunjtë e dhunës.
Të bësh gati 200 vetë nuk është asgjë tjetër, veç e asaj që forca e babalizmit mbetet aty. Tek ata 200 vetë, që më pas, të zhgënjyer, po ktheheshin në shtëpi, duke i thënë vetes, përse na thirrën?
Ju thirrën për babalen.
Për një foto, një fjalim, një dehje mistike dhe një kërcënim. Gazetari sapo kishte dalë nga spitali. Shërim të shpejtë. Policët e plagosur, po ashtu. Për këto të fundit nuk protestoi askush. Mbrëmja kishte ardhur e qetë.
Në darkë shefat e opozitës shkuan dhe hodhën valle, kënduan këngë greke dhe u gajasën. Njëlloj si babale.
a.ç