Gjoba deri në 500 mijë lekë dhe deri në 8 vite burg do të bëjnë të gjithë ata persona që i shesin duhan, cigare elektronike, nargjile, puro apo lloje të tjera duhani personave nën 18-vjeç.
Dy projektligje të deputetëve socialist Erion Braçe dhe Etilda Gjonaj, synojnë të ashpërsojnë masat ndëshkuese për shkelësit e ligjit, të cilët u shesin ose ofrojnë duhan të rinjve nën 18-vjeç.
Konkretisht në Kodin Penal propozohet të shtohet një nen 288/c, ku përcaktohet se ata persona që tregtojnë këto produkte tek të rinjtë nën 18 vjeç që janë ndëshkuar më parë do të gjobiten nga 100-300 mijë lekë ose burg deri në 6 muaj. Në rast të përsëritjes së shkeljes, gjoba do të jetë 300-500 mijë ose burg nga 6 muaj deri në 1 vit.
Kur si pasojë e kryerjes së veprës penale të parashikuar në paragrafin e parë dhe të dytë të këtij neni, ka ardhur si pasojë dëmtimi i rënde i shëndetit të të miturit, dënimi është nga 4 deri në 8 vjet burgim. Ndërsa në rastet kur shkaktohet vdekje prej këtyre produkteve, dënimi – thuhet në projektligj – do të jetë 8 deri ne 16 vjet burgim.
Në relacion theksohet se këto masa shtrënguese propozohen për shkak se përdorimi i duhanit, cigareve elektronike apo produkteve të tjera të duhanit nga fëmijët e të rinjtë është në rritje vitet e fundit.
“Vitet e fundit ka pasur një rritje alarmante te përdorimit te duhanit dhe produkteve te duhanit tek fëmijët dhe te rinjtë. Konsumimi i nikotinës tek fëmijët dhe adoleshentet ka ndikime negative ne zhvillimin e tyre. Ajo sjell pasoja negative afatgjata për zhvillimin e trurit dhe mund te shkaktoje çrregullime ne te mësuarin dhe gjithashtu shkakton ankth. Po ashtu edhe ekspozimi i drejtpërdrejtë apo aksidental i fëmijëve ndaj lëngjeve qe cigaret elektronike përmbajnë, paraqet rrezik serioz për ta, pasi pajisjet mund te rrjedhin dhe fëmijët mund te gëlltisin lëngun, i cili është helmues”, thuhet në relacion.
Projektligji i dytë i propozuar parashikon rishikimin e disa neneve të ligjit “Për mbrojtjen e Shëndetit Nga Produktet E Duhanit”. Deputetët propozojnë që për personat nën 18 vjeç të jetë e ndaluar shitja jo vetëm e duhanit, por edhe e cigareve elektronike, shishave, nargjileve dhe produkteve të tjera të përcaktuara në nenin 3 të këtij ligji.
Po ashtu propozohet të ndalohet ofrimi falas apo shitja me ofertë e këtyre produkteve, si dhe në të gjitha pikat e shitjes duhet të vendoset në një vend të dukshëm tabela ku të shkruhet: “Ndalohet shitja e produkteve te duhanit, cigareve elektronike, shishave/nargjileve personave nen 18 vjeç”.
Nëse këto rregulla nuk zbatohen, parashikohen gjoba dyfish më të larta. Nga 100 mijë lekë që është gjoba aktualisht bashkë me konfiskim të produkteve të duhanit, në projektligj propozohet që përpos konfiskimit të produkteve gjoba të arrijë deri në 500 mijë lekë, dhe kur cigaret elektronike i janë shitur një të mituri nën 15 vjeç, gjoba do jetë dyfish më e lartë.
Neni 20, shkronja b) ndryshohet si vijon:
b) Shkelja e nenit 9 dënohet me:
– konfiskim te produkteve te duhanit, cigareve, cigareve elektronike, dhe për te gjitha produktet e parashikuara ne nenin 3 “Përkufizime” te këtij ligji, dhe gjobe 200.000 leke për subjektin shitës me shumice apo pakice apo subjektit qe e ofron falas sipas kushteve te nenit 9.1 dhe nenit I 0;
-500.000 leke gjobe kur kjo shkelje përsëritet nga subjekti sipas kushteve te nenit 9 dhe nenit 10;
-Dyfishim te gjobës se parashikuar ne piken (i) ne rastin e shitjes ose ofrimit te cigareve elektronike nen moshën 15 vjet.
Në projektligj thuhet se do ndalohet reklamimi në median e shkruar dhe atë televizive jo vetëm i duhanit por edhe i të gjitha produkteve të tjera. Kohët e fundit është ekspozuar ndjeshëm nëpër programe televizive, konsumi i produkteve të duhanit apo cigaret elektronike.
Shkaku kryesor i ashpërsimit të këtyre ligjeve thonë deputetët është fakti që konsumi i këtyre produkteve është kthyer në burimin kryesor të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në vend.
“Prevalenca e duhanpirjes ngelet ende e larte në vendin tonë dhe është e rëndësishme të reduktohet në mënyrë që të ulet numri personave me sëmundje kronike”, thuhet në relacionin e projektligjit “Për mbrojtjen e Shëndetit Nga Produktet E Duhanit”.