Nga Aleksandri i Madh, Lenini e deri tek Çërçill, 20 politikanët më me ndikim të historisë
Revista “TIME” ka listuar figurat politike, trashëgimia e të cilëve i ka rezistuar kalimit të kohës. Janë 20 politikanë që do të mbeten gjithnjë në histori për shkak të ndikimit të tyre të madh, dhe veprimeve që kanë bërë.
1- Mahatma Gandi
Nga lëvizja indiane për pavarësi u ngrit një figurë që pak njerëz do ta harrojnë: Mahatma Gandi. Gjatë kohës që punonte si avokat në Afrikë të Jugut, ai në përgjigje të tiranisë, kërkoi mosbindje e qytetarëve, duke i ndihmuar indianët në fushatat në mbrojtje të të drejtave njerëzore. Protestat e tij paqësore jashtë vendit, dhe fushatat kundra varfërisë në Indi e ndihmuan atë të bëhej “shpirti” i luftës për pavarësi. Duke punuar me Jauaharlal Nehru, kryeministrin e ardhshëm të vendit në atë kohë, Gandi e udhëhoqi vendin në protesta paqësore kundra dominimit të vendeve të jashtme si p.sh: protesta kundër taksës britanike të kripës. Ndihma e tij i bëri rrugë ardhjes së Pavarësisë në 1947. Edhe se më pas vendi u përça dhe Gandi u vra, roli i tij në revolucionet pa dhunë i dha titullin “Babai i Indisë”.
2- Aleksandri i Madh
Bota nuk njeh një pushtues më krenar ose të çmuar se Aleksandri i Madh. Sipas legjendave, në venat e princit të ri maqedonas rridhte gjaku i hyjnisë Zeus. Ai mundi Perandorinë e Madhe Persiane, iu sul rrëmbyeshëm grekëve, rrafshoi njëherë kapitalin e Persisë së Vjetër dhe u përpoq të bashkonte një Perandori të pabesueshme nga veri-perëndimi i Afganistanit të sotëm deri në Dardani – dhe të gjitha këto kur ishte vetëm 20 vjeç. Ai vdiq nga plaga që i shkaktoi një shigjetë në moshën 32 vjeçare, akoma me ëndrrën për të pushtuar brigje dhe vende të tjera. Pasardhësit e Aleksandrit filluan të luftonin për fronin pas vdekjes së tij. Në traditën europiane, Aleksandri gjithmonë ka qenë një hajmali i dominimit perëndimor dhe aventurave të pafundme koloniale në shekujt 18 dhe 19, aty ku sot shtrihet Lindja e Mesme dhe Azia Jugore. Çuditërisht, bota myslimane ka një mori librash për Aleksandrin, veçanërisht në gjuhën persiane, që përshkruan pushtuesin e pafrenueshëm si një Kampion i Islamizmit. Kushdo që ai ishte, Aleksandri la prapa vende nën emrin e tij, që do të zgjasnin për shekuj. Shembuj janë Egjipti dhe Aleksandria e sotme që janë dy nga qendrat më të mëdha tregtare të botës antike.
3- Mao Ce Duni
Si lider i Republikës së Kinës për një pjesë të mirë prej 25 vjetësh, Mao Ce Duni është një nga figurat më me ndikim në histori dhe është emëruar nga revista TIME në listën e 100 njerëzve më të rëndësishëm të shekullit 20. Bazuar tek Marksizmi dhe Leninizmi, Mao dha shtysën e tij në teorinë politike të Komunizmit, teori e cila sot njihet me emrin “maoizëm”. Por trashëgimia e tij mbetet disi e komplikuar. Në Kinë, ku akoma mbahet varur portreti i tij në “Portën e Paqes Qiellore”, ai konsiderohet si një mjeshtër i revolucionit, idetë e të cilit sillnin përparime të cilat do e shndërronin vendin nga një shoqëri agrare në një fuqi botërore. Pjesa më e madhe e suksesit aktual të Kinës solli varfëri të madhe. Revolucioni Kulturor i Mao Ce Dunit dhe politikat e tij, fajësohen për vdekjen e 10 milionë kinezëve për shkak të urisë.
4- Uiston Çërçill
Është e vështirë ta imagjinosh shekullin e 20 britanik pa Sër Uinston Çërçill. Përmes dy luftërave botërore dhe më tej, ai luajti një rol thelbësor në punët e jashtme të vendit, së pari si Ministër i Forcave Detare në fillim të Luftës së Parë Botërore dhe më pas si kryeministër gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por ndërsa ai së bashku me liderët e tjerë aleatë, shpëtoi Britaninë nga aksi i pushtimeve. Përçmimi dhe përbuzja raciste që ai ndjente për shumë nga ish-kolonistët britanikë është vetëm një nga aspektet që historianët kanë zbuluar kohët e fundit. Në 1939, ditën që Britania i shpalli luftë Gjermanisë, ai përsëri u bë kreu i flotës britanike. Ishte e qartë se vetëm Çërçilli mund të bashkonte vendin në përballje ndaj sulmit nazist. Oratoria energjike dhe vetëbesimi që kishte ai, elektrizonin turmat britanike dhe i mbajti ato për 5 vjet gjatë konflikteve europiane. Ai ishte një lider në kohë lufte, dhe jo një politikan i vërtetë, dhe humbi punën në qershor të vitit 1945. Ai rifitoi pozicionin e tij si kryeministër në vitin 1951 dhe paralajmëroi për rritjen e fuqisë së Bashkimit Sovjetik.
5- Genghis Khan
Pak figura botërore përgjatë historisë ngjallin frikë dhe terror. Këtë e bën Genghis (ose Çingis) Khani. Përmes politkëbërjes së kujdesshme dhe dëshirës për fuqi, kryekomandanti mongol i shekullit të 13, bashkoi një numër të madh tribush nomade, në tokën e tij mes stepave të pafundme. Më pas ai liroi hordhitë e tij në pjesën tjetër të botës, shigjetarët e tij me kuaj, gjatë epokës së luftërave mesjetare. Fushatat e tij fokusoheshin më shumë në pjesë të Kinës dhe Azisë Qendrore, por pasardhësit e tij vazhduan punën për krijimin e një perandorie të gjerë që shtrihej që nga skajet e Siberisë deri në luginat lumore të Europës Lindore. Çingis Khan mbahet mend si një vrasës brutal dhe shkatërrues, por kjo nuk do të thotë që ai nuk ishte i dashur. Mongolia e përqafon imazhin e sunduesit më të famshëm dhe më të fuqishëm të saj duke e vendosur nëpër produkte dhe ndërtesa. Në kryeqytetin mongolian, Ulaanbaatar, qëndron një statujë çeliku 12-katëshe e Çingis Khanit me kalin e tij.
6- Nelson Mandela
Pas 27 vitesh në burg, Nelson Mandela u bë simbol i luftës ndaj padrejtësisë. Mandela e filloi udhëtimin e tij në vitin 1944 kur u bashkua me Kongresin Kombtar Afrikan (ANC) dhe u bë pjesë e lëvizjes rezistente ndaj të bardhëve. Veprimet e tij përfunduan me arrest dhe burgim, pjesa më e madhe e të cilëve u arrestuan në burgun famëkeq Robben Island. Me lirimin e tij në vitin 1990, Mandela u bë kryetar i ANC-së dhe punoi “dorë për dore” me presidentin e zgjedhur Frederik Uillem de Klerk për përfundimin e politikave të tejzgjatura të ndarjes raciale. Ata u shpërblyen me çmimin Nobel të Paqes për punën e tyre. Në 1994, ai fitoi zgjedhje e para multiraciale kombëtare, duke u bërë presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut.
7- Abraham Linkoln
Historitë rreth Abraham Linkolnit arrijnë statusin e mitit: Ai lindi në një kasolle, ishte një debatues legjendar dhe shpëtoi skllevërit. Presidenti i 16 i Shteteve të Bashkuara erdhi pikërisht në moment e duhur kur vendi kishte një të metë të madhe – skllavërinë. Në vitin 1858, gjatë një fushate në Senatin e Shteteve të Bashkuara, ai shpalli vizionin e tij dhe shprehej se “shtëpitë nuk mund të qëndrojnë të ndara”. Kur u zgjodh president në 1860, i pari republikan i zgjedhur, Linkolni zbuloi se në mënyrë që të shpëtonte Kushtetutën ai duhet të shpëtonte Bashkimin Kombëtar, edhe se mund të çonte në gjakderdhje. (Më shumë se 600 mijë ushtarë u vranë gjatë Luftës Civile.) Zbatimi i suksesshëm i Bashkimit Kombëtar dhe politikave emancipuese në vitin 1863, e bënë Linkolnin një figurë ikonike dhe para vrasjes së tij ditë përpara përfundimit të konfliktit në 1865-n. Ai u bë akoma dhe më shumë figurë ikonë me kalimin e viteve.
8- Adolf Hitler
Me shumë gjasa Adolf Hitleri është njeriu më i urryer në historinë e ekzistencës njerëzore, një simbol universal i së keqes. Akoma, ndihet prezenca e tij nëpër filma dhe në tekstet historike të Luftës së Dytë Botërore, dhe në retorikën politike. Nacionalizmi i flaktë i Hitlerit – që e çoi atë në bërjen e krimeve më të tmerrshme dhe çnjerëzore të dëshmuara ndonjëherë – si fillim trazoi mendjet e gjermanëve të lodhur dhe të uritur që u bënë pjesë e Partisë së tij Nacional-Socialiste pas humbjes së prestigjit dhe territorit në Luftën e Parë Botërore. Që sa mori pushtetin, Perandori i Tretë, shtypi shumë shpejt të gjithë kundërshtarët e tij dhe të gjithë ata që nuk ishin të lindur në Gjermani. Terrori i Hitlerit përfshiu të gjithë Europën dhe u bashkua me regjimet fashiste e ushtarake në Itali dhe Japoni. Por kur forcat e Hitlerit u mundën nga Aleatët gjatë Luftës së Dytë Botërore, Gjermania u mundua shpejt të fshihte historinë e saj të tmerrshme.
9- Ernesto “Che” Guevara
Ai bëri më shumë se sa vetëm të ngrinte në këmbë sistemin ekonomik botëror – ai donte të ndryshonte kuptimin mbi atë se ç’donte të thoshte të ishe qenie njerëzore. Ernesto Guevara (i quajtur “njeriu i ri”) kërkonte t’i nguliste njerëzimit idenë “e tjetrit” mbi “vetë ne”. Pseudonimi i tij “Che” është një pasthirrmë që vjen nga vendi i tij Argjentina dhe përdoret si titull përshëndetës pa marrë në konsideratë gjininë ose klasën shoqërore. Portreti i Che Guevaras varet në muret e kuzhinave të Amerikës Latine, ashtu si edhe në dhomat e universiteteve në Shtetet e Bashkuara. Ai është simbol i një burri të vërtetë që e mban fjalën dhe nuk e shkel kurrë atë. Pasi iu bashkua marshit të Fidel Kastros në Kubë në vitet 1950, Guevara kurrë nuk ishte i lëkundur përsa i përket principit të revolucionit. Ishte vetë ai që orkestroi vrasje jashtëgjyqësore në dyshim të tradhtisë. Pasi Che Guevara u kap gjatë nxitjes së revolucionit në Bolivi në vitin 1967 ai tha: ”Vazhdoni, më vrisni, jam thjesht një njeri”.
10- Ronald Regan
Dikur Ronald Regan tha se Urdhri i 11 ishte: “Nuk duhet folur keq për asnjë ndjekës Republikan”. Por nëse do bëhej ndonjë ndryshim i këtij urdhri, atëherë do të ishte “nuk duhet folur keq për Ronald Reganin”. Është e qartë që ai zë një vend të veçantë në historinë politike të Amerikës. Gjatë një debati në 2008, kkandidatët për Presidentë të Partisë Republikane, 20 vjet pasi Regani la postin, përmendën emrin e Reganit 53 herë. “Dashuria” për Reganin u bë kaq e theksuar sa nxiti vajzën e tij, Patti Davis, t’i qortonte publikisht kandidatët duke i thënë: ”Ju nuk jeni Ronald Regan”. Statusi i Reganit si politikan është shumë impresiv duke marrë parasysh faktin që sipas Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, shpenzimet qeveritare u rritën me 22% nën qeverisjen e tij. Ndërsa ai promovoi botëkuptimin e tij për luftimet individuale patriote kundër kufizimeve të qeverisë, Regan u prezantua si një banor i zonave kufitare i veshur si kauboj. Imazhi i tij me siguri është përforcuar nga një mori anekdotash biografike. Kur shërbente si roje plazhi, Regani një herë shpëtoi 77 njerëz nga mbytja.
11- Kleopatra
Mbretëresha Egjiptiane, Kleopatra, do të kujtohet për luksin e mbretërisë së saj përrallore, bukurinë e saj verbuese dhe mbi të gjitha vdekjen e saj. E përjetësuar nga Shekspiri, vetëvrasja e saj e pretenduar e bën këtë histori një legjendë romantike – e dëshpëruar pas humbjes në luftë e të dashurit të saj, Mark Antoni, ajo iu dorëzua helmit të nepërkës në vend që të zihej rob nga Oktaviani romak, nipi i Jul Cezarit, një tjetër nga shumë dashnorët e saj. Ndër shekuj, Kleopatra ka mbetur sinonim i joshjes dhe dinakërisë femërore. Shumë studime janë bërë për të sjellë Kleopatrën e vërtetë në dritë, duke treguar se monarkia antike kishte një prirje mendjemprehtë politike për mbrojtjen e dinastisë së saj familjare dhe duke e shpërndarë ndikimin e saj deri në Botën Romake. Studiuesit akoma mundohen të zgjidhin enigmën e bukurisë dhe origjinës së saj racore. Disa thonë se ishte afrikane, disa thonë se ishte greke. Arkeologjisti egjiptian Zaui Hauas, filloi misionin e tij për zbulimin e varrit të Kleopatrës dhe Mark Antonit, një gjetje që mund të hedhë më shumë dritë në momentet e fundit tragjike të çiftit. Por pavarësisht kërkimeve, mbretëresha legjendare vazhdon të mbetet një mit.
12- Frenklin Rusvelt
Nderimi që Amerika kishte për Frenklin Rusveltin gjatë qeverisjes së tij, do të ishte thjesht e pamundur të përsëritej në Amerikën e vitit 2014. Gjatë 12 viteve të presidencës së tij, Rusvelti jo vetëm u kreditua për shpëtimin e ekonomisë globale, por edhe për mposhtjen e bandave më të këqija që bota ka njohur. Njerëzit e quanin si anëtar familjeje ose fqinj duarartë që mund të zgjidhte të gjitha problemet e kërkuara. Qëndrimi mbrojtës i Rusveltit ndaj kombit forcohej nga bashkatdhetarët e tij, që ai i konsideronte miq. Në bisedat rreth zjarrit me miqtë e tij Rusvelti fliste për krijimin e një gjendjeje të qetë përkundër kaosit të krijuar. Rusvelti nuk mund t’i rezistonte tundimit për të bërë përpjekje për maksimizimin e kapitalit të tij politik.
13- Dalai Lama
Për tibetianët e panumërt, Shenjtëria e tij Dalai Lama është një lider shpirtëror dhe koka e shtetit tibetian. Por për njerëzit nëpër botë, Tenzin Gyatso është jo vetëm një nga avokatët më të mëdhenj të të drejtave të tibetianëve dhe parimeve të Budizmit, por edhe për tolerancën ndërfetare dhe shpërndarjen e paqes. Për dekada me rradhë – dhe që nga mërgimi që në 1959 – ai ka punuar për të zgjidhur tensionet ndërmjet Tibetit dhe Republikës Kineze. Ashtu si Gandi dhe Martin Luter King përpara tij, Dalai Lama ka vepruar në të njëjtën mënyrë bazuar te toleranca dhe protestat e padhunshme. Në 1989, atij iu dha çmimi Nobel i Paqes për përpjekjet e tij. Përulësia e tij, e ka bërë Lamën të dashur te presidentët botërore dhe liderët fetarë të vendeve të ndryshme. Ata i kanë mbështetur pikëpamjet e tij në shkallë botërore. Libri i tij, “Arti i Lumturisë” (The Art of Happiness), shiti më shumë se 1.5 milion kopje në Shtete të Bashkuara dhe e bëri atë autorin bestseller për dy vite rresht. Autoritetet në Pekin, janë pak të kënaqur nga Dalai Lama, të cilët i kundërshtojnë propozimet e tij dhe duket sikur presin me padurim që kjo figurë ikonike të vdesë.
14- Mbretëresha Viktoria
Britania e Madhe u zgjerua në të gjitha aspektet gjatë 64 viteve dhe 7 muajve kur në fron qëndroi Mbretëresha Viktoria. Me emrin e saj lidhen të gjitha zhvillimet kulturore, sociale, ekonomike, politike, shkencore, industriale, teknologjike dhe ushtarake të Britanisë në shekullin 19. Gjatë kohës së mbretërimit të saj, Mbretëria e Bashkuar pa fuqinë dhe influencën e saj të shpërndahej në gjithë botën, përfshi dhe në kolonitë indiane. Kolonistët indianë i dhanë dhe titullin “Perandoresha e Indisë”. Edhe se fuqia britanike filloi të zbehej, influenca e Mbretëreshës vazhdoi të ishte e lartë. Sot ajo kujtohet si personifikim i një epoke me standarde strikte dhe moral të patundur.
15- Benito Musolini
I etur për fuqi dhe me ëndrrën për një krijimin e një perandorie, i riu Benito Musolini la rrënjët e tij socialiste për t’u bërë një nga figurat kyçe në krijimin e fashizmit. Pasi qeveria italiane u rrënua në vitin 1922, ai u bë kryeministri më i ri i kombit dhe punoi për themelimin e fashizmit si parti maxhoritare. E filloi “mbretërinë” e tij nën emrin “Duçja” ose “lideri”. Në fillim, Musolini bashkoi gjerësisht përkrahjet e popullit për përpjekjet e tij për të vendosur rregull dhe prezantimin e punëve për zhvillim. Por ajo që filloi si një zhvillim premtues doli nga binarët kur ai bëri aleancë me Gjermaninë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai u bëri marionetë në qeverinë e Hitlerit në Italinë Veriore. Kur forcat mbrojtëse gjermane u shkatërruan në 1945-ën, Musolini u kap dhe u ekzekutua nga partizanët italianë gjatë përpjekjeve për t’u arratisur në Austri. Pavarësisht nga krimet e tij, Musolini nuk urrehet botërisht ashtu si Hitleri.
16- Akbari i Madh
Nëse ka një lider që meritonte tautologji, ai ishte Akbari i Madh i Perandorisë Mugal. Ai njihet si “I madhi i të mëdhenjve”. Një numër i madh çifligjesh ishin nën koleksionin e Akbarit rreth Dehlit, që më pas u zgjeruan derisa u krijua Perandoria Mugal, në Indinë Veriore. Ndërsa të krishterët lëkundeshin në mëdyshje për arritjen e asaj që sot njihet si Rilindje, Akbari kryesoi në lulëzimin e arteve, duke sponsorizuar artizanët, poetët, inxhinierët dhe filozofët. Ai ishte një kryekomandant i matur, i cili me anë të pushtimeve arriti të ngrinte një nga shtetet moderne më të pasura në botë. Në oborrin e tij, Akbari kurioz, thërriste ndjekës të feve të ndryshme. Në vendin e tij kishte një ndërthurje të Hinduizmit dhe Islamizmit që njihej me emrin “besimi hyjnor”.
17- Vladimir Lenin
Pasi kryengritjet fshatare rrëzuan Car Nikollën e 2-të, Vladimir Lenini u rikthye në Rusi nga emigrimi në vitin 1917 për të bërë goditjen më të madhe të shekullit 20. I inspiruar nga shkrimet e Marksit dhe Engelsit dhe dëshirës për të qenë “pararojë e proletariatit”, Lenini udhëhoqi Revolucionin Bolshevik, duke përjashtuar Qeverinë e Përkohshme që zëvendësoi monarkinë. Lenini themeloi Bashkimin Sovjetik – paraardhësin e shteteve komuniste të ditëve moderne. Në fund të qeverisjes së tij, Lenini ishte shndërruar në liderin e pamëshirshëm që ai dikur e urrente, duke injoruar urinë, varfëroi punëtorët dhe shkatërroi çdo opozitë politike. Në 1921, ai u përball me të njëjtën kryengritje fshatarësh që dikur e sollën atë në pushtet. Lenini prezantoi Politikën e Re Ekonomike ku lejonte punëtorët të shisnin drithërat e tyre në treg. Lenini nuk kërkonte vetëm rregullimin e Rusisë, por shpërndarjen e komunizmit në të gjithë cepat e botës. Dhe përderisa ëndrrat e tij nuk u bënë kurrë realitet, teoritë politike të tij janë hedhur poshtë nga breza rebelësh dhe guerrilasish. Për dekada me rradhë, revoltat Marksiste-Leniniste shokuan botën ndërsa kufoma e balsamosur e Leninit prehet në paqe në Sheshin e Kuq në Moskë.
18- Margaret Theçer
Gruaja me standarde të larta nuk është quajtur kot “Zonja e Hekurt” e Britanisë. Ajo bënte dy punë (avokate dhe kimiste) dhe kishte dy fëmijë. Ambiciet e saj afatgjata politike ajo i vuri në jetë në vitin 1959 kur u bë anëtare e Parlamentit në Partinë Konservatore. 20 vite më vonë, ajo u bë Kryeministre. Duke i shërbyer vendit nga 1979 në 1990-ën, ajo ishte e para kryeministre femër dhe e vetmja kryeministre britanike që shërbeu për tre mandate rradhazi. Gjatë 11 viteve të saj në pozicion, ajo punoi për ta kthyer Britaninë në një ekonomi të tregut të lirë. Ajo mbështeste privatizimin e industrive, ndikoi për uljen e taksave dhe uli shpenzimet. Së bashku me Ronald Reganin, partnerin konservativ matanë Oqeanit Atlantik, ndihmuan në përshpejtimin e dëmtimit të Bashkimit Sovjetik.
19- Simon Bolivari
Në jug të Rio Grandes ai njihet thjesht me emrin “El Libertador” (Çlirimtari). Nëpër rrugë është i shënuar gjithandej ky titull. Statujat e Simon Bolivarit me kalë janë të shpeshtë në Amerikën Latine për arsyen e vetme se Bolivari udhëhoqi lëvizjet për pavarësi në pesë vende të Amerikës së Jugut. Një nga këto vende mori dhe vetë emrin e Simon Bolivarit, Bolivia. Si një ushtar i palëkundur – Bolivari u përzu nga Venezuela katër herë. Çlirimi i të shtypurve nga Simoni, inspiroi edhe udhëheqësit e mëvonshëm të bënin të njëjtën gjë. Hugo Çavez nuk është e vetmja kokë shteti që përdori historinë e jetës së Bolivarit, por presidenti venezuelian përgatiti strategji në forma të reja. Platformën e tij ai e quajti “Revolucioni Bolivarian i shekullit 21”. Dhe kur Çavez dilte në televizor prapa tij, shfaqej një portret i Simon Bolivarit. Ditët e fundit të tij ishin gjithashtu subjekt i librit të Gabriel Garsia Markezit “Gjenerali në Labirith”. Në kohën e tij, Bolivari cilësohej si “Xhorxh Uashingtoni i Amerikës Jugore”.
20- Sharl de Gol
Babai i Francës moderne është ishte një gjeneral i panjohur i cili u bë fytyra e rezistencës franceze kundër gjermanëve nazistë gjatë Luftës së Dytë Botërore. De Goli qortoi vendin e tij për propozimin e një armëpushimi me Gjermaninë dhe shpërndau një lutje për vazhdimin e opozitës ndaj ushtrisë naziste gjatë një interviste në radio të marrë nga BBC. Afro dy dekada më vonë, De Goli pa vendin e tij në një tjetër konflikt, në luftën algjeriane, ku ai identifikoi disa nga përkrahësit e tij më besnikë dhe ndihmoi Algjerinë të fitonte pavarësinë. Si një nacionalist i zjarrtë, Sharl De Gol ishte arkitekti i kushtetutës së re dhe në ndërtimin e Republikës së 5-të Franceze. Si lider i vendit, ai rivlerësoi monedhën e Francës dhe prezantoi frankën. De Gol u dha lirinë e votës grave. Vendosmëria e De Golit mbrojti pavarësinë e Francës, dhe bllokoi dy herë hyrjen e Britanisë në Tregun e Përbashkët Europian, ndëshkoi luftën e Amerikës me Vietnamin, lëvizje e cila bëri që Amerika dhe Franca të mos kenë marrëdhënie miqësore dhe në ditët e sotme. Emri i tij, u bë sinonim me një sistem politik unik, trashëgimia e të cilit është ruajtur edhe nga presidentët aktualë francezë.