Ngjarja e rëndë e vrasjes brenda sallës së gjyqit të gjyqtarit Astrit Kalaja, vuri në lëvizje institucionet për të rritur sigurinë në gjykata.
Kreu i Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, Ilir Rusi, gjatë një seance dëgjimore në Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, kërkoi një angazhim të përbashkët të institucioneve për të përmirësuar sigurinë në gjykata, duke e cilësuar këtë si një çështje kombëtare dhe jo vetëm një problem të sistemit të drejtësisë.
Rusi shpjegoi se KLGJ ka kërkuar prej kohësh shtimin e forcave të policisë në mjediset e gjykatave, pasi ky institucion nuk ka mundësi ta sigurojë vetë rendin dhe sigurinë në gjykata.
“Nuk ishte një gjë e mirë që ky proces të iniciohej për shkak të humbjes së jetës së gjyqtarit Astrit Kalaja. Ky rast nuk duhet të përsëritet më. KLGJ prej kohësh ka kërkuar shtimin e forcave të policisë në mjediset e gjykatës, dhe ishte kjo mungesë që ndikoi edhe në zhvillimin e kësaj ngjarjeje tragjike. Ne kemi bërë publik shqetësimin tonë lidhur me sigurinë e gjykatave, një çështje që duhet të jetë kombëtare dhe jo e lokalizuar vetëm te sistemi. KLGJ nuk mund ta bëjë vetë për shkak të infrastrukturës dhe financimeve përkatëse. Strukturat që kanë për detyrim të ruajnë rendin dhe sigurinë në vend duhet ta ruajnë edhe në sistemin e gjykatave. KLGJ nuk mund të ketë forca të armatosura që të sigurojë vetë sigurinë, duhen forca policore të dedikuara ose punonjës të trajnuar”, tha Rusi.
Kreu i KLGJ-së kërkoi forca policore të dedikuara dhe infrastrukturë të përshtatshme për sigurinë në gjykata. Ai përmendi modelet ndërkombëtare, si ato të Gjermanisë, Austrisë, Italisë dhe Francës, ku siguria në gjykata mbështetet nga forca policore të dedikuara.
“Kemi ngritur grupe pune për verifikimin e sigurisë nëpër gjykata. Të gjitha ato godina kanë nevojë për ndryshime në infrastrukturë dhe kjo është përtej mundësive tona, pasi duhen ndërtuar godina të dedikuara për gjykata, ku më pas të krijohet edhe infrastruktura e duhur e sigurisë. Kjo është çështje vullneti. Kemi modele të shumta që mund të ndjekim, si ai gjermano-austriak që ka një trup të dedikuar për sigurinë në gjykata, apo ai italian dhe francez, ku një forcë e dedikuar policore është në shërbim të sigurisë së gjykatave. Një grup tjetër pune është ngritur edhe për vlerësimin e mëtejshëm të sigurisë në gjykata, me detyrën për të hartuar një plan strategjik dhe një plan veprimi për të ardhmen, që më pas të merren masa konkrete. Një grup tjetër po punon për ndryshimet ligjore, sidomos ato që kanë të bëjnë me sigurinë në gjykata. Kemi rritur ndërveprimin institucional, por përgjigja e institucioneve është se nuk kemi forca dhe burime të duhura përkatëse për të shtuar prezencën në gjykata”, tha ai.











