Nga Roland Qafoku
Është kthyer në telenovelë historia e shkarkimit dhe e përgënjeshtrimit të ministres së Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj të mërkurën e 26 korrikut. Portali “Albanian Post” publikoi i pari lajmin se kryeministri Edi Rama e largoi nga qeveria dhe po Rama, madje dhe vetë Ibrahimaj, e përgënjeshtruan këtë pak orë më vonë si një thashethem vere. Më 8 korrik Rama kishte shkarkuar ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi dhe me dy anëtarë të kabinetit me vizë të kuqe në harkun kohor të 18 ditëve do dukej hapur në publik se ujërat nuk janë aq të qeta në qeveri. Por shkarkimi fake i Ibrahimaj në këto ditë të nxehta korriku nuk do të kishte pikën e rëndësisë përballë asaj që kryeministri Rama ka nisur të mendojë se duhet të projektojë për të ardhmen e qeverisjes së vet. Në mbledhjen e qeverisë në Tepelenë ai pothuajse i la në hije ministrat. Në 27 fotot e publikuara në faqen e tij zyrtare në facebook, më shumë ai dukej duke dëgjuar zëvendësministrat dhe sekretarët e përgjithshëm se sa titullarët e dikastereve. Teksa shfaqet nëpër tavolina duke i dëgjuar, ai dukej sikur po zhvillonte një audicion dhe po i “hetonte” një e nga një nëse e bëjnë apo jo detyrën e ministrit. Të gjithë këtë kapërcim ai e shprehu në një fjali të gjatë me 121 fjalë:
“Është bërë një analizë e arritjeve, por duke i parë arritjet, jo nga këndvështrimi i të djeshmes, por nga këndvështrimi i së ardhmes që do të thotë me sy kritik dhe po ashtu për të diskutuar edhe nevoja për të riorganizuar gjithë procesin qeverisës, duke filluar nga vetë organizimi i këtij procesi në godinën e qeverisë dhe besoj që kemi arritur disa rezultate të dobishme dhe kemi vendosur disa piketa të rëndësishme në mënyrë që sesionin e ri ta fillojmë me një impuls të ri, por edhe me një rritje të konsiderueshme të kapaciteteve qeverisëse, duke forcuar më shumë edhe rolin e zëvendësministrave, por edhe duke përfshirë në vendimmarrje dhe në proces edhe të tjerë drejtues të agjencive të rëndësishme”.
Në shtator Edi Rama futet në vitin e 11-të qeverisjes dhe vërtetë është i pashqetësuar nga opozita e shpartalluar, në aspektin politik ai ndjehet më i sigurtë se kurrë. Veçse, opozita e vetme reale e qverisjes së tij është SPAK. Duhet thënë se sado Rama sforcohet të duket i qetë, arrestimi i ministrave, deputetëve dhe kryebashkiakëve më të rëndësishëm të këtyre viteve e ka tronditur thellë atë dhe maxhorancën. Të gjithë aty janë të tulatur se mos vallë kanë shkelur në dërrasë të kalbur dhe mos vallë kanë hedhur ndonjë firmë diku dhe “shefi i shet”. Kjo e fundit është fraza më e rëndë që dëgjohet këto ditë në ambjentet e PS.
SPAK DHE QEVERIA
Sigurisht që kryeministri e ka tashmë të qartë se drejtësia që ngriti me duart e veta ka nisur të funksionojë dhe pavarësisht fjalëve që thonë eksponentët e opozitës se ajo është e kontrolluar nga Rama, SPAK nuk po pyet shumë nëse politikani që u del në dosje është i majtë apo i djathtë. Është ministër apo ish-ministër. Është socialist i mirë që fiton zgjedhjet në zonën e vet, apo një hajdut që fut duart në buxhetin e shtetit. Për hir të së vërtetës SPAK ka nisur të godasë dhe ky është lajmi më i mirë në Shqipërinë e këtyre 33 viteve. Tashmë nuk ka njerëz të paprekshëm dhe çdo politikani kur i kujton SPAK dridhet, ndërkohë që vetëm pak vite më parë kjo as që mendohej. Ka ikur koha kur dikur çdokush krekosej se ishte i sigurtë që nuk do ta gjente gjë prej gjëje. Dhe Rama e ka mese të qartë se tashmë beteja e tij politike nuk është me opozitën, e cila fatkeqësisht e ka humbur busullën e saj të orientimit. Beteja sot në qeverisje është në raport me ligjin. Situata është vërtetë delikate kur disa ministra dhe zyrtarë janë tashmë pjesë e dosjeve. Në komunitetin e reporterëve të kronikës së zezë përmenden emra të kësaj mazhorance që priten të arrestohen. Ndërsa lajmi më i bujshëm që vjen nga SPAK është se ky institucion i ka kërkuar drejtorisë së burgjeve që të boshatisë mbi 30 qeli, të gatshme për t’u mbushur me politikanë dhe zyrtarë të lartë që priten të arrestohen në një të ardhme të afërt. Me fjalë të tjera, priten tërmete edhe më të rënda për të kaluar kjo mazhorancë.
ATE QË DUHET TË BËJË RAMA
Pyetja e madhe në këtë situatë është: Çfarë duhet të bëjë Edi Rama? Ajo më kryesorja dhe më e imediatja është se ai duhet të pastrojë qeverisjen nga lidhja me krimin, korrupsionin dhe abuzimet me detyrën. Arrestimi i drejtorit të Drejtorisë Operacionale në Policinë e Shtetit, i cili rezultonte se kishte lidhje me persona tejet të inkriminuar është nga ato lajme që tregon se deri ku ka arritur lidhja e pushtetit me krimin. Ndërkohë zëvendësi i tij, Arben Ahmetaj, është në kërkim ndërkombëtar, ndërsa një ish-ministër dhe një deputet janë në qeli për të njëjtën dosje. Në situatën që ndodhet, Rama ka kuptuar se nuk mund të ketë qeverisje të ndershme me njerëz të korruptuar. Nuk mund të ketë qeveri të qetë me ministra që kanë dosje në SPAK dhe po ashtu ai është i bindur se nëse do të kishte një opozitë të fortë dhe me moral, ai realisht do të ishte në vështirësi për të qenë më kryeministër. Por në kushtet që ndodhemi, zgjidhja mund të vijë vetëm prej tij. Nëse vërtetë ka ndërmarrë një operacion për “vetëreformim” kryeministri duhet ta nisë së pari me pastrimin e qeverisjes nga këta lloj njerëzish. Në fakt, si fillim Rama nisi një pastrim, ndonëse e mohoi publikisht se ky ishte i tillë. E nisi këtë në fakt me partinë duke shkrirë të gjithë sekretariatin dhe shkarkoi edhe sekretarin e Përgjithshëm. Por, partia është një gjë dhe qeveria një gjë tjetër. Pikërisht pastrimi i qeverisë është ai më i rëndësishmi dhe më i vështiri. Deri më sot duhet thënë se një pjesë e emërimeve në këto 10 vjet qeverisje lënë shumë për të dëshiruar. Këtu fjala është për ministra dhe drejtorë të rëndësishëm institucionesh, por edhe drejtorucë që ia lehtësojnë kundërshtarëve të hedhin akuza duke krijuar një perceptim se PS në pushtet vjedh. Rama e ka ditur se ata të tillë kanë qenë, por pavarësisht kësaj ka hedhur firmën e emërimit të tyre. Prandaj në këto momente ka shansin që pjesën e mbetur të qeverisjes ta vijojë me njerëz të pastër, të ndershëm dhe me integritet dhe jo xhonglerë parash. Dhe Partia Socialiste ka jo pak të tillë. Nuk po rendim ata që e kanë namin si të korruptuar, të përfshirë në mënyrën se si i kanë raportet me menaxhimin e parave të shtetit. Nuk po përmendim as ata ministra që janë denoncuar në SPAK dhe janë afër vënies nën akuzën zyrtare. Rama duhet t’i largojë ata nëse synon dhe mendon me të vërtetë që qeverinë duhet ta mbajë larg akuzave. Por po rendisim ata që në publik kanë opinionin e të ndershmit. Çdokush mud të ketë rezerva politike dhe teknike, por besohet se të gjithë bien dakord se Erion Braçe, Milva Ekonomi, Bledi Çuçi, Evis Kushi, Eglantina Gjermeni, Shkëlqim Cani, Sandër Lleshaj, Ulsi Manja që kanë qenë dikur apo janë ende pjesë e qeverisë janë të papërfolur për raportet e tyre me paratë e shtetit. Mund të ketë çeduar dikush prej këtyre në vendime teknike dhe politike, por asnjë prej këtyre emrave nuk kanë qenë pjesë e abuzimeve me financat publike dhe askush prej tyre nuk është akuzuar për korrupsion. Sigurisht që Rama e di këtë, por ajo që dihet është se kjo skuadrilje e ndershme nuk ka qenë e preferuar shumë për kryeministrin. Por në situatën që ndodhet ai vërtetë ka nevojë për ndershmërinë e tyre. Dhe nëse do bëjë ndryshime në qeveri ai duhet të ketë referencë pikërisht ndershmërinë e këtyre ministrave dhe si këta ka edhe shumë të tjerë të lënë në hije vetëm e vetëm se nuk janë prestigjatorë parash. Do të ishte e pafalshme që në prurjet e reja ai të bënte pjesë të kabinetit sërish këta lloj tipash dhe më pas të thotë që nuk e dija se “hante kumbulla pas kurrizit tim”, apo “bënte edhe punën e shtetit edhe të xhepit”. Jo. Ne e dimë të gjithë që Rama ka informacion për këdo dhe për gjithçka dhe si e tillë ai i njeh dhe nuk ka justifikim se nuk i njihte këtë dhe atë. Rama i njeh aq mirë sa askush tjetër. Ky moment është shumë i rëndësishëm për të personalisht, por edhe për mbarëvajtjen e qeverisë dhe më shumë se kaq për të ardhmen e vendit. Nevoja për njerëz të ndershëm në qeverisje është më imperative se asnjëherë tjetër.