• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, March 13, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Neue Zürcher Zeitung/ Rama: E bukura mund të shkatërrojë kriminalitetin

by Java News
29/11/2018 14:30
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Edi Rama është kryeministër i Shqipërisë – dhe artist. Në Rostock (të Gjermanisë) ai shpjegon se si arti e arkitektura po e ndryshojnë vendin e tij.

 

Nga Antje Stahl

Në Rostock të Gjermanisë, në bregun e Detit Baltik, kryeministri i Shqipërisë nuk pritet nga një turmë zyrtarësh të sigurisë dhe nga politikanët, por nga një zonjë fjalëpakë, deri diku qejfprishur që rri para arkës së Galerisë së qytetit të Rostockut.

Është e shtunë pasdite dhe drejtori i Galerisë është larguar sërish për t’u bërë gati për hapjen e ekspozitës në mbrëmje, dhe në përgjithësi as majtas, as djathtas s’shihet njeri. Edi Rama hyn qyqe vetëm në Galeri dhe menjëherë lakon nga hapësira e ekspozitës, për pak deshëm ta kapim për xhaketen e trashë për t’i thënë: «Tung, kam nderin». Një pritje për një burrë shteti duket disi ndryshe. Por, okej.

Për Edi Ramën ky udhëtim në Gjermani – ai shoqërohet nga bashkëshortja dhe djali i tij i vogël – është diçka si kënaqësi private. Nuk bëhet fjalë për politikë, por për artin e tij; ndonëse këto dy fusha të jetës së tij zor se mund të ndahen. Si në zyrën e tij në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë, edhe në muret e Galerisë në Rostock qëndron e varur një letër muri, mbi të cilën janë shtypur vizatime, të cilat ai me qejf i përjetëson edhe në letrat e vjetra të aparatit shtetëror. Në mbrëmje ai do t’ia dhurojë Galerisë së Rostockut një fletë nga agjenda e tij e vitit 2015, ku nën figurat florale shihet shënimi «Tête-à-Tête» (takim kokë më kokë) me Angela Merkelin.

«Në të vërtetë ka qenë e planifikuar që ekspozita të hapet më herët», tregon Edi Rama në një zyrë të vogël, pas kafeterisë, «por vitin e kaluar u zhvilluan zgjedhjet». Ky është mandati i tij i dytë si kryeministër i Shqipërisë, më 2017 Partia Socialiste fitoi shumicën absolute në parlament. Në një fundjavë si kjo, thotë ai, punën mund ta kryej edhe nga telefoni i tij mobil – dhe vazhdon të «shfletoj» ekranin. Ky burrë trupgjatë është larg nga paraqitjet e zbehta të politikanëve me kravatë, siç i organizojnë zyrat për relacione publike. Në fushatat e tij elektorale Edi Rama ka bashkëpunuar edhe me bendin e hip-hopit West Side Family dhe për spotin «Çohu» të këtij bendi ai lundron nëpër botën e fëmijëve, peshkatarëve, bujqve dhe minatorëve të vendit me qëllim që t’i mobilizojë – duke kënduar rep. Hajde, pra, të njoftohemi me një artist aktivist.

 

Jeni arsimuar si artist në një vend ku arti nuk ishte i lirë. Si ju ka karakterizuar ky edukim?

Edi Rama: Kemi pasur një sistem arsimor shumë profesionist, si në shkollë po ashtu edhe në Akademinë e Arteve, e cila bazohej në modelin sovjetik. Domethënë: ligjërohej për artin figurativ, për realizmin socialist, dhe qëllimi ishte që të përgatitemi për t’u bërë të ashtuquajtur ushtarë të shpirtit dhe të marrin nën kontroll kullën e vrojtimit për socializmin. Por, historia e artit në Shqipërinë e shekullit ’20 mori fund me Gustave Courbet, gjithçka tjetër ishte e ndaluar, andaj na tërhiqte aq shumë.

Edhe 20 vjet pasi ka filluar karrierën e tij politike duhet përkujtuar se Edi Rama u bë i famshëm, sepse hodhi në ajër formatet klasike të artit dhe e trajtoi një qytet të tërë si pëlhurë për të pikturuar.

Fasadat e hirta, rrugët me vragë, të cilat karakterizonin pamjen e qytetit të Tiranës dhjetë vjet pas fundit të komunizmit, i ka ruajtur në një film artisti Anri Sala. Po ashtu si punët e ngjyrosjes së fasadave – «ngjyrat», të cilat, siç kishte thënë Edi Rama, atëherë kryetar i Bashkisë, para kamerës së mikut të tij, qytetet duan t’i «bartin si rrobat», por për Tiranën ato, sipas Ramës, ishin si «organe» dhe do të ndryshonin shpirtin e qytetit dhe sjelljen e banorëve.

Për këtë arsye për komunitetin ndërkombëtar të artistëve dhe arkitektëve Edi Rama mishëron diçka që si avangardë artistike që mendohej se është zhdukur; filozofi (francez) Jacques Rancière politikën e Ramës e percepton madje në kuptim të Friedrich Schillerit si «edukim estetik të njeriut» – pra, teoria qëndron mbi problemet reale edhe të këtij vendi, siç janë varfëria, korrupsioni, krimi i organizuar. Duke iu përgjigjur thënies së Kantit mbi mendjen e kulluar Schilleri shkroi se njeriu shtegton nëpër të bukurën drejt lirisë. Por, këta idhuj Rama nuk ishte lejuar t’i studionte.

«Arti abstrakt ishte i ndaluar», thotë ai. «Impresionizmi dhe (Kazimir Severinoviq) Maleviqi censuroheshin. Nëse lexoje librat e gabuara mund të burgoseshe. Disa qarkullonin fshehtas, kështu që kam pasur njohuri për veprat e Paul Klee».

Ju flisni për «bukurinë si rojtare», e cila madje do të mund të kompensonte edhe mungesën e forcave policore. A është arti ende në shërbim të politikës së një partie – apo si mund ta kuptojmë këtë?

Edi Rama: Unë jam bërë ministër i Kulturës, kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe në fund kryeministër në një vend, i cili në mënyrë thelbësore dallon nga të tjerët. Kam parë se e bukura vërtet mund të zgjidhë probleme dhe me atë rast u ndihmon njerëzve dhe qyteteve që të mendojnë ndryshe për veten. E bukura mund të shkatërrojë kriminalitetin dhe anarkinë dhe të mundësojë diçka si krenaria, identiteti dhe përkatësia. Së paku në Tiranë ajo e pati këtë efekt magjik.

Ju jo vetëm që keni dhënë urdhër për zbukurimin e ndërtesave, të cilat janë ngritur në nirvanën politike, para së gjithash pas krizës politike dhe financiare të vitit 1997. Si keni arritur ta bindni popullsinë?

Edi Rama: Kur u zgjodha kryetar i Bashkisë, tërë hapësira publike ishte e zaptuar. Nuk po e them këtë në mënyrë metaforike, por në kuptimin e plotë të fjalës: s’kishte asnjë centimetër bar, shtrati i lumit ishte mbuluar me beton, parqet, kopshtet e muzeve. Kudo qëndronin pallate një deri tetëkatëshe të ndërtuara ilegalisht, pallate me bare e dyqane, ku bëhej biznes në kurriz të popullit. Kam arritur që 10 mijë ndërtesa të tilla të rrëzohen, por për këtë gëzoja përkrahjen e njerëzve, sepse ata kishin humbur gjithçka, para së gjithash hapësirën e përbashkët për komunitetin.

 

E ashtuquajtura arkitekturë informale romantizohet me qejf – pallatet e zaptuara në Venezuelë fitojnë çmime në Bienalen e Venecias, ku janë prezantuar edhe veprat tuaja artistike. Dyqanet në rrugë në Kinë shihen si shenja të kryengritjes. A mund ta kuptoni këtë?

Edi Rama: Mendoj se ne përherë duam atë që nuk e kemi dhe përherë e kemi atë që nuk e duam. Në Zvicër dikush do të mund të bënte vetëvrasje për shkak se asgjë nuk dështon, nuk ka sfida. Në Shqipëri njerëzit mund të vrasin veten për shkak se gjithçka dështon.

Pas ngjyrosjes së qytetit dhe hapjes së hapësirës publike, Edi Rama filloi me ndërtime. Në kuadër të një ligjërate të organizuar nga platforma «Ted», të cilën e ka mbajtur para disa vitesh në Selanik, ai tregoi për një bisedë me Bankën Botërore, të cilën dëshironte ta bindte të përkrahte me para ndërtimin e një zyre të re dhe të madhe bashkiake për qytetarët. Rama thoshte se shqiptarët mund të pajiseshin me dokumente vetëm përmes dy dritareve të errëta, të cilat i përkisnin barakave prej metali. Korrupsioni, sipas Ramës, fillonte që në radhët e pritjes, ku qytetarët paguanin për të kryer punë më shpejt. Nuk janë gjenet që favorizojnë krimet, thotë ai, por sistemet, organizimet dhe ambienti.

 

Kritikët ju akuzojnë se bëni politikë kozmetike, kemi dëgjuar se fasadat e ngjyrosura po zbehen. A mund ta modernizojnë një vend projektet e reja arkitektonike? A mund të jenë motor për ndryshime shoqërore?

Edi Rama: Për mua hapësira publike ka luajtur përherë rol të veçantë. Ajo ndikon në jetë dhe në imazhin që komuniteti ka për veten. Kur kam qenë kryetar i Bashkisë, për mua ishte me rëndësi që t’i jepej dora e fundit sheshit qendror të Tiranës, Sheshit Skënderbej. Synimi ishte që këtu, në një bulevard, të krijohet qyteti modern me ndërtesat reprezentative, por ndërtimi i sheshit nuk mori fund kurrë, sepse erdhi komunizmi. Sheshi i bë një vend ku secili pushtetar kishte lënë gjurmët e tij dhe pothuaj s’mund të konsiderohej më si qendër. Gjithkund kishte vetura, nuk mund të shëtisje.

 

Në vitin 2008 studioja belge e arkitekturës 51N4E fitoi një konkurs ndërkombëtar. Një dekadë më vonë projekti me kopshtet dhe fontanat e tij merr çmimin «The European Prize for Urban Public». A e lehtësojnë mirënjohje të tilla punën tuaj si politikan, ta zëmë kur bëhet fjalë për anëtarësimin në BE?

Edi Rama: Kemi pasur shumë fat me këta arkitektë fantastikë. Dhe kemi qenë këmbëngulës. Qeveria e re, e cila ishte në pushtet mes meje dhe kryetarit të tanishëm të Tiranës, e bllokoi përkohësisht projektin dhe e ndryshoi në atë mënyrë, saqë ne u gjendëm para një parkingu dhe një grumbulli me bërllok.

 

Ndërkohë po planifikohen e ndërtohen teatro, shkolla dhe qendra biznesi nga studiot e famshme të arkitekturës: Daniel Libeskind, Coop Himmelb(l)au, BIG, MVRDV, Stefano Boeri, i cili madje ka përgatitur një masterplan për Tiranën e vitit 2030. A është Shqipëria Meka e re për arkitekturën?

Edi Rama: Zvicra i ka arkitektët më të mirë dhe më impresivë. Valerio Olgiati është gjeni, ai e ka realizuar një ndërtesë të mrekullueshme në Tiranë, shpresoj shumë se do të kthehet prapë këtu. Me ato pak mjete që i kemi në dispozicion kemi arritur të realizojmë disa projekte të mira. Po mendojmë se si ta zhvillojmë edhe më shumë Shqipërinë si vend të artit dhe arkitekturës: t’u ofrojmë hapësirë arkitektëve të rinj nga Afrika dhe kontinente të tjera, të cilët e kanë vështirë të depërtojnë në Europë, që ata të hapin këtu studiot e tyre, duke iu krijuar lehtësi tatimore, për shembull.

 

Çfarë mendimi keni për zhvillimet e kundërta kulturoro-politike në Hungari apo Poloni? Nën qeverinë e Viktor Orbanit Akademia e Arteve në Budapest u shpall qendër e pushtetit nacional…

Edi Rama: Nuk jam në dijeni për rastet individuale, por përvoja më ka mësuar se diktatorët ua kanë frikën individëve. Arti është vendi ku individualizmi gjen shprehjen e vet më të shfrenuar. Ekziston një tendencë për të uniformuar artin dhe kulturën dhe për t’ia nënshtruar ato një misioni të caktuar. Kjo është e tmerrshme. Nëse përzihet politika, epilogu nuk mund të jetë i mirë.

Me qejf do ta pyesnim Edi Ramën mbi rolin e partisë së tij në zhvillimin e qytetit, por edhe të investitorëve të huaj. Në Tiranë në vitin 2019 do të hapet xhamia më e madhe e Shqipërisë, një dhuratë e Rexhep Taip Erdoanit. Por, Edi Rama çohet në këmbë, shënon numrin e tij të telefonit dhe paralajmëron një konferencë në pranverë, ku pritet të farkëtohen plane të tjera për artin e kulturën. «Faleminderit, Edi Rama». Në korridor, duke u kthyer në kafeteri dhe te arti i tij, ai thotë edhe këtë: «Natyrisht ka investitorë».

Hapja e ekspozitës bëhet me pamje nga letrat e murit dhe skulpturat e qeramikës të Edi Ramës. Disa zyrtarë të sigurisë me butona në vesh kanë ardhur, megjithatë, edhe kryetari i Bashkisë së Rostockut dhe ish-kryeministri i landit Mecklenburg-Vorpommern gjenden këtu. Jo vetëm mes rreshtave të fjalimeve të hapjes dëgjohet të thuhet se Shqipëria ende bart imazhin e një vendi ballkanik të huaj, të errët atje diku në juglindje, dhe fakti se një politikan është artist dhe madje ka luajtur basketboll për ekipin kombëtar, konsiderohet padyshim si diçka e habitshme. Edi Rama e injoron këtë mjeshtërisht me buzëqeshje – këtu nuk e sheh të udhës të dalë jashtë kornizave.

(Ekspozita e Edi Ramës në Galerinë e Rostockut është e hapur deri më 6 janar 2019). Përktheu nga gjermanishtja: E. Robelli

Next Post
Intervista/ Ja kategoritë e ushtarakëve që detyrohen të kthejnë paratë e pensioneve

Intervista/ Ja kategoritë e ushtarakëve që detyrohen të kthejnë paratë e pensioneve

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Analiza/ Pse heshtën amerikanët për Belinda Ballukun?

Analiza/ Pse heshtën amerikanët për Belinda Ballukun?

March 12, 2026
“SPAK është pasuri kombëtare”, deputeti i PS-së u përgjigjet ambasadave pas reagimeve për imunitetin e Ballukut

“SPAK është pasuri kombëtare”, deputeti i PS-së u përgjigjet ambasadave pas reagimeve për imunitetin e Ballukut

March 12, 2026
“Mos shfrytëzoni krizën rajonale”, Turqia paralajmëron Greqinë për aktivitetet ushtarake në Egje

“Mos shfrytëzoni krizën rajonale”, Turqia paralajmëron Greqinë për aktivitetet ushtarake në Egje

March 12, 2026
Alarm nga Uashingtoni/ Kongresmenë e senatorë i shkruajnë Rubios: Mos reduktoni trupat në Kosovë

Alarm nga Uashingtoni/ Kongresmenë e senatorë i shkruajnë Rubios: Mos reduktoni trupat në Kosovë

March 12, 2026
“Shtëpitë e barit” në Shkodër përplasin policinë me OSHEE-në: Po prangosen punonjësit në çdo aksion

“Shtëpitë e barit” në Shkodër përplasin policinë me OSHEE-në: Po prangosen punonjësit në çdo aksion

March 12, 2026
Përfshihet nga flakët një banesë në Tiranë, humb jetën 72-vjeçari

Përfshihet nga flakët një banesë në Tiranë, humb jetën 72-vjeçari

March 12, 2026
Kriza pas luftës në Iran, Italia do përdorë gati 10 milionë fuçi naftë nga rezervat e emergjencës

Kriza pas luftës në Iran, Italia do përdorë gati 10 milionë fuçi naftë nga rezervat e emergjencës

March 12, 2026
Takimi i ambasadores së SHBA në Athinë me Ramën në Kryeministri, Dritan Hila: Përcolli një mesazh

Takimi i ambasadores së SHBA në Athinë me Ramën në Kryeministri, Dritan Hila: Përcolli një mesazh

March 12, 2026
Ambasadorët, Europa dhe komunizmi që nuk e pamë kurrë

Ambasadorët, Europa dhe komunizmi që nuk e pamë kurrë

March 12, 2026
Boçi: Ndërkombëtarët na kërkuan një protestë të qetë për t’i dhënë vëmendje vendimit absurd për Ballukun

Boçi: Ndërkombëtarët na kërkuan një protestë të qetë për t’i dhënë vëmendje vendimit absurd për Ballukun

March 12, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In