Kompania zvicieriane, MABCO Constructions SA ka paralajmëruar shtetin shqiptar se do t’i drejtohet arbitrazhit ndërkombëtar për situatën e krijuar në aeroportin e Vlorës, nëse deri më 28 maj 2026 nuk ndërmerret një ndërhyrje institucionale për situatën e krijuar, ku kompania është përjashtuar faktikisht nga kantieri dhe nga kontrolli operacional i investimit të saj.
Në një letër zyrtare drejtuar kryeministrit Edi Rama, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Avokaturës së Shtetit dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, kompania në pronësi të Behgjet Pacollit deklaron se, megjithëse zotëron 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare VIA dhe është investitori kryesor, financuesi dhe garantuesi i projektit, përfaqësuesve, inxhinierëve, specialistëve dhe nënkontraktorëve të saj u është ndaluar hyrja në aeroport që prej 18 majit 2026.
Kompania pretendon se administrimi i kontestuar i VIA-s, i mbështetur nga veprime dhe mosveprime të institucioneve shtetërore, po tenton të marrë kontrollin faktik të projektit në momentin kur aeroporti ndodhet pranë hyrjes në fazën operacionale. Sipas MABCO-s, kjo po ndodh ndonëse nuk ekziston asnjë transferim kuotash i regjistruar në QKB apo i miratuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për kalimin e kontrollit nga MABCO te 2A Group, aksioneri me 2% të kuotave.
MABCO thekson se, që prej shtatorit 2025, ka dërguar mbi 50 letra dhe njoftime formale institucioneve shqiptare, pa marrë, sipas saj, asnjë përgjigje substanciale. Në dokument kompania pretendon se veprimet dhe mosveprimet e institucioneve shqiptare përbëjnë shkelje të Marrëveshjes së Koncesionit dhe të Traktatit Dypalësh të Investimeve Zvicër–Shqipëri.
Njoftimi i kompanisë MABCO
MABCO i kërkon shtetit shqiptar ndërhyrje urgjente për Aeroportin e Vlorës: afati i fundit 28 maj 2026, përpara arbitrazhit ndërkombëtar
MABCO Constructions SA i ka dërguar një letër zyrtare Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Avokaturës së Shtetit, Zyrës së Kryeministrit dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, duke njoftuar se situata në projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës ka kaluar nga paralajmërimet e përsëritura në përjashtim faktik të MABCO-s nga kantieri dhe nga kontrolli real i investimit të saj.
Në letër, MABCO thekson se vepron si zotëruese e 98% të kuotave të Vlora International Airport – VIA sh.p.k., si investitori kryesor, financuesi dhe garantuesi i projektit, dhe jo si kontraktor i zakonshëm. Kompania pretendon se 2A Group, ortak me 2% të kuotave, po tenton të marrë kontrollin faktik të projektit përmes një administrimi të kontestuar të VIA-s, të regjistruar në QKB, megjithëse sipas MABCO-s nuk ekziston asnjë transferim kuotash i paraqitur për regjistrim në QKB apo i miratuar nga MIE.
MABCO referon se më 14 maj 2026 administrimi i kontestuar i VIA-s lëshoi një njoftim për ndërprerjen e marrëdhënieve të ndërtimit, të cilin MABCO e refuzoi më 16 maj 2026. Më 17 maj u komunikua kufizimi i aksesit në kantier, ndërsa më 18 maj përfaqësuesve, inxhinierëve, specialistëve, punonjësve dhe nënkontraktorëve të MABCO-s iu ndalua fizikisht hyrja në kantier. Më 21 maj, sipas kompanisë, u lëshua një tjetër njoftim që synon ta paraqesë përjashtimin e MABCO-s si “refuzim për bashkëpunim” dhe të krijojë bazë për inventarizim ose marrje të njëanshme të punimeve, pajisjeve, dokumentacionit dhe materialeve teknike të MABCO-s.
Sipas MABCO-s, ky përjashtim nuk mbështetet në asnjë vendim gjyqësor të formës së prerë, në asnjë vendim të ligjshëm të Autoritetit Kontraktues dhe në asnjë akt të vlefshëm që do të justifikonte largimin e investitorit kryesor nga një projekt strategjik. Kompania pretendon gjithashtu se Policia e Shtetit është përdorur për zbatimin praktik të një vendimi privat të kontestuar, duke krijuar një situatë faktike në favor të 2A Group.
Në letër ngrihen edhe shqetësime për sigurinë dhe lirinë e lëvizjes së specialistëve ndërkombëtarë në zonën e akomodimit të kantierit, përfshirë specialistë kinezë, si dhe për bllokimin për më shumë se shtatë muaj të pajisjeve kritike për certifikimin, përfshirë automjete zjarrfikëse dhe pajisje X-Ray. MABCO kërkon që, përpara çdo hapi drejt certifikimit të aeroportit, të kryhet një auditim teknik i pavarur ndërkombëtar i pistës dhe sistemeve të fushës ajrore, përfshirë AGL, ALS, PAPI dhe sistemet përkatëse të sigurisë aeroportuale.
MABCO njofton se, që prej shtatorit 2025, ka dërguar mbi 50 letra dhe njoftime formale institucioneve shqiptare, pa marrë përgjigje substanciale. Sipas kompanisë, veprimet dhe mosveprimet e institucioneve përbëjnë shkelje të Marrëveshjes së Koncesionit, përfshirë nenet 11.5, 11.9, 13 dhe 18, si dhe të Traktatit Dypalësh të Investimeve Zvicër–Shqipëri.
Në aspektin ekonomik, MABCO deklaron se projekti është mbështetur nga mbi 90 milionë euro kapital, 6 milionë euro interesa të paguara mbi financimin, 10 milionë euro kontribute direkte të MABCO-s, 152 milionë euro ekspozim kolaterali dhe një garanci financiare me kërkesë të parë prej 72 milionë eurosh. Kompania vlerëson se vlera ekonomike e vënë në rrezik është në rendin 250–300 milionë euro.
Përmes letrës, MABCO i kërkon shtetit shqiptar që deri më 28 maj 2026 të garantojë akses të menjëhershëm dhe të mbrojtur në kantier për MABCO-n dhe stafin e saj, të ndalojë përdorimin e policisë për përjashtimin e investitorit kryesor, të sigurojë lirinë e lëvizjes dhe kushtet bazike për punonjësit dhe specialistët, të ruajë provat, të zhbllokojë pajisjet kritike në dogana, të mos njohë efektet e njoftimeve të kontestuara të datave 14 dhe 21 maj 2026, si dhe të organizojë një takim urgjent institucional me MIE, NjZP, Autoritetin e Aviacionit Civil, Albcontrol, Inxhinierin e Pavarur dhe BKT.
Në mungesë të përmbushjes së këtyre kërkesave deri më 28 maj 2026, MABCO paralajmëron nisjen e arbitrazhit ndërkombëtar kundër Republikës së Shqipërisë sipas Traktatit Dypalësh të Investimeve Zvicër–Shqipëri dhe ndjekjen e të gjitha mjeteve juridike të parashikuara në Marrëveshjen e Koncesionit dhe në ligj.











