Nga Prof. Paskal Milo
Përvjetori i 75-të i çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi nazi-fashist erdhi si të gjithë përvjetorët e tjerë paraardhës pa na pyetur, ashtu siç do të vijnë edhe përvjetorët e tjerë në të ardhmen. Ngjarjet historike, veçanërisht ato më të shquarat i kalojnë kufijtë e kujtesës së një brezi apo të disa brezave njerëzorë. Ato janë farkëtuese të themeleve të identitetit e të ndërgjegjes kombëtare dhe referenca të përjetshme të tyre, udhërrëfyes i rrugëtimit të gjatë të një kombi që kanë përcaktuar mbijetesën e zhvillimin dhe si të tilla ato kanë qenë e mbeten të gjithëpranuara. Të tilla kanë qenë lufta e shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut kundër pushtimit osman,
Lidhja Shqiptare e Prizrenit për autonomi e në mbrojtje të territoreve shqiptare nga copëtimi, si dhe shpallja e pavarësisë dhe krijimi i shtetit kombëtar në 28 nëntor 1912. Për këto tri ngjarje në historinë kombëtare e shtetërore shqiptare ekziston konsensusi më i madh i mundshëm në vlerësimin e rëndësinë e tyre.
Por historia e një kombi dhe e një shteti është një shumësi ngjarjesh e fenomenesh, të mëdha e të vogla, politike, ekonomike, sociale, ushtarake, kulturore, etj. Çdo shekull ka lënë vulën e tij në historinë shqiptare që e ka dalluar nga të tjerët. Shekulli i XX-të, paraardhësi i kohës që po jetojmë ka gdhendur në kujtesën historike shqiptare tri ngjarje dhe kthesa të mëdha: formimin e shtetit kombëtar në vitin 1912, pushtimin nazi-fashist të vendit, rezistencën dhe luftën çlirimtare në vitet 1939-1944 dhe rrëzimin e regjimit komunist në vitet 1990-1992, pas një sundimi 45 vjeçar të tij.
Përkujtimi i 75 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nuk duhet të jetë thjeshtë një borxh që shoqëria e sotme e përçarë shqiptare ka ndaj kësaj Lufte, që mund të lahet me disa fjalime shpesh të pandiera e plot hipokrizi para një grushti veteranësh që ende janë gjallë apo familjeve të dëshmorëve të saj, me ceremoni burokratike e protokollare, të vendosjes së kurorave e luleve në varrezat që quhen të dëshmorëve apo në ato pak monumente partizane që kanë mbetur e që duken si prehistorike para shkëlqimit të mermerit e të ornamenteve të monumenteve të kuislingëve e të tradhtarëve në këto vite të çuditshme rrumpalle demokracie.
Ata që duan të qortojnë këto fjalë kritike por të sinqerta u duhet thënë që të bënin një të njëmijtën e asaj që kanë bërë e po bëjnë kombet e tjerë në përvjetorë të tillë jubilarë, të kenë një fytyrë e një qëndrim e të mos i shmangen me spërdredhje oratorie e gjestikulacione prestigjiatorësh politikë të majta e të djathta përgjegjësisë që kanë për të nderuar e respektuar të rënët e kombit në një nga kohët më dramatike të historisë së tij.
***
Lufta e Dytë Botërore në përmasat që ajo u zhvillua në një vend të vogël si Shqipëria nuk ka pa as më të voglin dyshim dimensionet, vlerat strategjike, humbjet njerëzore e materiale por as edhe kontributet në fitoren e saj siç kanë patur Fuqitë e Mëdha të Kombeve të Bashkuara. Por Shqipëria e vogël si anëtare reale dhe e denjë e familjes botërore antifashiste pësoi humbje njerëzore e materiale të shumta, por dha edhe një shembull të madh që pak kombe të vegjël si shqiptarët e bënë. Fitoren dhe lirinë nuk pritën t’ua sjellin të tjerët por bënë detyrën e tyre para atdheut, Aleatëve dhe historisë.
Këtë të vërtetë të madhe e kanë njohur që në kohën e Luftës e pas saj Aleatët e Mëdhenj, është fiksuar në dokumente ndërkombëtare dhe ka fituar vendin në panteonin e lavdisë. Ndaj është koha që kjo e vërtetë plotë dritë të shkëlqejë e të shfaqet ballas, pavarësisht se ka e do të ketë njerëz që me gjuhë të hidhur e të përdalë do të bëjnë atë që kanë bërë gjithmonë: do të shpifin, do të mohojnë, do shtrembërojnë e do të mallkojnë këtë Luftë. E ndërsa ata bëjnë e do të bëjnë si përherë këtë zanat është dita e shënuar që shqiptarët antifashistë dhe evropianë të përulen me respekt para kujtimit të dëshmorëve pa dallim bindje politike, ideje, feje. Dhe që e drejta dhe merita të shkojnë atje ku edhe kontributet janë më të mëdha, analiza fillon me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Lufta Antifashiste NacionalÇlirimtare me kontributet dhe fitoret e saj si dhe me njohjen ndërkombëtare që iu bë është tashmë një pasuri kombëtare dhe një shprehje identitare e profilit antifashist të popullit shqiptar. Termi si fjalë, si kuptim, si përmbajtje dhe si forcë njerëzore është kundërshtuar që në vitet e Luftës nga forcat rivale politiko-ushtarake, Balli Kombëtar e Legaliteti me emërtime dhe akuza që nuk kishin të bënin me thelbin por me luftën për pushtet dhe me mënyrën se si ato kërkonin të siguronin atë në të ardhmen. Thuajse po të njëjtat epitete dhe “argumente” përdorin sot edhe trashëgimtarët politikë, ideologjikë e biologjikë për të ç’kurorëzuar Luftën Antifashiste NacionalÇlirimtare. Ndaj është detyrë parësore, qytetare e shkencore që shqiptarëve e sidomos brezit të ri t’u jepet një analizë e thelbit dhe e karakterit të kësaj Lufte në dritën e së vërtetës historike. Lufta Antifashiste NacionalÇlirimtare ka patur katër tiparet kryesore të saj: ajo ishte antifashiste, kombëtare, popullore dhe çlirimtare.
Karakteri antifashist. Kjo Luftë që në fillesat e saj u pagëzua si antifashiste jo vetëm nga programi i partisë që e udhëhoqi atë, jo vetëm nga platforma e Konferencës së Pezës, e Këshillit të Përgjithshëm NacionalÇlirimtar dhe e Kongresit të Përmetit, jo vetëm nga njohja dhe mbështetja e Aleatëve të Mëdhenj të Kombeve të Bashkuara, por mbi të gjitha nga aksioni i pandërprerë i armatosur i saj kundër pushtuesve nazi-fashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre.
Antifashizmi është fenomen historik, kryesisht evropian, por këto vitet e fundit ka një prirje për studime transnacionale ose krahasuese të tij. Këto studime janë përqendruar në “varietetet e antifashizmit”, në kuptimet e ndryshme të tij si koncept si dhe në lidhjet e tij me lëvizjet e mëparshme antifashiste. Debatet e sotme akademike mbi natyrën e antifashizmit e kanë transformuar kuptimin origjinal të antifashizmit të para Luftës së Dytë Botërore, i cili megjithatë siç thotë njëri prej studjuesve të tij (Siedman), “mbeti ideologjia më e fuqishme e shekullit të XX-të”.
Autorë të tjerë janë marrë gjerësisht jo vetëm me origjinën e antifashizmit dhe thelbin e konceptit, por edhe me llojet ose varietetet e tij. Ata kanë aplikuar dy kategori konceptuale për të identifikuar natyrën e antifashizmit në vende e rajone të ndryshme: përkatësinë ideore dhe politike dhe vullnetin për të vepruar aktivisht ose për të qëndruar pasiv. Në vitet 1930, ende pa filluar Lufta e Dytë Botërore “antifashizmi ishte diçka shumë më i përgjithshëm, një mentalitet që ndahej midis komunistëve, socialistëve, liberalëve dhe madje me shumë konservatorë” (Anson Rabinbach). Në këtë kuptim veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore, lëvizja antifashiste nuk mbeti monopol i partive komuniste apo i të majtës në përgjithësi, por pati rryma të ndryshme antifashizmi: social demokrat, liberal, republikan, konservator, etj.
Studiuesit i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë raportit midis antifashizmit aktiv dhe atij pasiv që Rabinbach e ka diferencuar me vlerësimin se “në betejën globale për jetë a vdekje kundër fashizmit nuk mund të ketë qëndrim në mes, hapësirë neutrale dhe jo-luftëtarë”. Anglezi David Renton ka bërë dallimin midis antifashistëve dhe “jo-fashistëve”. Për të parët thotë se ata e kuptuan korrekt thelbin e fashizmit, mbështetën rezistencën e organizuar, aktive, kundërshtuan ngritjen e fashizmit dhe bënë përpjekje për të ndaluar rritjen e tij. Për të dytët shkruan se “kundërshtuan idetë fashiste, por nuk u mobilizuan për ta ndaluar fashizmin”. Zhak Droz i quan këto shtresa si “kategori të fjeturish që, pa qenë opozitarë nuk kanë bërë kurrë paqe me regjimin”, ndërkohë që Meri Nolan i cilëson si “zëra e vizione të heshtura e të harruara” të antifashizmit.
Qëndrova pak sa gjatë në shpjegimin e thelbit të antifashizmit dhe të disa teorive që qarkullojnë rreth tij edhe si një përgjigje ndaj disa dukurive të ngjashme në mjedise të caktuara shkencore shqiptare që synojnë t’i transplantojnë ato në realitetin historik të Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore. Shtresa të caktuara sociale shqiptare që kanë qëndruar mënjanë rezistencës aktive antifashiste sigurisht që ka patur në Shqipëri por atyre nuk mund t’u atribuohet asnjë rol antifashist edhe kur ato mund të kenë ushqyer në heshtje ndjenja antifashiste.
Karakteri Kombëtar. Lufta antifashiste në Shqipëri mori karakter kombëtar. Ky tipar i saj ka dy dimensione, shtrirjen horizontale gjeografike të përhapjes së saj dhe dimensionin vertikal historik të trashëgimisë së saj. Rezistenca aktive antifashiste në Shqipëri u shfaq në fillim në formën e saj fillestare të protestave e të demonstratave në sheshet dhe rrugët e qyteteve më kryesore të vendit për të kaluar pak më vonë në aksione guerile ndaj forcave pushtuese dhe infrastrukturës së tyre. Një hop cilësor i saj në përmbajtje e në shtrirje që u bë nga pranvera e vitit 1942 deri në verën e vitit 1943 ishte krijimi i çetave dhe i batalioneve partizane e të Ballit Kombëtar. Formacionet e rezistencës antifashiste u shtrinë thuajse në të gjithë territorin kombëtar. E para ndër këto çeta u krijua në mars 1942 nga Myslim Peza dhe që u pasua nga jugu, me çetat e Mestan Ujanikut në Skrapar e të Abas Ermenjit në Berat, çeta “Plakë” e Vlorës e Mynir Xhindit dhe e Hysni Kapos, çeta e Hysni Lepenicës, çeta “Çamëria”, ajo e Martaneshit me Baba Fajën, e Çermenikës me Kadri Hoxhën e deri në veri të vendit me çetat e Haxhi Lleshit, të Muharrem Bajraktarit, të vëllezërve Kryeziu, me çetat e Kolonjës të Petrit Dumes, të Josif Pashkos e të Safet Butkës, të Mallakastrës së Mehmet Shehut etj.
Dimensioni i dytë i karakterit kombëtar të Luftës Antifashiste ishte përthithja prej saj e traditave luftarake dhe atdhetare të shqiptarëve në shekuj, në betejat e tyre historike kundër pushtimit osman dhe pushtuesve të tjerë të huaj. Në Shqipëri, sikurse edhe në vendet e tjera ku u zhvillua rezistencë dhe luftë antifashiste, ndodhi ajo që konstaton sot një nga studiuesit më të njohur të antifashizmit, spanjolli Hugo Garsia se “identitetet kombëtare mbeten qëndrore në kulturën antifashiste” dhe se “traditat kombëtare modeluan pikëpamjet mbi fashizmin dhe antifashizmin”.
Karakteri popullor. Ky tipar i Luftës Antifashiste NacionalÇlirimtare manifestohet me dy aspekte, me shkallën e pjesëmarrjes së popullit dhe me atë të organizimit të saj. Do të ishte gabim të mendohej që kjo Luftë ka patur që në fillim karakter popullor. Pushtuesit italianë nuk sollën në Shqipëri vetëm tanke dhe ushtri por edhe zhvillim e rigjallërim të jetës ekonomike, sociale e kulturore. Antifashizmi në vitet e para të pushtimit i takonte kryesisht një mase të kufizuar njerëzish, rinisë, intelektualëve dhe më pak njerëzve të thjeshtë. Antifashizmi shqiptar ka dinamikën e vet dhe është i lidhur me krizën në rritje të fashizmit. Elementët antifashistë të grupeve komuniste si dhe intelektualë antifashistë me bindje jo komuniste, pa përjashtuar njerëz të thjeshtë u bënë mësuesit e parë të shkollës antifashiste shqiptare. Kalimi gradual i tyre në organizime politike siç ishte PKSH rriti kontaktet dhe zgjeroi sferën e organizimit të propagandës e të mobilizimit antifashist në qytete e në fshatra.
Pa u zgjatur në procesin gradual të rritjes së rezistencës antifashiste dhe të kalimit cilësor të saj në luftë antifashiste, ajo morri një karakter popullor që dëshmohet nga shkalla e pjesëmarrjes së njerëzve. Nëse çetat dhe batalionet partizane, balliste e nacionaliste në vitin 1942 llogariteshin në disa qindra vetë, një vit më vonë radhët e tyre shkuan në mijëra e mijëra luftëtarë. Në pragun e pushtimit gjerman, ushtria partizane dhe forcat e Ballit Kombëtar si dy formacionet më të mëdha antifashiste kishin thuajse një numër të barabartë forcash. Pushtimi gjerman dhe qëndrimi që ato mbajtën ndaj tij shënoi edhe procesin e diferencimit i cili erdhi duke u thelluar deri në përfundim të Luftës. Ushtria Nacionalçlirimtare për shkak të luftës pa kompromis kundër pushtuesve nazistë i shtoi radhët e saj, veçanërisht pas pranverës së vitit 1944. Në përfundim të Luftës, Ushtria Nacionalçlirimtare llogariste 70 mijë luftëtarë. Balli Kombëtar për shkak të vendimit të udhëheqjes së tij të 7 tetorit 1943 u largua nga rruga e luftës së armatosur kundër pushtuesve dhe u zhyt në kolaboracionizëm. Për rrjedhojë gradualisht ai filloi të humbas mbështetje brenda vendit por edhe të Aleatëve të Mëdhenj, pa harruar këtu edhe luftën e ashpër që i bënë rivalët për pushtet, Partia Komuniste dhe Fronti Nacionalçlirimtar. Këto zhvillime i rrudhën forcat e Ballit Kombëtar, të cilat në vjeshtën e vitit 1944 numëronin afërsisht tetë mijë njerëz, ndërkohë që Legaliteti llogaritej në 1500 njerëz. Si përfundim, Ushtria nacionalçlirimtare në prag të çlirimit të vendit kishte 7 herë më shumë forca se rivalët e saj.
Ky numër në përmasat e Luftës në Shqipëri dhe në raport me popullsinë shqiptare të kohës ishte i madh dhe me plot arsye i dha asaj karakter të qartë popullor. Ky karakter është i argumentuar jo thjeshtë për shkak të numrit por edhe të përbërjes sociale të Ushtrisë nacionalçlirimtare. Ajo ishte një ushtri gjithëpërfshirëse nga shtresëzimi social por edhe nga përfaqësimi krahinor. Pjesën më të madhe të saj e përbënte rinia, vajza dhe djem, fshatarë, punëtorë, zanatçinj por edhe intelektualë e patriotë pa parti, minoritarë por mbi të gjitha të bashkuar pa dallim feje. Ajo çfarë i ngre edhe më tepër vlerat e kësaj Lufte është se në të morën pjesë 6000 gra e vajza, mbi 9 për qind e numrit të përgjithshëm të partizanëve shqiptarë.
Karakteri çlirimtar. Ky është tipari më i qenësishëm por edhe më i sulmuari i Luftës Antifashiste. Në të gjitha epokat historike të njerëzimit ka patur luftëra, për pushtet e për pushtime territoresh të huaja ose të dy së bashku. Por në të gjitha fjalorët e gjuhëve të botës fjala çlirim para së gjithash ka nënkuptuar fitoren e lirisë të një fisi, populli, kombi, vendi e shteti nga armiqtë e tyre që i kanë pushtuar e sunduar, hedhjen poshtë të varësisë politike dhe ekonomike e rivendosjen e sovranitetit të tyre.
Është fakt historik i padiskutueshëm edhe për çdo shqiptar normal me një ndërgjegje minimale atdhetare e kulturë të cekët politike se në vitet 1939-1944 Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste dhe Gjermania naziste. Qëndrimi ndaj pushtimit e pushtuesve u bë gur prove për çdo shqiptar. Pati mjaft shqiptarë që përveçse veshën uniformën e pushtuesve fashistë, veshën edhe mendjen me ideologjinë fashiste dhe u bënë falanga të ndërgjegjshme kolaboracioniste në shërbim të pushtuesve.
Një pjesë tjetër shqiptarësh, më së shumti nga “aristokracia” e vjetër nacionaliste, me kredenciale të njohura atdhetare por edhe politike u përpoqën të bënin një lojë me dy porta që edhe mishi të piqej, por edhe helli të mos digjej. E pranuan pushtimin si një fakt të kryer, madje pranuan edhe favoret e tij sidomos në periudhën e pushtimit italian, u “akomoduan” siç thotë historiani Gurakuqi, ndërkohë që unë do të thosha u rehatuan dhe u përshtatën me rrethanat e reja. Këta njerëz nuk kishin bindje fashiste, kishin në përgjithësi kulturë dhe orientim perëndimor por adoptuan strategjinë e pritjes, jo të rezistencës duke shpresuar se fuqitë demokratike perëndimore do të luftonin edhe për interesat e tyre e do t’u dorëzonin çelësat e pushtetit në Shqipëri kur të vinte fundi i Luftës. Kjo kategori njerëzish në përgjithësi u identifikua me lidershipin e Ballit Kombëtar.
Është gjithashtu fakt i njohur që pati edhe shqiptarë që pa qenë fashistë, pa qenë kolaboracionistë, pa qenë atdhetarë të spikatur në luftë dhe pa qenë partizanë, ndenjën mënjanë luftës, panë punën dhe mbijetesën e tyre në pritje të zhvillimit të ngjarjeve. Kjo kategori njerëzish nuk mund të akuzohen por as edhe mund t’u atribuohet siç u tentua të bëhej këto muaj nga zëra të veçantë një farë “antifashizmi popullor”, “pa uniformë”, “pa armë”. Huazimi i tezave historiografike të huaja të përpunuara nga përvojat dhe zhvillimet specifike në vende të veçanta evropiane në Luftën e Dytë Botërore në terrenin shqiptar është i gabuar.
Një nga studiuesit më të referuar të atij që quhet “Antifashizmi popullor”, italiani Xhanpaskuale Santomasimo, e zhvillon gjithë tezën e tij në kushtet e diktaturës fashiste të Musolinit në Itali. Ky vend, deri në 1943 nuk ishte pushtuar nga fuqi të huaja, e sidomos nga aleati i tij, Gjermania naziste. Santomasimo trajton tiparet e një antifashizmi “të brendshëm”, të drejtuar kundër diktaturës fashiste italiane. Ai flet për antifashizëm popullor toskan dhe fiorentin me veçoritë dhe format e tij të shfaqjes që zhvillohet në kushtet e terrorit të brëndshëm fashist, të kontrollit absolut të jetës qytetare dhe jo kundër pushtuesit të huaj.
Këto segmente të shoqërisë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore që u bashkuan me pushtuesit fashistë të huaj, që u vunë në shërbim të tij ose që qëndruan mënjanë, ishin minoranca e popullit shqiptar.Prapa 70 mijë partizanëve qëndronin qindra mijra shqiptarë të tjerë, familje, të afërt, miq e simpatizantë që përbënin shumicën e popullit shqiptar që nuk ishte në atë kohë as një milion.Pikërisht kjo shumicë ia dha Luftës karakterin çlirimtar, përpos programit të Frontit NacionalÇlirimtar që e kishte shpallur gjithnjë atë.Është e tepërt të citohen dokumentet programatike të kohës së Luftës që janë kaq shumë dhe që e citojnë kaq shpesh misionin themelor të saj, çlirimin kombëtar.
Kundër karakterit çlirimtar të kësaj lufte si atëherë edhe tani kundërshtarë janë po të njëjtat forca, veç në kushte e rrethana të ndryshme, Balli Kombëtar, Legaliteti, opozita e vjetër e partizanëve çlirimtarë dhe opozita e re, ajo e trashëgimtarëve politikë, ideologjikë e biologjikë të organizatave tradicionale të së djathtës shqiptare.Këtyre të fundit për qëllime politike aktuale është përpjekur t’ia marrë lidershipin Partia Demokratike që në mos e gjitha, segmente të rëndësishme të saj janë apologjetë të kolaboracionizmit.Ofensiva e destruktivizmit historik u zhvillua me po kaq histeri, në mos më shumë edhe këtë vit jubilar të 75 vjetorit të çlirimit.Ajo kulmoi me kryqëzatën kundër vendosjes së fotografive të heronjve e të dëshmorëve të Luftës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
Antifashizmi është pjesë e kulturës politike evropiane.Kjo është e gjithë pranuar.Ata që ngrihen kundër çlirimtarëve antifashistë, që shpikin teori dhe pseudo argumente për të rrëzuar monumentet e lirisë dhe që e radhitën Shqipërinë përkrah Aleatëve të Mëdhenj perëndimorë e kanë humbur betejën jo vetëm me historinë por edhe me të ardhmen.
Qëndrimi i shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore nuk është sui generis në raport me qëndrimin e tyre në ngjarje paraardhëse të rëndësishme të historisë kombëtare apo në raport me vendet e tjera evropiane të pushtuara nga nazi-fashizmi. Hiperbola e narativës së unitetit mbarëshqiptar në përballimin e sfidave historike e veçanërisht të pushtimeve të huaja nuk i qëndron kohës dhe as objektivitetit historik e historiografisë shkencore.Shqiptarët në mesjetë nuk kanë qënë të gjithë aleatë të Skënderbeut në rezistencën antiosmane, ka patur edhe kundërshtarë por edhe tradhëtarë. Platforma e autonomisë kombëtare e Abdyl Frashërit në vitet e Lidhjes së Prizrenit nuk u mbështet dhe u sabotua nga krahu konservator pro osman i saj.Themeluesi i shtetit kombëtar, Ismail Qemali në përpjekjet për të qeverisur e skicuar të ardhmen e vëndit, u pengua e u luftua nga të afërmit e bashkëpunëtorët e tij e mbi të gjithë nga Esat Pashë Toptani.
Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore nuk do të bënin përjashtim nga ky rregull i pashkruar i historisë kombëtare.Shumica e tyre, veçanërisht të rinjtë nuk bashkëjetuan me pushtuesit por i luftuan ata me armë në emër të antifashizmit e të lirisë. Një pjesë tjetër u vendosën hapur në shërbim të pushtuesve, ndërsa të tjerë ndenjën mënjanë në pritje të zhvillimeve e të ngjarjeve.
Ky fragmentarizim i shoqërive kombëtare në Luftën e Dytë Botërore, ishte një fenomen ndërkombëtar, që nga Kina, Filipinet, Tailanda, etj, në Azi e deri në Evropë.Kuislingu në Norvegji, Peteni dhe Lavali në Francë, Degrell dhe Klerko në Belgjikë, Tonningen në Hollandë, Tiso në Sllovaki, Milan Nediç në Serbi, Ante Paveliçi në Kroaci, Leon Rupnik në Slloveni dhe Colakoglu e Ralis në Greqi, përfaqësonin jo individë por establishmente të gjëra qeverisëse kolaboracioniste.
Fenomeni shqiptar i kolaboracionizmit nuk ndryshon në thelb nga ai evropian.As edhe nga shkalla e dënimit që iu bë atij pas Luftës.Por nëse bëhet një vështrim krahasues mbi fatin e individëve apo edhe të grupimeve më të gjëra ish kolaboracioniste në vëndet perëndimore me atë në vëndet që erdhën komunistët në pushtet, diferencat dhe zhvillimet janë cilësisht të ndryshme.Në përgjithësi ish kolaboracionistët në vëndet perëndimore nuk u larguan nga vëndi i tyre dhe pasi vuajtën dënimin u integruan në shoqëritë e tyre kombëtare, ndërkohë që familjet e tyre nuk u privuan nga liritë e të drejtat qytetare.Në vëndet e Evropës Qëndrore e Lindore ku u imponua regjimi sovjetik, ndonëse pati dënime të ashpra për ish kolaboracionistët që qëndruan në vënd, reprazaljet nuk u shtrinë në forma ekstreme ndaj familjeve e të afërmve të tyre.
Në dallim prej këtyre vëndeve, në Shqipëri jo vetëm ndaj ish kolaboracionistëve që u penalizuan me dënime kapitale e burgime të rënda shumëvjeçare, por edhe familjarët e tyre u përndoqën dhe u privuan nga të drejtat e liritë themelore dhe mbetën të margjinalizuar gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist.Pikërisht ky qëndrim ekstrem dhe dallim thelbësor në trajtimin e kësaj shtrese bëri që pas përmbysjes së komunizmit në Shqipëri, në dallim nga ish vëndet e tjera ish komuniste, trashëgimtarët biologjikë dhe ideologjikë të kolaboracionizmit të Luftës të ishin më të angazhuar dhe më agresivë në mbrojtjen dhe justifikimin e veprave të baballarëve të tyre.Ata u çfaqën më të përkushtuar për të goditur Luftën Antifashiste NacionalÇlirimtare, për të përmbysur historinë e saj të cilën e kanë parë dhe e shohin si instrument e si pronë të atyre që erdhën në pushtet pas Lufte.
Kjo frymë konfliktuale e ngjizur që në kohën e Luftës dhe e ushqyer mizorisht me ideologjinë e luftës së klasave më vonë, ka bërë që kjo shtresë dhe veçanërisht grupime ekstreme të saj të mohojnë edhe thelbin e luftës, karakterin e saj dhe të reagojnë ndaj çdo artikulimi apo ceremonie që është bërë e bëhet në kujtim e respekt të saj.Për më tepër edhe t’i ngarkojnë asaj përgjegjësinë e madhe të vendosjes së komunizmit në Shqipëri.Kjo qasje që hera-herës provokohet edhe nga deklarata e veprime me ose padashje të fitimtarëve të djeshëm, ka krijuar në Shqipëri një situatë të pakrahasueshme llogoresh që është larg nga ekuilibret që i nevojiten shoqërisë shqiptare për të dëshmuar kulturë qytetare e politike evropiane.
Shoqëria shqiptare sot ndodhet para domosdoshmërisë urgjente për ta kapërcyer këtë klimë traumatizuese që e mban peng të së shkuarës dhe që e frenon të arrij standartet dhe nivelin demokratik të një shoqërie evropiane.Pyetja që shtrohet me këtë rast është: A ka forcë kjo shoqëri të kapërcej ndasitë që i kanë origjinat që në kohën e Luftës dhe që u thelluan më tej pas saj? A ka elita nga të dy krahët të çliruara nga vargonjtë politikë dhe ideorë të së shkuarës dhe që vështrojnë larg, përtej interesave të çastit?
T’u japësh përgjigje këtyre pyetjeve sigurisht që nuk është e lehtë.Për mendimin tim ka individë por jo elita që mund të ndërmarin një mision të tillë sa të domosdoshëm, aq edhe të dobishëm.Por edhe ata ndodhen nën trysninë e postulateve të së shkuarës, të mjediseve njerëzore konservatore që rezistojnë si dhe të establishmenteve politike apo të segmenteve të tyre që konfliktin e vjetër e mbajnë gjallë për llogari të interesave e përfitimeve politike të ditës.
E thënë me fjalë të tjera shoqëria shqiptare ka nevojë të dekonfliktualizohet.Natyrshëm këtu shtrohet një pyetje tjetër: Si? Në çfarë mënyre? Është hedhur idea e një pajtimi kombëtar e cila në vetëvehte ngre mjaft pikëpyetje të tjera.E para: a ka qënë përçarja shqiptare kaq e gjërë e kaq e thellë sa të flitet për një akt pajtimi kombëtar? Nëse po, a do të prekte kompromisi çështjen e thelbit të qëndrimit të palëve mbi karakterin e luftës dhe rrjedhojat e saj?
Le të qëndrojmë pak e të reflektojmë për përgjigjen e kësaj pyetjeje. Idea e “pajtimit kombëtar” është e mirë në pamjen e jashtme të saj.Pajtimi i palëve që kanë qënë në luftë, në konflikt apo në grindje është sa një normë zakonore aq edhe e së drejtës.E rëndësishme është se para se të bëhet negocimi i pajtimit duhen përcaktuar se cilat janë grupet e interesit për pajtim dhe cilat janë bazat mbi të cilat do të zhvillohen negociatat për pajtim.
Nëse flitet për grupet e interesit ose për palët që duhet të pajtohen sot për shkak të konfliktit të të shkuarës ato duhen të identifikohen nëse janë ose jo trashëgimtarë politikë ose ideorë të tyre.Këtu ka probleme për të sqaruar.Balli Kombëtar dhe Legaliteti sot e kanë deklaruar zyrtarisht se janë trashëgimtarë ideorë të organizatave politiko-ushtarake me të njëjtin emër të Luftës së Dytë Botërore.Ato janë plotësisht në të drejtën e tyre që t’i përfaqësojnë paraardhësit e tyre në negociatat e pajtimit.
Sfida dhe vështirësia qëndron në anën tjetër.Kush do të përfaqësoj Partinë Komuniste të Shqipërisë të vitit 1944 sot? Cila forcë politike sot është trashëgimtare e saj?Këtu problemi ndërlikohet.Trashëgimtarë të drejtëpërdrejtë ideorë të PKSH së Enver Hoxhës janë dy-tre parti politike që e kanë të nënvizuar hapur në programet e statutet e tyre dhe e kanë deklaruar publikisht.Këto parti zyrtarisht janë në të drejtën e tyre të ulen në negociata me Ballin Kombëtar e Legalitetin për të arritur pajtimin mes tyre.
Situata nuk është kaq e thjeshtë.Ajo rezulton më e komplikuar.E djathta aktuale dhe e bashkuar shqiptare trashëgimtare të padiskutueshme të PKSH (PPSH) quan Partinë Socialiste me argumentin se në qershor 1991 kjo parti vërtetë ndëroi emrin, statutin e programin e saj por trashëgoi shumicën e aseteve e të anëtarësisë komuniste.Pa u qartësuar palët për të përcaktuar përgjegjësitë e të shkuarës nuk mund të flitet për pajtim.
Çështja e dytë edhe më e rëndësishme është se cili do të ishte thelbi i “pajtimit”, objekti i tij.Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore armikun kryesor të tyre patën pushtuesit e huaj fashistë italianë e gjermanë.Partia Komuniste e Shqipërisë, Fronti NacionalÇlirimtar dhe shumica e shqiptarëve që shkuan pas tyre u njohën nga aleatët e mëdhenj të Luftës dhe nga Konferenca e Paqes e Parisit e vitit 1946 si kontributorë në luftën kundër fashizmit dhe si fitimtarë, fakt ky që u vulos në aktet ndërkombëtare të kohës.Balli Kombëtar më shumë dhe Legaliteti më pak bashkëpunuan me pushtuesit hapur dhe të maskuar dhe jo vetëm shqiptarët por edhe aleatët e mëdhenj e panë qartë dhe e dënuan këtë veprim.
Thelbi i pajtimit nuk mund të jetë që ajo forcë që luftoi fashizmin, që u bashkua me aleatët dhe sakrifikoi me mijra luftëtarë të saj, që kontribuoi në çlirimin e vëndit, t’u kërkoj falje atyre që nuk luftuan, që bashkëpunuan me pushtuesit e që gabuan kaq rëndë. Pa dyshim edhe fituesit nuk ishin ëngjëj dhe as pa faje por peshorja e historisë i ka matur edhe përgjegjësitë, edhe gabimet, madje edhe krimet dhe përfundimisht ka rënduar në disfavor të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit.Për çfarë ka ndodhur në Luftë janë këto dy forca që duhej t’u kishin kërkuar falje me kohë shqiptarëve, por kurrë nuk është vonë. Ky do të ishte akti i parë ose njëra këmbë e urrës së pajtimit të pretenduar.Akti i dytë i pajtimit do të ishte kërkesa për falje për krimet e komunizmit shqiptar në pushtet.Kush do të duhej ta bënte këtë sot? Veteranët që kanë mbetur sa gishtrinjtë e dorës dhe për çfarë? Apo Partia Socialiste në pushtet që e djathta historike dhe ajo e tranzicionit e quan vijuesen e Partisë së Punës?
Koha i ka dënuar shqiptarët me mosmarrëveshje historike që i ka paguar gjithnjë Shqipëria, stabiliteti, siguria dhe e ardhmja e saj.Nëse kjo ndodhi në Luftën e Dytë Botërore, ngushëllimi është se ky fenomen nuk ishte vetëm shqiptar.Por nëse po vazhdon edhe pas 75 vjetësh e në kohë paqeje, atëhere arsyet mund të jenë ndofta të tjera edhe më të rënda, pse jo edhe defekte gjenetike kombëtare, mungesë pjekurie e aftësi vetëqeverisëse për të cilat nuk kanë munguar akuzat.75 vjetori i çlirimit të Shqipërisë është thirrje për reflektim të thellë nga të gjithë.Çdo vonesë ka rrjedhoja dhe çdo rrjedhojë ka një çmim.
Marrë nga gazeta “Dita”