Nga Lorenc Vangjeli
Plot 30 vjet më pas, “nëntë javët e gjysëm” shfaqen në një formë tjetër, por po aq drithëruese në Tiranë. Madje edhe shumë më fort, sepse në të është përzjerë ëndrra e pushtetit, ndjesisë më të fortë njerëzore që përmbledh të gjitha instiktet e tij të lindura dhe reflekset e fituara në tre mijëvjeçarë qytetërim e qeverisje. Nga druri, huri e guri në ide, moral e forcë kushtetuese dhe sërish edhe nga guri, huri e guri.
Pothuaj mbas nëntë javësh e gjysëm në Tiranë do të nisë sprinti i fundit drejt finishit të mandatit të parë të së majtës në pushtet dhe të djathtës në opozitë.
E para për të rikonfirmuar një mandat të dytë,
E dyta për të mos bërë bis mandatin e dytë të shërbesës si opozitë e vendit.
Në këtë hark kohor do të marrin përgjigje shumë pyetje, do të saktësohen shumë paqartësi, do të marrin udhë shumë hamendje dhe do të ndryshojnë ose do të jenë në ndryshim e sipër shumë fate njerëzish. Nga kategori njerëzish që ndikojnë në fatet e qindra mijëra shqiptarëve njëherësh. Mbas kësaj date do të ketë më shumë dritë në raportet plot dritë-hije mes Ramës, Metës, Bashës, Idrizit, Blushit, Dukës, Bojaxhiut e të tjerë aktorë të politikës në vend, pa përjashtuar, por duke përfshirë fort edhe hijen e rëndë që do të vazhdojë të hedhë mbi të gjithë Doktor Berisha.
Parë me syrin e qytetarit të thjeshtë që jeton me makinë llogaritëse në xhep dhe që interesohet për ndryshimin e çmimit të perimeve të stinës, për pagesën e faturave të energjisë, ujit, ilaçeve dhe çmimet e shërbimeve të tjera për ushqim e arsim, që bën pjestime të pagës me ditët e mbetura dhe llogarit monedhat për një javë pushime në verë, më e keqja, natyrisht, vjen nga zhurma e rrugës. Nga rrëmuja që përmbys tregun e lagjes, që thyen xhamat e minimarketit dhe rrit nevojën për qepena. Frika nga destabiliteti është reale dhe ai mund të krijohet dhe të shkaktohet si akt i parë i një akti final beteje të opozitës që këmbëngul në rrugë dhe qeverisjes që nuk zbret në rrugë. I opozitës që mund të hyjë në rrugë pa krye dhe qeverisjes që nuk i hap rrugë dhe që mund të ndodhë, që të dyja së bashku, të mos arrijnë të gjejnë asnjë rrugë komunikimi e konsmpromisi. Duke nisur, por jo bitisur me mospjesmarrjen e opozitës në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit, çka do të shkatërronte vetë institucionin pluralist të zgjedhjeve. Kjo gjë do do ta fuste vendin në një spirale të pabesueshme krize që nuk dihet as deri ku shkon dhe as nuk mund të parashikohet se deri ku çon. Ku çon kë dhe kush pëson çfarë! Skenari maqedonas që ndokush e përmend me mendjelehtësi në Tiranë, si zgjidhja e konfliktit të egër politik në vend, turbullimi ekstrem me shpresë për të kulluar gjësend, është thjesht dhe vetëm një hap më shumë drejt humnerës.
Të hënën, dyshja Rama-Meta bëri një zgjidhje gjysëm të detyruar që të kujton gurin që vret më shumë se një zog. Shtyrja me një javë e afatit për ngritjen e komisioneve për vetting-un ishte jo një hap thjesht teknik, por një gjest politik. Së bashku ata prodhuan një javë më shumë, një pothuajse vendimtare për të treguar se çfarë do të ndodhë në nëntë javët e gjysëm më pas. Kjo javë është prova që do të konfirmojë nëse vota e nesërme e opozitës, fillimisht për refomën në drejtësi, do të shihet vetëm si një e drejtë apo dhe një detyrë. Me gjasë duhet të jetë edhe java e sulmit për të siguruar një mbrojtje më shumë për normalitetin e vendit. Normaliteti rikthehet me negociata pa vija të kuqe ultimative dhe negociatën që refuzon si vijë të kuqe vetëm një ogur të keq: destabilitetin e vendit. Paradigma, standartet apo demokracia do të duhej të rishkrujhej përfundimisht në formën: edhe standarte, edhe demokraci!
Plot 30 vjet më parë, gjithë meshkujt e vendit të izoluar nga komunizmi, ku seksi shihej si mëkat dhe mastrubimi dukej si sëmundje, ëndërronin të ishin në vendin e Mickey Rourke, dashuronin Kimin dhe betoheshin jo vetëm për vithet e saj. Por në fund, kur mbylleshin në jetët e tyre të zakonshme, me menunë e një kilogrami mish në javë, ata nuk dallonin nga njëri-tjetri. Shoqëria maskiliste e asaj kohe që dashurinë e quante dobësi dhe poezinë prozë revolucionare, binte dakort pa hezitim në një pikë. Kimi ishte një grua e jashtëzakonshme, por si të gjitha gratë, ajo e hante gjithmonë! Shumë më shumë se nëntë javë e gjysëm! Madje dhe në Tiranë, kryeqytetin e vendit dikur më të izoluar në botë, që aktin seksual nuk e shihte vetëm si kënaqësi, por edhe si një armë lufte. Pak a shumë si marrëdhënie mes pozitave dhe opozitave pluraliste, ku njëri duhet ta hajë gjithmonë!
Ky eshte bud all.