Kryeministri Edi Rama ndodhet në Çeki për një vizitë zyrtare. Gjatë kësaj vizite, mes dy shteteve u nëshkruan sot pesë marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme. Marrëveshjet synojnë të rrisin bashkëpunimin në turizëm, arsim, mjedis, katastrofat natyrore dhe njohjen e pensioneve.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri Rama ka falenderuar homologun çek për mikpritjen, ndërsa nuk nguroi të bënte edhe një “kritikë” lidhur me numrin e femrave në qeverinë çeke. Rama theksoi se qeveria e tij përbëhet nga 30% femra, por edhe kjo shifër konsiderohet e pamjaftueshme.
“Falenderoj shumë sinqerisht kryeministrin e Çekisë, për mikpritjen e ngrohtë dhe për faktin që në delegacionin që na mikpriti përfshiu pjesën më të mirë të qeverisë, të gjitha gratë ministre. Në këtë aspekt keni akoma shumë punë për të bërë, keni shumë pak gra në qeveri, ne kemi 30% dhe nuk jemi të kënaqur” deklaroi Rama.
Rama vlerësoi gjithashtu nivelin e bashkëpunimit mes dy vendeve, por tha se ka vend për të bërë shumë më shumë.
“Diskutuam për marrëdhënien mes dy vendeve tona që kanë një potencial të madh. Ka mundësi reale që përmes bashkëpunimit të sipërmarrjeve të shkohet në një stad tjetër. Nënshkruan pesë marrëveshje bashkëpunimi”, tha Rama.
Nga ana e tij, homologu çek Sobotka shprehu mbështetjen e Çekisë për rrugën integruese të Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe tha se kompanitë çeke janë të interesuara dhe kanë çfarë ofrojnë në tregun shqiptar, kryesisht në investimet në infrastrukturë, turizëm dhe gaz.
Sobotka vlerësoi gjithashtu rritjen e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Serbisë dhe kërkoi thellimin e këtij bashkëpunimi. Rama tha se ngjarjet e Beogradit të një viti më parë i përkasin së shkuarës tashmë dhe këtë e tregoi më së miri ndeshja e organizuar në Elbasan Arena.
Një urë e fortë lidhëse mes dy vendeve vlerësohen vizitorët çekë që zgjedhin Shqipërinë çdo vit. Rama tha se për këtë vit numri i tyre ishte 14 mijë dhe ftoi të tjerët që të vizitojnë vendin tonë për t’u njohur me bukuritë natyrore, mikpritjen dhe kuzhinën shqiptare.
MARREVESHJET E NENSHKRUARA
Në delegacionin e kryesuar nga Kryeministri bëjnë pjesë ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla. Në përfundim të bisedimeve dypalëshe u nënshkruan disa marrëveshje e memorandume bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Çekisë:
Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e Turizmit
Marrëveshja në fushën e mbrojtjes sociale;
Marrëveshja në fushën e Arsimit;
Memorandum bashkëpunimi për menaxhimin e fatkeqësive natyrore;
Memorandum bashkëpunimi midis agjencive shtetërore për mbrojtjen e mjedisit.