Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu mori pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të Evropës Juglindore, zhvilluar në Budapest, ku në fokus të diskutimeve ishte procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rëndësia e investimeve ekonomike dhe ndërlidhjeve energjetike për rajonin.
Në fjalën e saj, Spahiu theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në BE përbën një mision kombëtar dhe një angazhim të përbashkët që tejkalon ndarjet politike.
“Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk është thjesht një objektiv i qeverisë sonë, ajo është një mision kombëtar që na bashkon të gjithëve dhe tejkalon ndarjet politike. Ne qëndrojmë të përkushtuar ndaj objektivit për të siguruar vendin tonë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2027”, u shpreh Spahiu.
Ajo vlerësoi gjithashtu rëndësinë e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar atë si një mundësi transformuese për zhvillimin ekonomik të rajonit.
“Shqipëria është plotësisht e angazhuar në zbatimin e reformave të nevojshme për të shfrytëzuar potencialin e këtij plani. Përmes këtij kuadri synojmë të mobilizojmë investime në infrastrukturë strategjike, ndërlidhje energjetike, transformim digjital dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, duke përshpejtuar konvergjencën tonë me Bashkimin Evropian”, nënvizoi ajo.
Spahiu u ndal edhe te Korridori VIII, një aks zhvillimi strategjik që lidh Adriatikun me Detin e Zi, i cili pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në ekonominë e vendeve të rajonit dhe do të shërbejë si një investim kyç për ndërlidhjen rajonale dhe stabilitetin gjeopolitik.
Gjatë qëndrimit në Budapest, nënkryetarja e Kuvendit zhvilloi takime me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán, me kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, László Kövér, si dhe me ambasadorin e Shqipërisë në Budapest, Ilirian Kuka, ku u riafirmua gatishmëria e Shqipërisë për të avancuar në rrugën e integrimit evropian.











