Në një takim të zhvilluar me administratorët e zonave rurale të Tiranës dhe drejtues të Policisë Bashkiake, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj, u la porosi të shtojnë monitorimin në të gjithë lumenjtë dhe pikat ku derdhen inerte në mënyrë të paligjshme. Ai u vendosi përpara administratorëve edhe një listë me emra biznesesh dhe vende ku këto inerte derdhen në mënyrë të paligjshme. Pikërisht në këto pika, javën e ardhshme do të ushtrohen kontrolle në bashkëpunim me Policinë Bashkiake.
Nga ana tjetër, nënkryetari Sulaj u bëri thirrje të gjitha bizneseve në kryeqytet që të respektojnë rregullat e bashkëjetesës dhe të tregohen të kujdesshëm në vendosjen e tavolinave, për të mos zënë hapësirat e qytetarëve. Sipas tij, me ngritjen e temperaturave është vënë re një tendencë nga bizneset për shtimin e karrigeve dhe tavolinave në trotuare, çka ka sjellë edhe pengesë për kalimin e qytetarëve. Por, Sulaj beri thirrje se monitorimet nga ana e Bashkisë së Tiranës për lirimin e hapesirës publike vazhdon dhe se nuk do të tolerohen.
“Thirrjen e kam për të gjitha bizneset të cilat, me rritjen e temperaturave mendojnë se nuk i kemi në monitorim, dhe si rrjedhojë shtojnë tavolinat dhe karriget, duke zënë trotuaret. Ne i kemi të gjitha në monitorim dhe nuk do të lejojmë asnjë biznes, i cili do të abuzojë me hapësirën publike. Qytetarët kanë hapësirën e tyre, biznesi po ashtu, këto janë rregullat e bashkëjetesës. Me ardhjen e pranverës ka një tendencë, jo nga të gjithë, por nga disa biznese në zona të caktuara, të cilat i shtojnë tavolinat dhe i detyrojnë qytetarët të dalin në korsitë e biçikletave për t’u kthyer prapë në trotuar”, tha Sulaj.











