Maye Musk, nëna 78-vjeçare e Elon Musk, ka treguar se nuk e ka problem të jetojë me shumë pak komoditete, pavarësisht se djali i saj është një nga njerëzit më të pasur në botë.
Në një intervistë për “New York Post”, Maye Musk tha se kur viziton Elon Musk në Starbase, Teksas, ku SpaceX zhvillon dhe teston projektet e saj hapësinore, ajo fle në garazh.
“Nuk më shqetëson fare”, është shprehur ajo, duke shtuar se për të edhe një dyshek në dysheme apo një divan janë të mjaftueshme. Sipas saj, të kesh një çati mbi kokë është tashmë një luks.
Maye Musk e lidh këtë mënyrë jetese me fëmijërinë dhe përvojat e saj të hershme. Ajo është rritur mes udhëtimeve dhe kampeve në natyrë, përfshirë edhe periudha në shkretëtirën e Kalaharit, dhe thotë se është mësuar të mos kërkojë shumë komoditet.
Deklaratat e saj kanë tërhequr vëmendje për kontrastin e fortë mes pasurisë së jashtëzakonshme të Elon Musk dhe mënyrës minimaliste me të cilën nëna e tij përshkruan qëndrimet pranë tij.
Edhe më herët, Maye Musk kishte treguar se shtëpia e Elon Musk pranë Starbase është shumë modeste, me pak sende dhe pa luksin që publiku mund të imagjinojë për njeriun më të pasur në botë.
Ajo vetë, megjithatë, nuk e paraqet këtë si sakrificë. Përkundrazi, Maye Musk thotë se një jetë e thjeshtë, puna dhe aftësia për t’u përshtatur kanë qenë pjesë e historisë së saj shumë përpara se emri Musk të lidhej me miliardat, raketat dhe teknologjinë.











