Kryetari i Partisë Demokratike tha sot se ai do t’i vizitonte SHBA-të së shpejti me rastin e ndonjë konference ndërkombëtare, por nuk dha as datë dhe as detaje se si do të ndodhte, pas deklarimit të mëparshëm se ishte hequr “non grata”.
Gjithashtu ai dha mendim edhe për ambasadorin e ri të SHBA-ve në Tiranë, Eric Wendt, duke thënë është një diplomat me eksperiencë.
“Kam mendim shumë pozitiv për ambasadorin e SHBA nga ajo që kam dëgjuar, është njeri me eksperiencë të gjerë”, tha ai.
Ndërsa për vizitën në SHBA u shpreh po shkurtimisht, teksa komunikoi me ndjekësit sot në rrjetet sociale.
“Kurse për vizitën time në SHBA, siç kam thënë edhe më parë, do të shkojë në SHBA me rastin e ndonjë konference dhe kjo do ndodhë”, u përgjigj ai ndaj pyetjeve të ndjekësve.
Berisha u pyet edhe nëse do të bëhej pjesë e protestës së të ashtuquajturës “revolucioni i Flamingove” në bulevardin para kryeministrisë, por tha prerë se nuk do shkonte aty pasi nuk është protesta e PD.
“Jo, nuk do të shkoj. Nuk do marrë pjesë, ajo është protestë e qytetarëve dhe jo e PD. Sigurisht ne e mbështesim protestën dhe ftoj demokratët që të bëhen pjesë e saj. Nuk shkoj sepse do të thuhej se protesta u partizua dhe ajo nuk është protestë partiake. PD do bëjë protestat e saj”, tha Berisha mes të tjerash.
I pyetur për strategjinë e PD-së më tej, ai tha se do kishte valë protestash gjatë shtatorit:
“Rruga jonë është protestë dhe vetëm protestë, mosbindje civile dhe protestë. Ju ftoj ta mbështesni edhe protestën rinore e qytetare që ka potenciale të fuqishme. Ju ftoj gjithashtu të bëjmë gjithçka për largimin e këtij regjimi, që është regjim që po vjedh shqiptarët më shumë se kushdo tjetër në histori”.











