Pak minuta na ndajnë nga derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit, një ndeshje e shumëpritur për sportdashësit shqiptarë duke njohur historikun e rivalitetin e kësaj përballje të zjarrtë mes ekipeve të kryeqytetit.
Por ndeshja këtë radhë nuk do të ketë bukurinë e zakonshme e jo vetëm për shkak të mungesës së tifozëve në shkallaret e stadiumit.
Duket se Tirana si organziatore nuk ka menduar aspak për cilësinë e ndeshjes që luhet sot, pasi ka vendosur që takimin ta zhvillojë në një terren të papërshtatshëm aktualisht për të luajtur në kushte normale, stadiumin “Air Albania”.
Fusha e këtij impianti vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme dhe pak orë para zhvillimit të sfidës, duken qartësisht kushtet skandaloze te terrenit në të cilin duhet të tregojnë vlerat e tyre dy skuadrat e kryeqytetit.
Është e pashpjegueshme se pse klubi vendosi që të bënte një zgjedhje të tillë, sidomos tani që nuk lejohen tifozët në stadiume. Zhvillimi i ndeshjes në një fushë me gropa e me një kanal dheu në mes, kur kishte alternativa më cilësore, duket se është zgjedhja më e gabuar e mundshme për të garantuar cilësinë e kësaj ndeshje e do të zbehë edhe më shumë bukurinë e saj, ashtu si shkallaret bosh./a.p