Silent enim lēgēs inter ama (Në kohë lufte ligji bie-Ciceron)
Nga Ervin Lera*
Shumë autoritete shtetërore nga vende të zhvilluara e kanë përmendur fjalën luftë në këtë kohë pandemie. Vetë zonja von der Leyen u përpoq të justifikojë por edhe të pranojë si drejt të përdorur nga presidenti Macron, fjalën luftë.
Në televizionet informative ndërkombëtare (euronews, cnn, bbc etj ), ndjekim lajme nga e gjithë bota e bëhemi gjithë sy e veshë, të marrim vesh ndonjë lajm të mirë ; zbulimin e vaksinës apo kurës, dobësimin e agresivitetit të coronavirus-it (në kohën e Ciceronit do të shkruhej virus corona), rënien e rasteve të të infektuarve, lutemi të gjithë për uljen e numrit të jetëve të humbura, parashikime optimiste për kthimin në normalitet.
Ende jo, fatkeqësisht, asnjë nga këto nuk po ndodh në botë.
Nga lajmet që marrim nga taskforce e ngritur për të përballur emergjencën e pandemisë në Shqipëri, pa rënë viktimë e entuziasmit dhe euforisë, jemi në një situatë ende jo frikshëm alarmante. Të gjithë jemi të keqardhur për dy jetët e humbura deri tani, lutemi për pacientët e tjerë që janë në trajtim në spital dhe për ata të cilët janë në vetëkarantinim në kushtet e shtëpisë.
Mjekët dhe specialistët e shëndetsisë, të përkushtuar e të palodhur, të pagjumë e gjithmonë të gatshëm, superheronjtë tanë të të sotmes (dhe që nga sot duhet t’i trajtojmë të tillë për çdo ditë më pas), nuk mërziten dhe as nuk i shmangen përgjegjësisë të këshillojnë dhe të na ndërgjegjësojnë të gjithë ne, dalin në media dhe përgjigjen e ripërgjigjen të buzëqeshur pyetjeve dhe shqetësimeve të të gjithëve ne. Pas kësaj, kthehen (ndoshta pushojnë pak dhe përshëndeten me familjet e tyre dhe kjo është vetëm minimumi njerëzor që ata i lejojnë vetes) pranë pacientëve të tyre të prekur me virus corona apo edhe atyre që përballen me shqetësime të tjera shëndetësore. Ju shërbejnë, i kurojnë, i mbështesin dhe i japin kurajë (ashtu si na japin edhe ne) dhe, kjo rutinë përsëritet dhe ashtu si edhe ata vetë e pranojnë dhe na e thonë rregullisht se duhet të jemi të përgatitur, për një kohë të gjatë të kësaj situate.
Superheronjtë e të sotmes dhe kështu do të jenë për të gjithë të nesërmet tona, nuk lodhen së përsërituri dhe as nuk ndjehen të konsumuar me këshillat dhe përtej kësaj na ndihmojnë edhe psikologjikisht, ndërsa ne u bëmë derr se po rrimë në shtëpi, me laptop, celular, televizor, libra, tablete dhe gjithçka përveç kafesë ekspres, thashethemeve live në tavolina (se virtualisht kë s’kemi sharë para e mbrapa) dhe, kur nuk durojmë dot dalim në rrugë. Takohemi nga katër e pesë, ndonjëri merr edhe një shishe pije alkolike dhe ngaqë avujt e alkolit na çorodisin mendjen nisim e përqafohemi, puthemi e pështyjmë në tokë. Kur afrohet ndonjë gazetar e kamera, tregojmë se jemi racë imune dhe se ne s’na gjen gjë.
Silent enim lēgēs inter ama (në kohë lufte ligji bie), edhe në kohë të Ciceronit ka patur epidemi vdekjeprurëse, por Ciceroni këtë e ka thënë për luftën me shpata. Në luftën tonë të sotme, nuk na hyjnë në punë shpatat, përkundrazi na prishin punë. Kush duhet të na e mbushë mendjen se në kohë lufte ligji bie, por nuk mbetemi pa një ligj-rregull apo një rregull-ligj (quajeni si të doni), që nuk do të na lërë të biem në kaos dhe të përfundojmë duke ngrënë njëri tjetrin ? jo vetëm nuk është detyra e superheronjve por as nuk duhet t’i mbingarkojmë edhe me këtë, por ata po e bëjnë. Ju falemnderit dhe përulemi me respekt e mirënjohje para jush. (ndjesë, shumë ndjesë pë atonherë që kemi blasfemuar kundra jush se na janë dhimbsur dy para që vetë i kemi paguar. Po sot sa vlerë ka paraja në spital, në rrugë apo ne vetëkarantinim ? Aspak vlerë nuk ka. Do të ketë nesër, por deri nesër duhet ende shumë kohë dhe, gjatë kësaj kohe nuk kemi mundësi të mendojmë për ato).
-
Prano propozimet e mia dhe vepro sa nuk është vonë, – i tha ai
-
Jo jo se nuk funksionon kështu si thua ti. Merru me ato gjërat që di të bësh për mos të bërë asgjë,- ja ktheu ky tjetri
-
Merru lekët oligarkëve dhe bli aparatura dhe investo për të zbutur pasojat,- ju kthye përsëri ai i pari
-
Po rri o xhan se i di unë ato punë. I kam menduar të gjitha, kot nuk jam këtu ku nuk dua të jem tani, – e ktheu për së dyti ai tjetri.
Duket sikur Silent enim lēgēs inter ama (në kohë lufte ligji bie), e këta të dy do vriten. Obobo… po ne kush do të na bëjë rregullat-ligje apo ligjet – rregulla në kohë pandemie dhe kur në kohë lufte ligji bie, kush do të na tregojë se ç’duhet të bëjmë e çfarë jo?!
Kot e kemi që shqetësohemi. Ata janë gjithë kohën pa ligj në kohë luftrash e në kohë paqeje. Ata ndoshta janë edhe të mirëkuptuar mes njëri -tjetrit e ne duhet që të harxhojmë kohë e t’i shohim, dëgjojmë e t’ju bindemi edhe tani në kohë lufte kur ligji bie.
Po ikni o njerëz mbylluni diku e bëni ç’të doni me njëri – tjetrin. Po qe se në të vërtetë urreheni kaq shumë, sa nuk ju ka mbetur më as dashuri për të konsumuar, çfarë keni që na mbingarkoni? Mos na zini hapësirën shumë të vlefshme që na duhet të bëhemi sy e veshë për të admiruar dhe sublimuar superheronjtë e vërtetë dhe shpresën e vetme që kemi. Nëse mundeni të shmangni që në kohë lufte ligji bie, ose të bëni ligje – rregulla apo rregulla – ligje për të shmangur kaosin, dilni në daçi bashkë, në daçi veç e veç, e mos na shkëpusni nga kafka trurin (mos na e hiqni mendjen fare) dhe, deklaroni se si do të na mbështesni ekonomikisht, me borxhe, hua apo donacione nuk na intereson fare ta dimë. Mos na bindni që vërtetë jemi në situatën “Silent enim lēgēs inter ama” (në kohë lufte ligji bie), sepse ne aq duam dhe kjo më mirë se kushdo mund të ilustrohet nga vetë ju. Mos na lini të mendojmë se “luanët” do të jenë të mbijetuarit e vetëm të kësaj pandemie të mallkuar vetëm sepse Silent enim lēgēs inter ama (në kohë lufte ligji bie) dhe, ose rrini e puthuni, rrihuni, shahuni, bëni ç’të doni, por ne mos na e mbushni mendjen se “Silent enim lēgēs inter ama” (në kohë lufte ligji bie), sepse ne aq duam dhe… e mori ferra uratën.
*Regjisor










