Aktoret Kristen Steëart dhe Lea Seydoux, do t’i bashkohen yllit kinematografik Cate Blanchett në panelin e jurisë së sivjetme, të festivalit prestigjioz të filmit në Kanë.
Që të dyja, Stewart dhe Seydoux kanë qenë përcjellëse të rregullta të kësaj ngjarje ndër vite, derisa filmi i aktores franceze Lea Seydoux, “Blue is the Warmest colour”, e fitoi çmimin kryesor të festivalit “Palma e Artë” në vitin 2013, transmeton emisioni Express në KTV.
Drejtori i Festivalit të Kanës, Thierry Fremaux, teksa po i bënte të ditur filmat konkurrues të edicionit të 71-të të festivalit, tha se ka qenë shumë i vëmendshëm në balancimin e dy gjinive që janë pjesë e organizimit të një prej ngjarjeve më të rëndësishme kinematografike në Francë.
Juria sivjet do t’i përfshijë pesë femra dhe katër meshkuj, përfshirë këtu regjisoren Ava DuVernay dhe kryetaren e jurisë, aktoren Cate Blanchett. (b.an)