Shkëlzen Selimi, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, del nesër në Vetting. Me emrin e tij janë lidhur dosje të mëdha, të cilat si një shërbim për politikën janë mbyllur, përmendim këtu Gërdecin. Pas vendimit, Shkëlzen Selimi udhëtonte me makinën e të dënuarit për tragjedinë e Gërdecit. Lidhjet e tij me botën e krimit dhe bandat e trafikut të drogës janë të vjetra dhe të faktuara edhe nga Shërbimi Informativ Shtetëror, shkruan Top Channel.
Nga dokumenti që disponon Top Channel kuptohet që gjyqtari Shkëlzen Selimi ka ndihmuar dhe bashkëpunuar për lirimin nga burgu të një të arrestuari, që ishte kapur në flagrancë me armë pa leje.
Ngjarja për të cilën SHISH ka përgjuar ka ndodhur në dimrin e vitit 2011 në qytetin e Vlorë, aty ku ka punuar si gjykatës edhe Shkëlzen Selimi.
Oficerët e Shërbimit Sekret ishin në ndjekje të Fero Dervishajt dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ata raportojnë se në përgjime kanë kapur komunikime edhe me gjykatësin Shkëlzen Selimi. Ja çfarë thuhet në dosje:
“Gjatë ndjekjes së procesit informativ në ngarkim të këtij shtetasi nga një ngjarje e rastësishme që lidhet me arrestimin e tij më datë 27 nëntor të vitit 2011 për armëmbajtje pa leje, u vërtetuan disa lidhje korruptive të këtij grupi në sistemin e drejtësisë dhe policisë , të cilat brenda 3 ditëve mundësuan nxjerrjen e tij në gjendje të lirë, në datën 30 nëntor 2011. Lidhjet korruptive të këtij grupi në sistemin e drejtësisë referuar ngjarjes konkrete janë: Zoti Shkëlzen Selimi, gjyqtar i Gjykatës së Lartë”, thuhet në dosje.
Në raport thuhet: “Ora 17:19 minuta: Fero kontakton me Shkëlzenin dhe e falenderon. Më pas Fero e vë në dijeni se të nesërmen, më 1 dhjetor, mund të shkojë të takohen. Shkëlzeni e konfirmon për të ardhur në atë ditë. Në orën 19:11, shtetasi me inicialet E.A. i dërgon “sms” Shkëlzenit me këtë tekst: Rrofsh, por besoj se nuk duhet të të bezdisja se e dije ti përfundimin. Përshëndetje, Mondi. Ora 19:14: E.A. merr këtë “sms” nga Shkëlzeni me tekst: Në jetë ka edhe aksidente. E rëndësishme ishte fundi i gëzuar. Bëra çdo gjë që edhe shoku im do ta kishte bërë për mua. Unë besoj te shoqëria. Do ta festojmë. E.A.: Patjetër do ta festojmë. Për këtë nuk të telefonova më sepse unë besova te ty”.
/b.d











