Sot emri i Zvërnecit është në qendër të debatit publik për projektet turistike, statusin e paqartë të pronësisë, pretendimet e trashëgimtarëve dhe përplasjet mbi të ardhmen e një prej zonave më të bukura të bregdetit shqiptar. Por shumë pak kujtojnë se para se të bëhej objekt debatesh për resorte turistike dhe investime strategjike, Zvërneci ishte një nga laboratorët e errët të diktaturës komuniste.
Ishulli i qetë mes pishave dhe lagunës nuk shërbeu vetëm si peizazh natyror apo si vend pelegrinazhi për manastirin e tij shekullor. Në fund të viteve ’50 ai u shndërrua në një kamp izolimi për disa prej figurave më të njohura të regjimit komunist, njerëz që kishin qenë pjesë e elitës komuniste dhe më pas ishin shpallur armiq nga diktatori Enver Hoxha.
Mes tyre ishte edhe Xhavit Qesja, ish-komandant partizan, anëtar i hershëm i Partisë Komuniste, drejtues i Brigadës së 22-të Sulmuese dhe funksionar i lartë i regjimit, Qesja do të përfundonte në ishullin e izoluar pasi kishte mbështetur hapur reformat e Nikita Hrushovit kundër kultit të Stalinit.
Dokumentet e Sigurimit të Shtetit, publikuar nga Memorie.al disa kohë më parë, tregojnë se Zvërneci nuk ishte zgjedhur rastësisht. I rrethuar nga uji, larg qyteteve dhe syve të publikut, ishulli ofronte atë që regjimi kërkonte: izolim fizik dhe psikologjik. Të internuarit nuk ishin ende të burgosur, por as të lirë. Ata jetonin në një zonë të izoluar ku çdo ditë mund të sillte arrestimin, hetimin ose një dënim të ri. Dosjet e vitit 1958 zbulojnë se Sigurimi kishte ngritur një rrjet të dendur informatorësh brenda vetë grupit të të internuarve. Bashkëpunëtorë me pseudonime si “Vigjilenti” dhe “Vëzhguesi” raportonin çdo bisedë, çdo shaka, çdo dyshim dhe çdo shprehje pakënaqësie. Atmosfera ishte e tillë sa edhe heshtja kthehej në objekt raportimi. Për Xhavit Qesen, një nga raportet shënon vetëm një fjali të shkurtër: “Nuk flet fare, por rri e dëgjon”. Në fakt, heshtja ishte forma më e sigurt e mbijetesës.
Përmes heshtjes së të internuarve dhe përmes kujtesës së një ishulli që për shumë vite shërbeu si një burg i fshehur në mes të detit, Zvërneci ishte në thelb një burg pa mure.
Masat Operative:
PUNËTORI OPERATIV
N/Kolonel (Raqi Zavalani)
Raport-informacion i bashkëpunëtorit të Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Vëzhguesi”, lidhur me bisedat e bëra nga të internuarit në Ishullin e Zvërnecit
15/X/1958
R A P O R T
Është vështirë që të japësh një opinion të parë mbi personat që ndodhen këtu, mbasi evitojnë me çdo mënyrë bisedimet rreth veprimeve të kryera ose nuk shfaqin pikëpamjet që kanë mbi një çështje të dhënë kur hapet bisedimi. Vetëm në sajë të frazave sporadike, ironive dhe thumbave mund të formosh një gjykim të përciptë. Prandaj ma mirë pa japë këto raste, ashtu siç janë ç’faqur:
Qysh ditën e parë që erdhëm në Zvërnec, Pëllumb Dishnica, Peço Fidhi dhe Gjovalin Luka, u mbyllën në një dhomë dhe mbasi biseduan rreth një orë, kur dolën Gjovalini na tha: “Dëgjoni more shokë, këtu nuk dimë pse na kanë prurë, të mos bëjmë bisedime politike, të rrimë në hallin tonë, secili. Të nesërmen në mëngjes, Gjovalini tha: unë do të flejë dhe do të jetoj veçant. Po atë ditë në mbrëmje, kur Peço Fidhi filloi të tregoj se si ishte takuar me një aviator të përjashtuar nga Partia në Fier, Pëllumbi, i tha: S’kanë ç’më duhen këto biseda, ndërsa Gjovalini shtoi: “Të mos përmendim emra, mbasi boll e kemi marrë veten më qafë”. Pëllumbi, që në ditët e para filloj të tregoj mbi ishullin e Ventotenes në Itali, ku ka qenë i internuar, duke theksuar tipe të ndryshme të provokatorëve dhe në fund shtoi se: është e logjikshme që në çdo vend internimi të ketë informatorë.
Xhaferr Vokshi, tregoi një rast që paska ndodhur gjatë Luftës në Kosovë, ku kur ndonjëri fliste gabim në mbledhjet me fshatarët, një tjetër ja bënte me të madhe: “Obobo dhëmballa”. Kjo parullë u bë zakon për disa ditë dhe këtu në Zvërnec, kështu që sa fillonte ndonjëri të bisedonte çështje politike, ose teorike, ja prisnin muhabetin duke thënë: “O bobo dhëmballa”. Dy tre javët e para, Peço Fidhi mbeti duke thënë: “Prit kur të merret ndonjëri tani në Vlorë”! Ndërsa Rasimi i tha: “Ku ta dimë neve, se si u ndamë me provat teknike në Vlorë me gjeneral Llaqin”!
Ndërkohë, shëtisnin së bashku duke biseduar ose në dhomë, Pëllumb Dishnica dhe Gjovalin Luka dhe në grupin tjetër, Rasim Tahiri, Xhaferr Vokshi. Xhavit Qesja ka qëndruar gjithnjë mënjanë.
Sa here që kapiten Mersini, komandanti, futesh vetëm në pyll, i bënim sytë katër, se mos po shkëputej ndonjëri prej nesh, për t’u takuar me të. Një ditë, Xhavit Qesja pa ditur se në pyll ishte kapiteni, shkoi për të shëtitur, atëherë, menjëherë ju vu prapa.
Ata i kanë bërë sytë katër, mbasi jetojnë nën psikozën e procedimit. Gjovalini dhe Peçua, kanë thënë se mund të na mbajnë këtu për të na nxjerrë në gjyq në momentin oportun. Shpesh, Peço Fidhi ka pyetur pse nuk më burgosin, nuk kanë fakte të mjaftueshme vallë, apo duan të presin rastin e volitshëm. Pëllumb Dishnica, i tha një ditë: “Bëjuni lutje që të të burgosin”. Peçoja më ka pyetur shpesh herë, si është në burg, ku është më mirë, në Zvërnec, apo në Artizanat, etj., rreth burgimit.
Një ditë Pëllumb Dishnica, më tha: “Kjo pritje është e tmerrshme, mbasi nuk dimë se çdo të bëhet me ty”. Në fakt, personat me të trembur janë Pëllumb Dishnica dhe Gjovalin Luka, ata sikur e presin arrestimin, sot me nesër. Një ditë, Xhaferr Vokshi, duke i’u përgjigjur Peços për pyetjen, pse nuk më burgosin dhe ku është më mirë, këtu në internim, apo në burg, tha: Jo, unë nuk e shtroj çështjen ashtu, mbasi nuk i kam fshehur gjë Sigurimit, pra kaq kam bërë, prandaj më kanë internuar dhe jo burgosur. Ndërsa Rasimi tha: Pse më sjell ters xhanëm ky njeri?! Po i marr personat një nga nji në raste të ndryshme që janë ndodhur:
Pëllumbi dhe Xhavit Qesja, kanë filluar të mësojnë gjuhën angleze, kur Xhaferrr Vokshi u tha, kot e keni, s’ka për t’ju dash me e përdor ndonjëherë, Pëllumbi iu përgjigj: “S’i dihet, mund të hyjë në punë, pastaj kalojmë kohën…”/TemA











