• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, September 16, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Ne dhe Europa, por përtej një rezolute

by Niko Peleshi
20/04/2019 12:38
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Niko Peleshi

Para disa ditësh, Parlamen ti holandez votoi në shumicë një rezolutë, ku i kërkohet BE-së të pezullojë regjimin e lëvizjes së lirë në BE të qytetarëve nga Shqipëria. Më shumë se sa një lajm i keq për Shqipërinë, ky është një lajm i keq për vetë BE. Iniciativat radikale e nacionaliste, që i imponohen vendimmarrjes politike në vendet komunitare janë kërcënimi i vërtetë për projektin europian. Ndaj ky është vërtet një lajm për t’u trishtuar, por në radhë të parë si europianë e pastaj si shqiptarë.

EUROPA DHE GJUHA POLITIKE

Kohë më parë pata shkruar një opinion të titulluar “Të jesh politikisht korrekt”. Ishte një këndvështrim mbi rolin që po luan gjuha politike në ndryshimin e shpejtë të skenës politike botërore. Nuk bëhet fjalë thjesht për një betejë politike semantike. Bëhet fjalë për raportet e ndryshuara të politikës me shoqërinë. Ndonëse nuk ka kaluar shumë kohë nga ai shkrim, konfiguracioni i forcave politike në Europë e më gjerë ka ndryshuar ethshëm. Nga epoka e të qenurit “politikisht korrekt” kaluam në epokën e retorikës radikale dhe të urrejtjes së ushqyer nga fryma e populizmit dhe nacionalizmit. Në Hungari, Poloni, Çeki, Itali kjo frymë është në pushtet. Në Britani solli kaosin e Brexit, në Francë është forca e dytë më e madhe, në Gjermani është forca e tretë me rritje të shpejtë. Sot ndarja e madhe e politikës nuk është ndërmjet së majtës dhe së djathtës, por ndërmjet globalistëve dhe nacionalistëve. Globaliste janë edhe forcat e vjetra të majta, edhe forcat e vjetra të djathta. Nacionaliste janë forcat e reja të ekstremit të majtë, por edhe të ekstremit të majtë. Duket se bota po shkon drejt një rendi të ri. Globalizmi, të drejtat e njeriut, liria e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave duken si parime të botës së vjetër. Se si do të duket bota e re, nëse do të vazhdojë ky trend politik, askush nuk guxon ta vizatojë. Në çdo rast nuk duket se do të jetë demokratike liberale.

Ndërkohë, forcat “e vjetra” politike, pra, establishmenti politik, e rrumbullakosën gjuhën politike për ta përshtatur me kauzat e partive populiste. Mbase kjo është rrethana që i dha shumicën e votave të parlamentarëve holandezë, rezolutës për Shqipërinë, shtuar edhe faktin që në kohë fushatash si kjo (në vendet e BE-së po zhvillohet fushata për zgjedhjet e Parlamentit Europian), partitë nuk duan të humbin asnjë votë. Megjithatë, rrumbullakosja e gjuhës, në vend që t’i shpëtonte, i ka çuar në një rënie të dukshme gjithandej partitë europianiste, sepse sjellja “politikisht jokorrekte” populiste duhet përballuar me gjuhën “politikisht jokorrekte” të së vërtetës, jo me uljen e kokës para histerisë populiste. Rezultati i zgjedhjeve parlamentare europiane pritet të rritë ndjeshëm vendet e nacionalistëve në PE.

PËRBALLJA ME TË VËRTETAT

Ka ardhur pra koha e gjuhës së vërtetë, politikës që pranon dështimet dhe jep alternativat e korrigjimit pa u përpjekur t’i fshehë ato. Duhet pranuar, për shembull, që globalizmi ka sjellë përqendrimin e pasurisë te një numër gjithnjë e më i vogël individësh dhe vendesh më të pasura. Lipset, pra, një qasje e re e globalizimit të tregut që i jep mundësi më shumë kompanive të operojnë në tregun global. Jack Ma, themeluesi i Alibaba, portalit më të madh në botë të tregtisë online, ka ndërtuar një platformë elektronike, që i krijon mundësinë prodhuesve të kafesë në Ruanda të shesin prodhimin e tyre drejtpërsëdrejti te tregtarët kinezë. Në këtë mënyrë, çmimi që përfitojnë prodhuesit ruandezë është rritur nga 8 në 12 dollarë/kg. Kjo qasje po quhet globalizëm nga poshtë lart (bottom-up) dhe inspirohet nga nevoja për të rritur numrin e kompanive përfituese të globalizimit nga 60 mijë që llogariten aktualisht, në mundësisht 60 milionë, sipas Jack Ma.

 

Politika sot duhet të pranojë dhe korrektojë edhe dështimet politike të sistemit të demokracisë liberale. Le të marrim risqet e avancimit teknologjik. Bota po kalon me shpejtësi nën pushtetin e algoritmeve, thotë historiani izraelit, Youval Noah Harari. Bazuar në të dhënat personale, algoritmet arrijnë të zbërthejnë botën emocionale të njeriut dhe të orientojnë zgjedhjet. Pra, demokracia shpejt do të jetë vullneti i një shumice të ndikuar nga teknologjia, jo i një shumice që zgjedh me vullnet të lirë. Është e nevojshme të bëhet një punë kolosale nga BE dhe SHBA, kryesisht, për të ndërtuar kuadrin rregullator dhe institucional të kësaj fushe, ende të parregulluar.

Këto sfida të vështira nuk mund të zbukurohen dhe as të pasohen te qeveritë pasardhëse. Ndërkohë, mandatet politike të kufizuara në kohë (përgjithësisht 4-vjeçare) i bëjnë të gjitha qeveritë të paguximshme për t’u përballur me këto çështje të sikletshme.

SHQIPËRIA SOT DHE NESËR

Politika në Shqipëri duket e shkëputur nga ngjarjet globale, por është thjesht e sfazuar në kohë. Këtu era fryn me disa vite vonesë, por kjo periodë vonese sa vjen dhe zvogëlohet për shkak se Shqipëria është duke u bërë gjithnjë e më e hapur. Teknologjitë e informacionit dhe media luajnë rolin e tyre në këtë përshpejtim.

Edhe këtu te ne doktrinat politike e ekonomike nuk janë më ato që ndajnë forcat politike. Me disa përjashtime këtu, gjithë klasa politike ka të njëjtin qëndrim për çështjet kryesore të kohës.

Të paktën në programet e tyre politike, të gjitha partitë janë pro integrimit europian, pro reformimit të sistemit të drejtësisë, pro tregtisë së lirë, pro të drejtave të njeriut, pro të drejtave të minoriteteve, pro legalizimit të ndërtimeve pa leje, pro kthimit e kompensimit të pronave, pro kompensimit të ish-të përndjekurve politikë, pro investimeve të huaja.

Do të krijohen me siguri, herët a vonë, forca të reja politike me platforma të ndryshme populiste, nacionaliste, radikale majtiste, antieuropiane apo fetare, që do të sjellin edhe këtu në Shqipëri ndarje të reja.

Ato do të peshkojnë pa dyshim te problemet ekonomike e sociale, te pafuqishmëria e bizneseve për të mbijetuar në një treg europian, ku kërkohen standarde shumë më të larta prodhimi dhe shërbimi, te dëshpërimi i të rinjve nga pamundësia për të konkurruar në tregun europian të punës me dijet e marra nga arsimi i lartë shqiptar. Ndaj, sa më shumë të mbështeten bizneset e reja dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme sot, aq më pak i kërcënuar do të jetë realiteti politik nga sharlatanizmi nesër. Nuk po shohim ende një Jack Ma shqiptar, që ta projektojë suksesin e biznesit të vetë në shtimin dhe fuqizimin e bizneseve te tjera shqiptare. Jemi larg kësaj filozofie biznesi. Përkundrazi, ka një tendencë të vazhdueshme për ta ngritur suksesin mbi dështimin e të tjerëve.

Ndërkohë, sa më e paprinciptë të jetë lufta politike ndërmjet dy forcave tona kryesore politike, sa me tepër t’u largohemi nevojave të vërteta të njerëzve të zakonshëm, sa më të pavërtetë të jemi në ato çka themi ndryshe nga ato çka bëjmë, aq më e madhe do të jetë hapësira për forcat e reja populiste që mund të lindin në skenën tonë politike.

Rezoluta e Holandës na jep rastin që qeveria dhe opozita politike e parlamentare të bëjnë gjestin e parë të vendosjes së interesit kombëtar mbi atë politik. Të flasim me zë të lartë me gjuhën e vërtetë të shqiptareve, që nuk meritojnë të portretizohen si rreziku i Europës. Shifrat e azilkërkuesve dhe kriminalitetit në vendet e BE-së e vërtetojnë këtë pohim. Vendimmarrjet e sotme po bëhen gjithnjë e më irracionale dhe mbase ne nuk mund t’i influencojmë dot ato, por një Shqipëri që nuk reagon, ose akoma me keq që me gjysmën e vetë feston, është një Shqipëri që i thotë qartazi BE-së se nuk e meriton ende të merret në konsideratë si vend aspirant.

Dhe së fundi, edhe në Shqipëri ka ardhur koha të ndryshojmë gjuhën politike. Tezat e vjetra njerëzit i kanë mësuar përmendësh dhe kanë filluar t’i neveritin.

Rruga më e lehtë dhe më joshëse për politikën është kalimi nga gjuha politikisht korrekte në gjuhën populiste, por Shqipëria ka nevojë për zgjidhje e reforma dhe nuk i përballon dot më lojërat politike me pushtetin.

Ndaj, gjuha populiste e rrugës në Shqipëri është edhe më e rrezikshme se në vendet e tjera.

Kemi vetëm një rrugë:

Të jemi njerëzorë e të përulur para sfidave të mëdha.

 

 

 

 

Next Post
Bashkia e Tiranës fton të rinjtë të aplikojnë për të kryer praktikën profesionale

5 Maj/ Dita e Tiranës pa makina, nga Muzeu te këngët partizane

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Ish-krerët e UÇK-së u dënuan me burg, reagon kryeministri Rama: Marre!

Ish-krerët e UÇK-së u dënuan me burg, reagon kryeministri Rama: Marre!

September 16, 2026
Gjyqi në Hagë, dënohen me 25 vite burgim Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi, 18 vite për Kadri Veselin dhe 13 për Rexhep Selimin! Kishin dijeni për krimet

Gjyqi në Hagë, dënohen me 25 vite burgim Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi, 18 vite për Kadri Veselin dhe 13 për Rexhep Selimin! Kishin dijeni për krimet

September 16, 2026
Marrëdhëniet BE-Kinë, Von der Leyen: bashkëpunimi tregtar është i paqëndrueshëm, deficiti arrin 1 miliard euro në ditë!

Marrëdhëniet BE-Kinë, Von der Leyen: bashkëpunimi tregtar është i paqëndrueshëm, deficiti arrin 1 miliard euro në ditë!

September 16, 2026
Dronët rusë i afrohen avionit të Zelenskyt në Moldavi, presidenti ukrainas: Mendoj se e dinin që isha atje…!

Dronët rusë i afrohen avionit të Zelenskyt në Moldavi, presidenti ukrainas: Mendoj se e dinin që isha atje…!

September 16, 2026
Gjykata e Hagës: Anëtarë të UÇK-së kryen veprime dhe mosveprime që rezultuan në vdekjen e të paktën 96 personave!

Gjykata e Hagës: Anëtarë të UÇK-së kryen veprime dhe mosveprime që rezultuan në vdekjen e të paktën 96 personave!

September 16, 2026
Shpërthen Ylli Manjani: Prokurorë, shkoni me lule te varri i Enverit. Ai nuk lejonte avokatët!

Morali fallso…

September 16, 2026
Pas gati 6 vitesh paraburgimi, po mbahet në Gjykatën Speciale të Hagës seanca për vendimin ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së! Kosova pret lirimin

Pas gati 6 vitesh paraburgimi, po mbahet në Gjykatën Speciale të Hagës seanca për vendimin ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së! Kosova pret lirimin

September 16, 2026
Rama në Korçë për Reformën Territoriale, të moshuarit kërkojnë të takohen kryeministrin dhe t’i qajnë hallet: Marrim vetëm 10 mijë lekë pension!

Rama në Korçë për Reformën Territoriale, të moshuarit kërkojnë të takohen kryeministrin dhe t’i qajnë hallet: Marrim vetëm 10 mijë lekë pension!

September 16, 2026
Nuk do luajë më me Shqipërinë, sulmuesi i talentuar grumbullohet nga Jurgen Klopp për Gjermaninë!

Nuk do luajë më me Shqipërinë, sulmuesi i talentuar grumbullohet nga Jurgen Klopp për Gjermaninë!

September 16, 2026
Gjyqtari i Hagës: U vërtetua arrestimi i paligjshëm i së paku 385 personave! Të ndaluarit u rrahën dhe iu shkaktuan vuajtje psikologjike

Gjyqtari i Hagës: U vërtetua arrestimi i paligjshëm i së paku 385 personave! Të ndaluarit u rrahën dhe iu shkaktuan vuajtje psikologjike

September 16, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com