Nga fillimi i vitit 2016 Qeveria ka nxjerrë në shitje rreth 1500 prona shtetërore. Lista e objekteve përmban shkolla, kopshte, magazina, depo, fabrika prodhimi, pika kufitare e ish reparte ushtarake, por vrulli i privatizimeve duket se nuk do të mjaftohet vetëm me pasuritë e paluajtshme.
Në ankandet e organizuara nga Ministria e Financave më 22 Nëntor, bashkë me një ambulancë në Gjirokastër e një mencë në Pogradec, do të shiten edhe 8 qen të Policisë së Shtetit.
Sipas njoftimit zyrtar, qentë janë në administrim të Institutit të Përgatitjes së Qenve të Policisë. Vlera fillestare e ankandit për qentë, Pisha, Shila, Sima dhe Sam janë 10,500 lekë.
Më pak vlerësohen Simba, Dafina, Foksi e Feniksi, të cilët do të hidhen në ankand me shifrën 5,600 lekë shkruan Shqiptarja.
Ministria njofton të gjithë të interesuarit se për të marrë pjesë në ankand nevojitet një kërkesë me shkrim, një garanci bankare që vërteton ngurtësimin e 20 % të vlerës së fillimit të ankandit dhe një dokument identifikimi./a.m.