Vala e të nxehtit e vitit 2024 kulmoi që në fillimet e qershorit duke vërtetuar edhe njëherë se aktiviteti njerëzor po intensifikon ndryshimet klimatike. Qershori i këtij vitit ishte gjithashtu muaji i 12-të me radhë që temperaturat mesatare globale kanë qenë 1.5C mbi temperaturat para-industriale.
Greqia, Italia, Spanja, Portugalia, Franca dhe Maroku përjetuan nxehtësi ekstreme në korrik, duke shkaktuar të paktën 23 viktima, zjarre vdekjeprurëse dhe duke e ndërprerë rutinën e përditshme të shumë njerëzve.
Shumë vende në kufi me Mesdheun u përfshinë nga nxehtësia ekstreme, pas temperaturave shumë të larta në Evropën Lindore në fillim të korrikut.
Studimet vazhdojnë të tregojnë se ndryshimi i klimës i shkaktuar nga njeriu po thyen rekorde të të nxehtit. Në shumë rajone, ndikimi i ngrohjes globale është aq i madh saqë temperaturat e regjistruara gjatë valëve të të nxehtit nuk do të ishin të mundshme pa ngrohjen e shkaktuar nga djegia e lëndëve djegëse fosile. Kjo përfshin pjesë të SHBA-së, Sahelin, Afrikën Perëndimore, Filipinet dhe vende të tjera në Azinë Lindore, si dhe Mesdheun.
Shërbimi i monitorimit të klimës Copernicus i BE-së dhe Organizata Botërore Meteorologjike, në një raport mbi klimën e Evropës, vunë në dukje kushtet ekstreme të vitit të kaluar, duke përfshirë një valë të nxehti në korrik, e cila shkaktoi 41% më shumë stres tek popullata e Evropës Jugore.
Sipas shkencëtarëve nxehtësia ekstreme paraqet rreziqe të veçanta shëndetësore për punëtorët të cilët janë në natyrë, të moshuarit dhe njerëzit me sëmundje kardiovaskulare dhe diabet. Pjesë të Italisë regjistruan 7 % më shumë vdekje se normalja korrikun e kaluar, ndërsa në Francë, Spanjë dhe Greqi njerëzit sipas raportit përjetuan dhjetë herë më shumë stres me temperatura te pazakonta mbi 47 gradë Celsius. Vdekjet nga nxehtësia janë rritur me rreth 30% në Evropë në 20 vitet e fundit, thuhet në raport.
Europa ishte më e prekura nga ky fenomen. Temperaturat rekord detyruan autoritetet në Greqi të mbyllin monumentin turistik Akropolin.
Në rajonin e Atikës përreth Athinës, flakët shkatërruan 37% të pyjeve dhe kullotave që nga viti 2017. Të dhënat u publikuan ne muajin gusht nga Observatori Kombëtar i Athinës. Më shumë se 60% e pyjeve janë djegur duke ndërprerë edhe rritjen e tyre.
Zjarret vit pas viti kanë ndezur një debat se cili duhet të jetë hapi i radhës i qeverisë: të vazhdojë me një program të rimbjelljes së pemëve, ose siç kanë sugjeruar disa shkencëtarë, të kërkojnë mënyra të reja për t’u përshtatur.
Theodore Giannaros, meteorolog në Observatorin Kombëtar të Athinës, ka bërë të ditur se vitin e ardhshëm toka do të jetë edhe më e nxehtë për shkak se shumë pemë janë shkrumbuar. Bimësia e cila është më pak e prekshme nga zjarret dhe disa lloje barishtesh mund të jenë zgjidhja e vetme për të shpëtuar tokat.
“Rajoni i Atikës, nëse e shohim në tërësi, ka humbur rreth një të tretën e peizazhit të tij. Duhet të fokusohemi seriozisht, jo vetëm të mbjellim pemë apo pyje, por në një mënyrë që do të jetë më e qëndrueshme në të ardhmen dhe më rezistente ndaj fatkeqësive të tjera natyrore”, thotë Theodore Giannaros, meteorolog në Observatorin Kombëtar të Athinës.
Me ndihmën e 450 milionë eurove nga BE, qeveria ka miratuar një plan kombëtar për parandalimin e zjarrit që përfshin gjithashtu mbjelljen e 1 milion pemëve në Atikë. BE ka një plan për të rimbjellur 3 miliardë pemë në të gjithë bllokun deri në vitin 2030.
Siçilia është e njohur për peizazhet e saj piktoreske dhe atraksionet turistike por ajo u përball me një thatësirë të madhe pas mungesës së reshjeve, duke ngritur shqetësimet se ishulli mund të bëhet një nga rajonet që përgjatë viteve të ardhshme do ketë pasoja të mëdha.
Rajoni jugor italian dhe qyteti i Agrigento regjistroi një rënie deri në 80 përqind të burimeve ujore.
“Nëse jetoni në qytetin e vjetër, keni probleme serioze me ujin. Njerëzit nuk kanë ujë, nuk bëjnë dush në verë, e ndonjëherë edhe në dimër. Pra, nëse shkon në shtëpinë e dikujt, nuk është e çuditshme të gjesh vaskën plot me ujë. Aty e marrin ujin për gatim ose larje. Ne nuk duhet ti kemi këto probleme në vitin 2024”, shprehet Federico Castronovo pronar restoranti.
Qeveria rajonale e Siçilisë shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, ku u bënë kufizime për përdorim vetjak dhe për bujqësi.
Bujqësia në Siçili, një nga rajonet më jugore në Evropë, u përmend si një shqetësim i veçantë nga shërbimet e monitorimit te Bashkimit Evropian i cili ngriti alarmin për thatësirat në Mesdhe. Mungesa e ujit nuk është asgjë e re për sicilianët. Ekspertët thonë se kjo mund të jetë kriza e tretë më e keqe e ujit e regjistruar ndonjëherë këtu.
Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA ka bërë të ditur se në tre vitet e fundit ky fenomen është përhapur edhe më shumë. Shkencëtarët thonë se ky vit duket veçanërisht shqetësues. Herën e fundit që një El Nino kishte një intensitet shumë të lartë ishte në vitin 2016 dhe bota në atë periudhe regjistroi vitin më të nxehtë në histori. Meteorologët thonë se që ky El Ninjo thelloi krizën e ndryshimeve klimatike dhe globi u përball me temperatura rekord.
Por viti 2024 përpos nxehtësisë ekstreme solli gjithashtu edhe përmbytje katastrofike. Kjo sipas ekspertëve është në përputhje me atë që shkencëtarët kanë parashikuar që nga vitet 1990 për një planet më të ngrohtë.
“Në pjesën lindore të Mesdheut dhe Detin e Zi vera ka qenë e nxehtë. Temperaturat ishin tre deri në pesë gradë më të ngrohta se mesatarja, në disa raste edhe rekord. Faktori i dytë është se ajri në përgjithësi ishte më i ngrohtë se dikur, dhe ne e dimë se me çdo shkallë ngrohjeje atmosfera mund të marrë rreth gjashtë deri në shtatë për qind më shumë lagështi dhe kjo me kalimin e kohës sjell shira të dendur”.
Bilanci i viktimave nga përmbytjet ka arritur në 26 ndërsa Republika Çeke dhe Polonia ishin më të goditurat nga stuhia Boris. Në Sllovaki dhe Hungari niveli i lumit Danub u rrit në mënyrë të frikshme, duke shkaktuar përmbytje katastrofike të cilat nuk ishin parë më përpara.
Stuhi të tilla si Boris në të ardhmen mund të bëhen edhe më të shpeshta duke sjelle fenomene shkatërrimtare për vendet. Sipas raportit stuhi të tilla do të sjellin të paktën 5% më shumë shi dhe do të ndodhin rreth 50% më shpesh nëse ngrohja nga nivelet para-industriale arrin 2 C, gjë që pritet në vitet 2050.
Më shumë se 200 njerëz humbën jetën nga përmbytjet në Valencia, duke rrëmbyer ura dhe ndërtesa. Meteorologët thanë se shiu i një viti kishte rënë në tetë orë në pjesë të Valencias më 29 tetor. Grumbuj makinash, shtëpi nën ujë, toka bujqësore të përmbytura ishin vetëm një pjesë e asaj çfarë sollën reshjet e pazakonta në këtë rajon të Spanjës.
Laguna Albufera në jug të Valencias, shtëpia e të paktën 372 llojeve të shpendëve, si dhe peshqve të rrezikuar të ujërave të ëmbla, si krapi i Valencias, tani është i mbushur me frigoriferë, kanaçe, topa futbolli dhe mbeturina të tjera.
“Dita që e pash nga afër ndikimin e përmbytjeve në liqenin La Albufera ishte një tronditje për mua. Është dramatike të shohësh se si një zonë me vlerë dhe bukuri të tillë është kthyer në një vendgrumbullim mbetjesh. Për pak sa nuk pata një sulm në zemër kur pashë të gjithë atë situatë, të kuptoja shkallën e ndikimit dhe sa shumë do të duhet për t’u rikuperuar. Por më pas Fillova të kuptoj se do të jemi në gjendje ta rimëkëmbim atë”, shprehet biologu Pablo Vera.
Tragjedia është katastrofa më e keqe në Evropë e lidhur me përmbytjet që nga viti 1967, kur të paktën 500 njerëz humbën jetën në Portugali.
Një tjetër paketë ndihme prej 2.3 miliardë euro është dhënë për të prekurit nga përmbytjet që përfshinë Valencian. Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka mbrojtur gjithashtu veprimet e qeverisë për të përballuar situatën e krijuar nga përmbytjet.
Shiu i madh shkaktoi përmbytje dhe rrëshqitje dheu në Bosnje. Fatkeqësia nxori në pah problemet me kanalizimet . Vendasit thonë se janë mbështetur nga donacione bamirësie.
“Nuk kemi marrë asgjë nga shteti. Në qytet kishim një biznes, një dyqan me produkte artizanale. Nuk kemi marrë asgjë nga shteti deri më tani, kjo është e vetmja gjë që kemi për momentin”, thotë Mirsada Garlica, banore e zonës.
27 persona humbën jetën në Bosnje. Ekspertët thonë se përmbytjet në këtë zonë kanë qenë më të rënda edhe për shkak të shpyllëzimit, ndërtimit pa kriter që kanë përkeqësuar ndikimin e ndryshimeve klimatike.
Përmbytjet nuk kursyen edhe Marokun më 24 tetor, pas reshjeve të rralla që goditën rajonin. Zonat më të prekura ishin pjesa juglindore e Marokut ku sipas një raporti të fundit shirat e dendur vranë më shumë se 1,460 njerëz në vendet në skajet e Saharasë. Ndërsa ngjarje të tilla ekstreme janë të rralla, ato mund të bëhen gjithnjë e më të shpeshta për shkak të efekteve të ndryshimeve klimatike.
Afro një mijë njerëz humbën jetën nga cikloni Chido që goditi ishullin francez Mayotte.
Shumë shtëpi, shkolla dhe objekte shëndetësore u shkatërruan. Ishulli ndodhet pranë brigjeve veriore të Mozambikut dhe cikloni ishte me një shpejtësi prej 225 kilometrash në orë. Erërat e fuqishme shkatërruan pjesën më të madhe të shtëpive një-katëshe në lindje të arkipelagut, të ndërtuara jashtë standardeve.
Ishujt janë përballur me thatësirën, mungesën e investimeve dhunën e bandave për dekada dhe tani me një krizë pas ciklonit Chido, i cili sipas ekspertëve tregojnë shkallën e intensifikimit të ngrohjes globale.
Për të kaluar në pjesën tjetër të globit, edhe SHBA-ja përjetoi te tilla fenomene gjatë vitit 2024. Si fillim zjarret, dogjën mbi 8.1 milionë hektarë krahasuar me një mesatare vjetore, sipas autoriteteve përgjegjëse. Deri më tani këtë vit, zjarret në Kaliforni kanë shkrumbuar tre herë më shumë tokë sesa vitin e kaluar në këtë kohë.
Dëmet ishin po ashtu katastrofike në shumë shtete amerikane pas goditjes nga uragani Helene. 63 persona humbën jetën, ndërsa mbi 110 miliardë dollarë vlerësohet dëmi. Kjo është konsideruar një nga stuhitë më të këqija që ka goditur SHBA-në.
Vdekjeprurës ishte gjithashtu edhe Milton që goditi Floridan më 9 tetor si një uragan i kategorisë 3 ku shkatërroi 51 qarqe, në 34 prej të cilave u shpall gjendja e fatkeqësisë natyrore.
Shkencëtarët thonë se uraganet po forcohen më shpejt për shkak të temperaturave më të larta që vijnë nga ndryshimet klimatike, duke i lënë komuniteteve më pak kohë për t’u përgatitur për pasojat që ato sjellin më pas.
Për herë të parë, gjatë vitit 2024 ngrohja globale tejkaloi 1.5 gradë Celsius. Kjo shkelje e parë njëvjeçare nuk e thyen marrëveshjen e Parisit, por e afron botën më afër për ta bërë këtë në planin afatgjatë, sipas shkencëtarëve.
Në muajt e fundit, fenomeni natyror i ngrohjes së klimës i njohur si El Niño i ka dhënë gjithashtu një rritje shtesë temperaturave të ajrit. “Të kalosh mbi 1.5C të ngrohjes në një mesatare vjetore nuk është ndonjë befasi e madhe, por bota duhet ta dijë se çfarë të bëjë më pas”, thonë shkencëtarët.
Kjo nënkupton se temperaturat përfundimisht do të vazhdojnë të rriten në dekadat e ardhshme, nëse nuk ndërmerren veprime urgjente. Ekspertët kanë bërë thirrje se reduktimet e shpejta të emetimeve të gazrave serrë janë mënyra e vetme për të ndaluar rritjen e temperaturave globale”.
Negociatorët në bisedimet e Kombeve të Bashkuara për klimën ranë dakord për një objektiv prej 300 miliardë dollarësh për të ndihmuar vendet në zhvillim të përshtaten me ndryshimet klimatike në samitin e klimës COP29 në Baku.
“Njerëzit dyshuan se Azerbajxhani mund të arrinte një marrëveshje. Kjo ishte detyra më e vështirë që procesi shumëpalësh klimatik ka provuar ndonjëherë. Ne ju bëmë thirrje që të mendoni për njëri-tjetrin dhe insistuam që të mendoni për të ardhmen e përbashkët”, shprehet Presidenti i COP29, Mukhtar Babayev.
Vendet më të pasura u dakortësuan të paguajnë deri në vitin 2035 për të ndihmuar vendet më të varfra që t’i bëjnë ekonomitë e tyre më miqësore me mjedisin dhe të përgatiten për fatkeqësitë natyrore. Por kjo sipas vendeve të varfra ishte larg qëllimit.
“Shuma që propozohet është jashtëzakonisht e ulet. Kjo, në këndvështrimin tone, nuk do të trajtojë sfidën e madhe me të cilën përballemi të gjithë”, thanë në një deklaratë të gjitha këto vende.
Përveç marrëveshjes prej 300 miliardë dollarësh kombet ranë dakord që 1.3 trilion dollarë nevojiten deri në vitin 2035 për të ndihmuar gjithashtu në parandalimin e ndryshimeve klimatike. Marrëveshja gjithashtu shtron bazat për samitin e klimës të vitit të ardhshëm, që do të mbahet në pyjet tropikale të Amazonës në Brazil, ku vendet duhet të përcaktojnë se çfarë do të ndodhë në dekadën e ardhshme.