“Ndryshimi në art, miqësi në zemër” titullohej eventi interaktiv, pjesë e Javës së Kulturës Kineze në kryeqytetin shqiptar, Tiranë. Një koncert i konceptur si shkëmbim mes muzikës dhe kërcimeve të artistëve shqiptarë të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe artistëve kinezë të muzikës folklorike.
Drejtori i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, Sokol Marsi, përshëndeti të pranishmit dhe vlerësoi shkëmbimin midis artistëve shqiptarë dhe kinezë, duke e vënë theksin tek bashkëpunimi i hershëm dhe tradicional mes tyre.
Publiku në mjediset e Katedrales Ortodokse në qendër të Tiranës shijoi shfaqjen me një repertor nga “Vallja e rosave”, me motive të Shqipërisë së Mesme, por edhe kaba me klarinetë nga jugu i Shqipërisë. Një surprizë për publikun ishte “Vallja pogonishte”, që u interpretua nga valltarët shqiptarë dhe ata kinezë.
Performanca folklorike kineze u shpalos për të pranishmit në këtë event artistik, një ndër të shumtit e organizuar nga Ambasada e Kinës në Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Tiranës.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte ambasadori i Kinës në Shqipëri, Zhou Ding, përfaqësues të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe qytetarë artdashës.
Eventet e nisura të hënën në Tiranë, me paraqitjen e disiplinës Taiji dhe me Ekspozitën e Fotografive Historike Kino-Shqiptare, që përkojnë dhe me javën festive për Ditën Kombëtare të Kinës, do të kulmojnë të premten me Festivalin e Kulinarisë Kineze dhe me një mbrëmje me muzikë tradicionale kineze.