• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, July 31, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Ndryshimi i ri i Partisë Socialiste

by Edi Rama
30/07/2026 19:34
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Edi Rama

Ky takim me drejtuesit politikë, si edhe me drejtuesit e komisioneve të përhershme parlamentare, është vazhdimi i mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar, për të nisur një diskutim së bashku rreth dimensionit të partisë në fazën e re ku ka hyrë vendi dhe ku kemi hyrë edhe ne si shumicë qeverisëse.

Dokumentin strategjik “Besa” e keni tanimë në dorë; ky tjetri që është këtu, të cilin e keni marrë dhe që e ndaj me ju sot, fillimisht për një diskutim të brendshëm, quhet “Prania Besnike” dhe është aneks i atij të parit.

“Prania Besnike” adreson vetëm partinë, me synim që ta vendosë atë në funksion të kthesës së mandatit të katërt dhe, nëse herën e shkuar fola për qeverisjen e kësaj faze të re, sot do të flas për “makinerinë” tonë të partisë.

Dhe dua t’ju them se, paralelisht me reflektimin përpara pasqyrës së bulevardit të “flamingove”, kam kaluar edhe disa kohë në “varrezat” ku prehen historitë e partive dhe të lëvizjeve që fituan gjithçka, por që, më herët ose më vonë, humbën sfidën e vazhdimësisë së qëndrueshme të fitoreve të tyre.

Të gjithë gurët në ato “varreza” kanë të njëjtin mbishkrim: asnjëri nuk e humbi pushtetin nga dëgjimi; të gjithë e humbën dëgjimin nga pushteti.

Barack Obama fitoi në vitin 2008 me lëvizjen më të madhe vullnetare që kishte parë historia e demokracisë amerikane. Mbi 2 milionë vullnetarë ose, siç quhen në shqip, patronazhistë aktivë; ekipe lagjesh me emra, role, me përgjegjësi të matshme dhe të matura çdo javë, si dhe 13 milionë adresa njerëzish të lidhura me kauzën. Një muaj pas fitores, të cilën askush nuk e parashikoi në fillim, por pastaj gjithë bota e admiroi në fund, ajo lëvizje vullkanike u ftoh. Rrjeti nuk u zhduk formalisht, por u fut brenda zyrave të administratës dhe u vu në shërbim të agjendës së Shtëpisë së Bardhë. Protagonistët kryesorë u kthyen në zëdhënës të pushtetit të ri dhe kori më masiv i përcjelljes së një mesazhi politik në historinë e Amerikës u tret në lumenjtë e turmave të jetës së përditshme.

Dy vjet më vonë, në zgjedhjet e para të mesmandatit, makineria që kishte magjepsur botën nuk kishte më jetë dhe partia e presidentit pësoi njërën nga disfatat më të rënda në historinë e saj. Vetë Obama e ka pranuar më vonë si një nga dështimet më të mëdha politike.

Ndërkohë që, më poshtë, në jug, Partia e Punëtorëve të Brazilit, një tjetër fenomen i pazakontë politik, kishte vendosur në Porto Alegre gurthemelin më mbresëlënës të së majtës botërore, të gdhendur në historinë e saj: buxhetimin me pjesëmarrje.

Dhjetëra mijëra qytetarë vendosnin vetë, me votë të hapur në asambletë e lagjeve, se ku do të shkonin investimet e qytetit. Uji dhe kanalizimet vajtën nga 75% në 98% të mbulimit. Katër mandate radhazi populli zgjodhi Partinë e Punëtorëve, pastaj partia fitoi Brazilin. Kuadrot më të mirë të Porto Alegres ikën nëpër ministritë e kryeqytetit. “Energjia” politike që e mbante gjallë buxhetimin me pjesëmarrje filloi të shteronte dhe partia, që i kishte mësuar botës dëgjimin, humbi qytetin e vet një vit pas fitores kombëtare. Mekanizmi mbijetoi formalisht edhe për disa vite, por pa të njëjtën fuqi, pa të njëjtën pjesëmarrje dhe pa të njëjtin vullnet politik, derisa u fashit. Kutia e buxhetimit mbeti aty, por fryma që e kishte bërë atë zemrën e komunitetit iku bashkë me ata që u futën në administratë.

Nga kjo anë e oqeanit ka plot raste, por unë zgjodha të kujtoj këtu Francën. Emmanuel Macron e ndërtoi partinë e tij në kohë rekord. Trokiti në 300 mijë dyer; 5 mijë vullnetarë për 3 muaj; 25 mijë bashkëbisedime të regjistruara me pesë pyetje të hapura: çfarë funksionon dhe çfarë nuk funksionon në Francë. Përgjigjet u bënë program dhe, pasi ai fitoi presidencën, partia e tij fitoi edhe shumicën absolute në zgjedhjet parlamentare. Më pas, komitetet lokale mbetën në hartën e partisë, por pa funksion, pa autonominë dhe pa arsyen për të cilën njerëzit kishin hyrë në ato komitete. Zgjedhësit që u anëtarësuan për të qenë bashkëautorë të lëvizjes e gjetën veten spektatorë të një pushteti që fliste vetëm nga lart. Partia shkoi nga rënia në rënie, duke e lënë praktikisht, për herë të parë pas shumë vitesh, presidentin pa shumicë dhe Francën me një fragmentim parlamentar krejt të pazakontë për historinë e Republikës së Pestë.

“Podemos” në Spanjë u bë një parti me influencë të madhe në skakierën politike, me gjysmë milioni anëtarë të regjistruar në platformën e vet digjitale. Por, kur erdhi dita që të votonin për drejtimin e partisë, votuan vetëm 59 mijë prej tyre. Kështu u zbulua se regjistrimi nuk është pjesëmarrje, se një klikim nuk është angazhim dhe se një turmë llogarish digjitale nuk është ende një bashkësi politike.

Ndërsa lëvizja “5 Yjet” në Itali, që u rrit, duke u tallur me partitë e vjetra dhe që mori pushtetin, ia kishte besuar platformën e saj digjitale një shoqërie private. Kur filloi grindja në pushtet, partia mbeti pa asnjë kontroll mbi të dhënat e veta dhe me votime të ngrira në çastin më kritik të jetës së saj. Themeluesi i saj shkroi edhe nekrologjinë e saj jo shumë kohë më parë. Revolucionarët hynë në pallatet e pushtetit për të ndryshuar pushtetin; pushteti i ndryshoi ata.

Pesë vende, pesë parti, e njëjta sëmundje. Filluan me veshë hapur, qeverisën me veshë mbyllur dhe, pasi u ngjitën shpejt, shumë lart, ranë poshtë po aq shpejt.

Por ka edhe një lloj tjetër sëmundjeje që besoj se ne na intereson edhe më shumë për ta kuptuar në skanerin e historisë së partive fitimtare. Është historia e partive që rrinë gjatë në krye, por që dëgjojnë vetëm nga njëri vesh dhe shikojnë vetëm nga njëra anë.

Peronizmi kishte në çdo lagje të Argjentinës një njësi bazë të hapur gjatë gjithë vitit, ku hallexhiut i gjendej ilaçi, dokumenti, thesi me miell, puna për djalin. Në pamje të parë, tingëllon si “Prania Besnike” që unë po ndaj me ju sot, por, në fakt, ndryshon prej “Pranisë Besnike”, siç ndryshojnë veshi dhe syri i sëmurë nga dy kolegët e tyre të shëndetshëm, sepse njësitë peroniste e jepnin ndihmën me kusht dhe ndihmësi i lagjes matej nga partia me votat që dorëzonte. Prandaj, ai nuk quhej më ndihmës, por quhej puntero, domethënë sekser, dhe populli e dinte që dera e shtetit hapej vetëm me çelësin e sekserit politik në zyrën e partisë.

Mirëpo, erdhi një ditë e bukur që presidencën e Argjentinës e fitoi një njeri pa makineri territoriale që mund të krahasohej, qoftë edhe teorikisht, me peronizmin, me një llogari në TikTok dhe me zemërimin e algoritmit si aleatin e tij më të madh. Kurse makineria më e madhe elektorale e Amerikës Latine u parkua në opozitë dhe aty, thonë, do të kalojë një dimër shumë të gjatë politik. Por, për këtë, ne s’kemi pse të shkojmë deri në Argjentinë; mjafton të shohim komshien e vajtueshme që kemi në sallën e Kuvendit, që u ndryshk dhe u bë teneqe krejt në opozitë.

Në dukje, sëmundja e ndryshkjes pas një pushteti të gjatë mund të perceptohet si e pashmangshme, por nuk është. Është thjesht shumë më e përhapur sesa rastet e partive që kanë ditur t’i rezistojnë ndryshkjes edhe për kohë shumë të gjata, për të cilat shkëlqen shembulli i Partisë Socialdemokrate të Suedisë.

Socialdemokratët suedezë qeverisën praktikisht për 44 vjet me radhë. Ata ndërtuan vërtet një shtet social të admiruar nga bota, por themeli i suksesit të tyre ishte se, ndërkohë, ndërtuan shoqërinë e tyre politike. Partia nuk ishte vetëm selia ku shkonte aktivisti për të marrë porositë për fushatën; ishte sindikata ku shkonte punëtori, kooperativa ku shkonte familja, shtëpia e popullit ku mblidhej lagjja dhe rrethi i studimit, ku anëtarët nuk mësonin vetëm çfarë duhej të mendonin, por mësonin si të mendonin, si të flisnin dhe si të dëgjonin.

Ata nuk e trajtuan qytetarin si klient të partisë, por si bashkëkrijues dhe bashkëkujdestar të saj. Dhe partia nuk shfaqej vetëm kur kishte nevojë për shoqërinë, por ishte e pranishme aty ku shoqëria jetonte çdo ditë.

Ndërsa partia që qeveris Singaporin prej më shumë se 60 vjetësh ka rrënjosur një rregull që nuk është prekur për më shumë se 60 vjet. Deputetët, përfshirë ministrat, ulen rregullisht në lagjet e tyre dhe presin qytetarët një për një. Takimet nisin në mbrëmje dhe shpesh mbarojnë në mesnatë.

Për çdo hall përgatitet një letër zyrtare, e cila u drejtohet ministrive, agjencive apo institucioneve përgjegjëse. Dhe kjo, natyrisht, nuk është më fushatë; është ritual, ku njerëzit shkojnë si në kishë apo si në xhami, jo për t’i lutur Zotit, por për t’u dëgjuar nga të zgjedhurit dhe nga qeveritarët e tyre.

Sidoqoftë, në këtë kontekst, “Prania Besnike” e Partisë Socialiste nuk mund të jetë as zyra e puntero-s argjentinas, as sportel ankesash dhe asnjë kopje shqiptare e ritualit të Singaporit apo një tentativë e dështuar nostalgjike për partitë e masave të shekullit të kaluar. Ajo duhet të marrë prej përvojave të të tjerëve mësimin, por pa trashëguar sëmundjen dhe duke ndërtuar metodën e saj: praninë pa klientelizëm, dëgjimin pa teatër, organizimin pa burokratizim, ndihmën pa kushte dhe dixhitalizimin pa robotizim e pa kapitalizim.

Dhe këtu vjen një pyetje që, me siguri, mbase askush nuk e bën në këtë sallë. Po, e bëjnë njerëz që janë duke na ndjekur. Po pse doni të qëndroni ju akoma më gjatë? Po pse s’ju mjaftojnë juve gjithë këto vite? Po pse nuk e kuptoni që është koha të thoni boll dhe t’ia lini vendin të tjerëve?

Ose, edhe më shkurt, mund të mos e bëjnë fare si pyetje, por ta shprehin copë, si dëshirë apo si urdhër, gjë që, zëre se po i lexoj në komentet që bëjnë:

-“Po çfarë më gjatë?”

-“Po ishalla vdisni një orë më parë dhe t’u hapni rrugë të rinjve”.

-“Po çohuni që aty dhe shkoni nëpër shtëpi, se s’jeni vetëm ju këtu.

Tani, pyetjet janë legjitime, dëshirat me zë të lartë dhe urdhrat kështu në ajër janë shprehje lirie, kurse mallkimet dhe sharjet unë nuk i konsideroj, sepse janë konflikt shumëfish interesi. Por do të shtoja diçka: që, pas 13 vjetësh në qeverisje, “Pse doni të qëndroni akoma?” është ndoshta pyetja më legjitime që mund të na bëhet.

Por, këtu duhet të ndajmë dy gjëra që nuk janë e njëjta gjë. Njëra është: pse nuk largohemi ne sot? Tjetra është: pse duam ne ta meritojmë vazhdimësinë nesër?

Së pari, duket e çuditshme që duhet thënë, por, me sa duket, duhet thënë, se kjo është demokracia dhe një parti politike as nuk e trashëgon dot timonin e pushtetit, as nuk e ka pronë me testament, por as nuk ka të drejtë ta lëshojë rrugës, sepse disa të tjerë duan ta ngasin vetë makinën e pushtetit.

Partia Socialiste ushtron pushtetin sipas Kushtetutës për aq kohë sa populli ia ka dhënë dhe për aq kohë sa ka votat në Kuvend për të bërë ato për të cilat është zotuar përpara popullit.

Ata thonë se flasin në emër të popullit, madje pretendojnë se janë vetë populli. “Ne jemi populli. Dëgjoni popullin. Ka dalë populli.”

Por, që të jemi të qartë, me ligj dhe me zakon, as ata nuk janë populli, as ne këtu nuk jemi populli dhe asnjë individ, kushdo qoftë, apo grup, kudoqoftë, nuk është populli. Të gjithë jemi vetëm pjesë e tij; mund të përfaqësojmë popullin ose të flasim në emër të popullit na e jep këtë mundësi Kushtetuta; përndryshe, ne flasim vetëm në emrin tonë apo të kujtdo që na ka mandatuar të përfaqësojmë ndonjë gjë, por jo në emër të popullit. As unë, që e kam me vulë dhe me firmë mandatin për ta përfaqësuar Shqipërinë në emër të popullit, nuk e kam tagrin të them në emër të popullit atë që mund ta thotë vetëm populli: kush duhet të jetë në qeveri dhe kush duhet të jetë në opozitë.

Këtë populli e thotë vetëm vetë, vetëm me votë dhe vetëm kur zgjedh të mandatuarit e tij.

Nga ana tjetër, po, unë, për shembull, e kam tagrin të vendos për veten time nëse duhet t’i dëgjoj apo jo dëshirat ose urdhrat e një pjese që këndon poshtë zyrës sime: “Rama, jepe dorëheqjen!” Ajo këngë mua më pëlqen dhe më energjizon aq shumë, sa, të them të drejtën, më gënjen mendja që mund të bëj edhe një këngë tjetër me të. Por, në çdo çast dhe rrethanë, përtej këngës, të largohesh nga detyra që të ka ngarkuar shumica vetëm sepse një pakicë bërtet në kor, nuk është as tipar udhëheqës, as përgjegjshmëri institucionale dhe as modesti institucionale; është vetëm braktisje e një përgjegjësie shumë të madhe.

Ndërsa të largohesh pikërisht sot nga udhëheqja e vendit, duke lënë në rrugë misionin historik që fati e vuri mbi supet tona, do të ishte shpërfillje e pafalshme e një porosie shumë të madhe kombëtare. Kështu që, kushdo le të këndojë, kur të dojë le të pushojë, po i erdhi prapë oreksi le ta rifillojë.

Misioni ynë do të vazhdojë deri kur të mbarojë me vendosjen e flamurit të Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit në oborrin e Europës së Bashkuar.

Unë jua kam thënë midis nesh edhe herë të tjera: mua nuk më intereson fare roli i kryeministrit si kohë qëndrimi në pushtet. Më intereson vetëm për veprat që mbeten dhe për të mos e humbur në asnjë mënyrë orën vendimtare të Shqipërisë: përmbylljen e anëtarësimit në familjen e Europës së Bashkuar.

Nëse nuk do të ishte urgjenca e përditshme e detyrave të panumërta të anëtarësimit, të cilat nuk presin as ditën, jo më javën, kaq e ngjeshur është axhenda e negociatave dhe kalendari i detyrave që ne duhet të plotësojmë, si dhe nëse dera e hapur për herë të parë e Bashkimit Europian për Shqipërinë, – jo vetëm me fjalë, si gjithmonë më parë, por konkretisht, nuk do të ishte kaq afër, – me shumë gjasë do të isha tërhequr me shumë mirënjohje tw madhe në katundin tim të vogël, pas 12 vjetëve të jetuara me mish e me shpirt në krye të detyrës më të lartë që vendi i jep një biri të tij dhe pas gjithë këtyre viteve në krye të Partisë Socialiste, sepse Shqipëria, pas atyre 12 vjetëve të Partisë Socialiste në drejtim, me punët e panumërta transformuese dhe përtej gjithë gabimeve e të metave, u bë një Shqipëri aq tjetër nga ajo që morëm në kurriz kur e gjetëm në buzën e greminës së vitit 2013, saqë, pa këtë orën e historisë në dyert e Europës, mund të quhej, me kokën lart, mision i përmbushur.

Por pikërisht pas gjithë asaj përpjekjeje dhe pune kolosale dhe tamam kur dera e Europës është hapur realisht, mandati i katërt ishte, jo vetëm vazhdimi më i natyrshëm, por edhe e vetmja zgjedhje logjike. Dhe deri në ditën e fundit të këtij mandati të katërt, bashkë me ju, do të bëj të pamundurën që jo vetëm unë apo ju, por e gjithë kjo partia jonë të nxjerrë gjithçka nga vetja për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Por, nëse mandati i vitit 2025 shpjegon pse jemi këtu deri në vitin 2029, ai nuk mjafton për të shpjeguar pse kjo parti duhet ta synojë besimin edhe më tutje. Dhe këtu vjen përgjigjja e pyetjes tjetër.

Pse duam të qëndrojmë ne gjithnjë në krye? Jo sepse, hëpërhë, ne dimë më shumë se të tjerët. Jo sepse sot për sot vetëm ne mundemi ta udhëheqim Shqipërinë, e jo të tjerët. Jo sepse nesër do të jetë prapë kështu, pavarësisht nga të tjerët. As sepse kundërshtarët tanë janë pa kokë kur janë të vjetër dhe janë të vjetër edhe kur janë të rinj. Por as, jo e jo, sepse jemi të lidhur pas karrigeve të pushtetit për hir të pushtetit.

Përgjigjja e vërtetë, them unë, nuk ka të bëjë vetëm me ne. Ka të bëjë, mbi gjithçka tjetër, me atë që thashë edhe më parë: me orën ku ndodhet Shqipëria.

Shqipëria nuk është sot ende një vend në një rrugë të zakonshme, që mund të ecë, mund të ndalojë, të ndërrojë qeverinë, të vazhdojë pastaj aty ku e la, sikur koha të mos kishte çmimin që ka sot në këtë orë të historisë dhe historia të ishte një tren që rri në stacion derisa të gjithë bien dakord të niset treni.

Demokracitë e vjetra janë vende ku kjo mund të ndodhë, sepse ato e kanë shtetin të ngritur denbabaden. I kanë institucionet me tabiate të kolauduara me breza e breza të tërë. E kanë administratën me shekuj të kolauduar dhe, kur ecin në rrugën e shtruar të shtetit të së drejtës, ndërrojnë shoferin edhe shtatë herë në 10 vjet, si Britania, për shembull, por ama nuk e kthejnë shtetin nga rruga. Ose si Belgjika, që ndenji dy vjet pa qeveri, sepse nuk bëhej dot koalicioni, por shteti funksionoi a thua se qeveria ishte aty çdo ditë.

Shqipëria sot është në udhëkryqin e fundit që e lidh me rrugën për në shtëpinë e madhe të Europës. Për herë të parë, dera e hapur e asaj shtëpie shihet me sy në kalendar dhe ajo shtëpi nuk është më vetëm një dritë që herë duket larg, herë zhduket fare nga mjegulla nëpër shtigjet e rrugës; është mu aty, është përpara nesh, është reale, njësoj si dyert e kësaj godine.

Por, nga ana tjetër, dihet botërisht se ajo nuk është një derë që rri hapur në pafundësi, por hapet një herë në çdo brez dhe mbyllet papritur, pa pyetur dhe pa pritur më askënd.

Dhe pikërisht tani, përpara derës së hapur, Shqipëria nuk mund t’ia lejojë vetes të vijë vërdallë rreth udhëkryqit të fundit historik apo, larg qoftë, të ndryshojë drejtim në mes të rrethrrotullimit.

Dhe ta themi qartë, që të mos keqkuptohet nga askush, të paktën, jo nga ata që nuk duan ta keqkuptojnë. Kjo nuk është beteja e Partisë Socialiste për të mbetur në pushtet. Është beteja e Shqipërisë për të zënë përfundimisht vendin që i takon në sofrën e Europës së Bashkuar.

Dhe ne nuk kërkojmë pronësinë e historisë, por do ta mbajmë medoemos dhe me sukses përgjegjësinë që historia na ka vënë mbi supe për ta çuar këtë betejë deri në fund.

Kjo nuk do të thotë se Shqipëria nuk duhet të njohë rotacionin, se ditën e rotacionit nuk e caktojmë ne; e cakton populli me votën e tij. Por detyra që kemi marrë nga populli është të bëjmë gjithçka që viti 2030 ta gjejë Shqipërinë brenda derës së Europës dhe jo duke ardhur rrotull në udhëkryqin e fundit, që pastaj mund të bëhet udhëkryqi i një brezi tjetër.

Është fare e qartë që, ne e nxorëm Shqipërinë nga një mungesë tërësore, një epokë mungesash të kudondodhura, varfërie, zvarritjeje, pafuqie të qeverisë dhe shpërfilljeje ndërkombëtare.

Dhe sot jemi në një epokë mundësish të reja, si asnjëherë më parë, me pritshmëri të rritura më shumë se kurrë dhe me vlerësim ndërkombëtar më të lartë se ndonjëherë.

Por pikërisht pse kemi hyrë në këtë epokë, ka nisur prova dhe sprova jonë më e vështirë, sepse zhvillimi i deritanishëm ka provuar aftësinë tonë për ta ndryshuar Shqipërinë, por fuqizimi i besimit te shteti, te qeveria, te institucionet është prova dhe sprova e pjekurisë demokratike për ta bërë ndryshimin të qëndrueshëm, shtetbërjen të pakthyeshme dhe Shqipërinë të papashaportizuar në BE.

Prandaj mandati i katërt nuk mund, nuk duhet dhe ne duhet të bëjmë çmos që të mos jetë zgjatimi aritmetik i tre mandateve të mëparshme. Mandati i katërt duhet të jetë kapitulli i një kthese të madhe, jo vetëm për faktin historik që Shqipëria do të mbyllë negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian, as vetëm për faktin se prodhimi ynë i brendshëm do të kapërcejë kufirin e 30 miliardë eurove në vit, çka në vetvete përbën një kthesë për ekonominë, por edhe sepse ky, për Partinë Socialiste, duhet të jetë mandati i një kthese strategjike drejt njerëzve, për të kaluar nga kapitulli i deritanishëm i pranisë elektorale te kapitulli i ri i pranisë njerëzore; nga partia që shkon te njerëzit kur kërkon votën e tyre, duke treguar se çfarë ka bërë për vendin, te partia që rri pranë tyre kur njerëzit kërkojnë vëmendjen e saj për t’i treguar se çfarë vendi duan në rrugën e këtij zhvillimi dhe në gjirin e kësaj shoqërie.

Nga dëgjimi i njerëzve si mirësjellje, kur e sjell nevoja jonë, te detyrimi ynë për të qenë atje kur ata kanë nevojë të dëgjohen.

Nga halli i qytetarit që shënohet dhe rëndom mbetet pa përgjigje, te halli që qahet dhe përgjegjësia që e ndjek shënimin deri te vajtja e përgjigjes.

Nga qytetari që kërkon të hapë një derë në rrugën e vet të jetës, te partia që e ndihmon të gjejë rrugën pa i kërkuar votën pse i hap derën.

Nga forca e madhe politike që fiton ditën e zgjedhjeve, te fuqia e besimit qytetar që fitohet çdo ditë kur s’ka zgjedhje.

Dhe, po, të qëndrosh gjatë në pushtet nuk mund të nënkuptojë t’u zësh rrugën të rinjve dhe forcave të reja, por t’u hapësh rrugën të rinjve. Nuk do të thotë t’ua dorëzosh Shqipërinë atyre që e shpallin veten forca të reja vetëm sepse nuk kanë qenë ende në pushtet. Do të thotë të hapësh partinë, të hapësh vendimmarrjen, të hapësh procesin qeverisës për njerëz të rinj, jo thjesht në moshë, por në mendësi. Të krijosh hapësirë për ide të reja dhe të punësosh burime energjish të reja; të prodhosh drejtues dhe jo vetëm ndjekës, duke u bërë në çdo hap shembull për t’u ndjekur edhe nga të tjerët.

Unë nuk dua që ne të qëndrojmë sa më gjatë në vendet ku jemi ulur, por t’i kryejmë së bashku gjërat që do të qëndrojnë shumë më gjatë sesa të gjithë ne në këtë vend, që është i të gjithëve ne.

Unë dua ta ngjisim Shqipërinë në Bashkimin Europian, ta bëjmë të pakthyeshëm modernizimin e vendit, ta bëjmë të palëkundshme pavarësinë e drejtësisë dhe t’i bëjmë institucionet tona të denja për çdo qytetar të këtij vendi, të afta të funksionojnë njësoj, në mënyrë të barabartë për të gjithë, të fortë apo të dobët. T’i japim jetë një marrëdhënieje tjetër mes qytetarit dhe qeverisë dhe ta vëmë partinë në dispozicion të qytetarit dhe të shtetit, jo qytetarin dhe shtetin në dispozicion të partisë.

Të guxojmë me kurajë zhvillime të reja në këtë epokë të re dhe të ecim përpara me ide të qarta dhe me këmbëngulje të madhe, pa u lodhur, pa u ndalur, deri në ditën kur populli pastaj të flasë ndryshe me votën e tij.

Dhe deri atë ditë, detyra jonë nuk është t’u provojmë atyre që nuk duan të binden se nuk jemi të lidhur pas pushtetit, njerëzve që duan të na largojnë. Detyra jonë është të mos lidhemi pas pushtetit në asnjërën prej atyre mënyrave që na largojnë nga njerëzit.

Sepse, njësoj si njerëzit, partitë nuk ndryshken nga pushteti dhe as nuk plaken nga numri i viteve që mbajnë mbi supe. Ndryshken kur pushojnë së ndryshuari, plaken kur ngatërrojnë eksperiencën me pagabueshmërinë.

Ne mund ta çojmë jo vetëm këtë mandat me sukses deri në fund, por Partia Socialiste mund të kërkojë një tjetër dhe të tjera mandate vetëm nëse, gjatë këtij mandati, do të dimë të dëgjojmë edhe atë që nuk na votoi, të shohim edhe atë që nuk na duartroket dhe të qajmë edhe hallin që nuk arrijmë ta zgjidhim.

Vetëm nëse “Prania Besnike” nuk mbetet një stampë e re me një bluzë të vjetër, por një ndryshim i vërtetë i marrëdhënies sonë me njerëzit, ne mund të vazhdojmë të bëjmë histori, sepse ka vetëm nder të duash të përmbushësh një mision historik me pushtetin që të kanë dhënë.

Turp është vetëm të duash ta mbash pushtetin pasi e ke harruar se për çfarë ta dhanë.

Tani dua të kthehem drejtpërdrejt edhe më afër te makineria jonë, e cila nisi të rindërtohet seriozisht pas zgjedhjeve vendore të Tiranës në vitin 2011. Kur e pamë se si një fitore të sigurt ne e katandisëm në një fitore aq të ngushtë, prej vetëm 10 votash, saqë mjaftoi një robot politik në krye të KQZ-së për të na nxjerrë të rruar, pastaj një tufë me plepa në Kolegjin Zgjedhor për të na nxjerrë të qethur, për derë jashtë nga Bashkia e Tiranës.

Aty e kuptuam se, megjithëse kishim mbështetjen e shumicës së qytetarëve, nuk kishim makinerinë elektorale që e kthen shumicën e mbështetjes qytetare në votën e shumicës së zgjedhësve.

Në atë kohë kemi diskutuar, kemi analizuar, kemi lexuar, kemi nxjerrë mësime dhe nisëm ndryshimin që na duhej për ta transformuar Partinë Socialiste në një makineri elektorale fituese.

Natyrisht që s’do t’ju marr kohë me një histori që të gjithë e dini se si u zhvillua, nga dita kur kjo parti doli e dërrmuar prej humbjes pa apel në 2005, në ditën kur nuk ia doli të kthehej fitimtare në 2009 për një “pellg” me vota dhe një “mal” me kuti mëkatesh që nuk u hapën kurrë, dhe pastaj, prej çdo dite zgjedhore e deri sot, kur, falë pikërisht një makinerie të pathyeshme elektorale, kemi koleksionuar së bashku 9 fitore dhe vetëm një humbje. Ajo makineri na ka dhënë mundësinë dhe kohën që ta vëmë pushtetin politik në shërbim të një ndryshimi të madh dhe ta transformojmë Shqipërinë nga një vend ku mungesat ishin të kudondodhura në një realitet ku pritshmëritë e njerëzve janë rritur eksponencialisht.

Por sot, kur bulevardi i “flamingove” na ka futur zyrtarisht pikërisht në fazën e re të pritshmërive të rritura dhe kur, në jetën sociale dhe politike, një faktor i ri, me një fuqi gjithnjë e më shtypëse për të vërtetën, algoritmi, është futur duke spostuar dita-ditës burimin e informimit të qytetarëve në pasqyrat e celularëve, ku një botë e re risish dhe djallëzish thith babëzisht edhe mendjen e njeriut, ka ardhur koha që ne t’i bëjmë vetes shumë pyetje, duke e nisur me një pyetje mbi “makinerinë” tonë elektorale.

Mund t’ia drejtojmë atë pyetje kryetarit të organizatës më të mirë socialiste në çdo bashki të vendit. Ai, apo jo, se kemi bashkëkryetarë, normalisht di të na thotë sa vota socialiste ka në qendrën e tij të votimit, apo në një pallat, apo në një fshat. Por, po të provojmë të pyesim: “Sa herë i keni dëgjuar ju me veshët hapur të gjithë ata që i numëroni symbyllur?”, kam frikë se, po të përgjigjen pa dorashka, do të thonë: “Asnjëherë”. Qysh se kemi qenë në opozitë, mbase.

Dhe ndryshimi i kësaj përgjigjeje është domosdoshmëri jetike për ecurinë e mëtejshme, për mosndryshkjen dhe mosplakjen e Partisë Socialiste; një domosdoshmëri me të cilën ne që jemi këtu – drejtuesit politikë dhe drejtuesit e komisioneve parlamentare, grupi parlamentar, kabineti qeveritar, kryebashkiakët dhe i gjithë lidershipi i partisë në territore – duhet të jetojmë nga sot e tutje, me sensin e përparësisë së përditshme.

Në epokën e mungesave, “makineria” jonë elektorale ka fituar sepse ka mobilizuar mirënjohjen për gjithçka që është bërë. Në epokën e pritshmërive, kjo makineri duhet të bëjë një transformim jetik, sepse mirënjohja nuk është më një element kyç dhe përballja me një realitet të ri pritshmërish sapo ka filluar.

Kur flas për mirënjohjen, kam parasysh edhe dijen se janë bërë shumë gjëra dhe shpresën, e mbështetur te ajo vetëdije, se të tjera gjëra do të bëhen dhe, prandaj, ju e meritoni mbështetjen.

Ndërkohë që sot është krejt tjetër skena që po formësohet, për të gjithë ata faktorë që fola, dhe detyra jonë është jo ta mbrojmë “makinerinë” nga çfarë ka rreth dhe jashtë saj, por ta shpëtojmë “makinerinë” nga vetvetja.

Dhe pikërisht në këtë gjatësi vale kam shkruar dokumentin që e keni përpara si draft, tërësisht të hapur për shënimet e secilit prej jush.

Po me shumë pak fjalë, shumë më pak fjalë sesa dokumenti, dua t’ju jap vetëm frymën e tij, në mënyrë që të gjitha shënimet që mund të shtohen apo çfarë mund të hiqet, të mbajnë parasysh pikërisht frymën: respektin si gatishmëri për të dëgjuar; jo dëgjimin si pritje e radhës për të folur, por dëgjimin si puna e parë e partisë; dëgjimin si disiplinë e re e partisë; dëgjimin në çdo stinë: edhe kur nuk ka kamera, edhe kur nuk ka fushatë, edhe kur ka duartrokitje, edhe kur nuk ka rreth e rrotull simpatizantë.

Empatia si angazhim për të ndërvepruar.

Empatia nuk është dobësi sociale, është forcë që asnjë algoritëm nuk e prodhon dot. Njeriu që hap derën e hallit të vet të ka dhënë diçka shumë më të çmuar sesa vota; të ka dhënë besimin dhe, duke të dhënë diçka që është e tija, personale, të ka lënë në dorë edhe dinjitetin. Dhe halli i tij nuk është monedhë për kursin e këmbimit politik.

Solidariteti si ndihmë pa kusht.

Partia dëgjon dhe i shërben kujtdo pa e pyetur: me kë je, me kë ke qenë, çfarë ke bërë dikur, çfarë kahjeje politike të pëlqen; pa e pyetur për votën, madje pa e pyetur fare për politikë. Se halli nuk ka teserë dhe dera që hapet vetëm për “tanët, tanët, tanët”, është derë që hapet që një ditë të mbyllet për të gjithë ne. Kur them për të gjithë ne, them për Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Korrektesa si detyrim për të kthyer përgjigje.

Mospërgjigjja duhet të shpallet e ndaluar në Partinë Socialiste. Po ju rikujtoj shembullin, jam i bindur që ju keni plot të tjerë, e atij fermerit nga Lushnja: tre vjet për një përgjigje. Tre vjet.

Dhe njerëzit nuk kërkojnë nga ne që të themi medoemos “po”, se e dinë që ne nuk jemi zotërues të një çelësi magjik, por njerëzit kërkojnë: po, jo, kur? Sepse halli nuk bëhet më i vogël kur nuk zgjidhet, por bëhet poshtërues kur nuk përfillet.

Përkushtimi ndaj transformimit të “makinerisë” me forcën e shembullit individual.

Kjo kthesë nis nga ne që jemi në këtë sallë ose nuk nis fare. Nis nga grupi parlamentar ose nuk shkon më tutje. Nis patjetër nga qeveria ose nuk merr besueshmërinë për të vazhduar si një kthesë e gjithë Partisë Socialiste.

Kritika jonë e brendshme mikpritet dhe kultivohet si ushqimi i vetëdijes së skuadrës, së familjes politike, por ajo ka vetëm një rrugë të ndershme: brenda nesh flitet hapur, flitet me zë të lartë, flitet drejt e në sy, ndërsa përballë qytetarit, kur rasti e kërkon, ajo bëhet vetëm si vetëkritikë, në emër dhe në interes të skuadrës, jo si konstatim publik i një spektatori që shfrytëzon problemin për interesin e vet dhe ia lë skuadrës “kodoshin” në derë. Kjo nuk është prani besnike. Kjo është prani hileqare.

Vija e re ndarëse e kësaj faze të re, siç e thashë edhe herën e kaluar, nuk kalon mes atyre që dolën dhe atyre që s’dolën në protestë; kalon mes atyre që duan ta bëjnë Shqipërinë më të mirë dhe atyre që “duan shesh për të bërë përsheshet e tyre”. Në anën tonë të asaj vije duhet të ketë shumë më tepër hapësirë për njerëz të rinj, për forca të reja, për prurje energjish dhe vullnetesh të reja dhe është domosdoshmëri që i gjithë drejtimi politik i partisë të fokusohet te shkrirja e kufijve që janë shumë të dukshëm për njerëzit që janë në territor, por që bëhen të padukshëm kur ne shkojmë në territor: kufijtë mes nesh dhe atyre.

Ndërkohë që përpjekja e brendshme kundër hendekut me ata që, me demek, janë tanët – e them me demek, se ata mund të mos jenë tanët në kuptimin e partisë, por tanët janë të gjithë shqiptarët që duan të njëjtën gjë që duam ne dhe s’janë tanët shqiptarët që nuk e duan të njëjtën gjë që duam ne, në kuptimin e partisë gjithmonë, se për qeverinë të gjithë janë tanët, edhe ata – dhe ky hendek i “tanëve” me “ata” është shumë më tepër në kokën tonë sesa në realitetin e territoreve, ku njerëzit bashkëjetojnë me probleme, halle e nevoja shumë të ngjashme, shumë më të ngjashme sesa ngjyrat e partive dhe ku ndarja është shumë më e lidhur me territoret e influencës sesa me territoret politike.

Dua t’ju them dhe pastaj, më tutje, në këtë diskutim që s’mbyllet sot, natyrisht, mund ta shohim më në detaj, se një nga studimet më domethënëse të viteve të fundit në fushën e bindjes politike ka nxjerrë diçka që duket e pabesueshme, por që faktikisht është e provuar në mënyrë shkencore.

Një bisedë e vetme 10-minutëshe, ku tjetri dëgjohet pa u gjykuar përpara se të flasësh, ndryshon qëndrime më thellë dhe më shumë sesa kontakti i zakonshëm elektoral.

Dhe eksperimentet e bëra kanë nxjerrë këtë metodë – parafytyroni këtë metodë – më shumë se 10 herë më efektive sesa kontaktet dhe teknikat standarde dhe e kanë nxjerrë me një impakt 100-fish më të lartë sesa impakti i përpjekjes për t’i bindur njerëzit përmes publicitetit politik.

Prandaj, dëgjimi duhet të bëhet teknologjia më e avancuar e Partisë Socialiste.

Njerëzit që nuk votojnë për ne, që s’kanë votuar për ne, por që janë njerëz që i besojnë punës dhe besojnë te vetja dhe te zhvillimi i tyre përmes punës, janë njerëzit tanë.

Midis nesh dhe atyre mungon vetëm një gjë: komunikimi ynë i drejtpërdrejtë, nga i cili jo vetëm ne mund të mësojmë më shumë sesa në 10 mbledhje ku flasim me njëri-tjetrin, por mund të ndryshojmë edhe qëndrime të rrënjosura të tjetrit që kemi përballë.

Po e mbyll me thelbin e kësaj përpjekjeje.

Nëse “Besa” është fjala që qëndron në krye të dokumentit tonë strategjik, kjo lidhet me faktin që fjala jonë ndaj qytetarit kërkon të kontrollohet në gjithë procesin e trajtimit të saj dhe këtë gjë e bëjnë mekanizmat e metodës që do të duhet të vërë në zbatim qeveria.

“Prania Besnike” është diçka tjetër: është fjala jonë ndaj vetvetes, të cilën ne duhet ta bëjmë të kontrollueshme nga çdo qytetar që i beson pranisë sonë në territor.

Ata që kanë humbur armatat e fitoreve, të gjithë bashkë, kanë pasur, natyrisht, karakteristika të ndryshme, por kanë paguar një haraç të përbashkët: kanë fituar me vesh të hapur, kanë qeverisur me vesh të mbyllur.

Partia Socialiste duhet të hyjë te përjashtimet. Ky është misioni ynë lidhur me Partinë Socialiste. Mund të duket shumë e ekzagjeruar, por më besoni, është po aq e thjeshtë sa ç’duket e ekzagjeruar.

Nga lidershipi i sotëm i Partisë Socialiste – dhe ju e dini se unë e përsëris gjithmonë, me lidership nuk kuptoj veten; kuptoj të gjithë grupin drejtues të Partisë Socialiste, kuptoj grupin parlamentar dhe kuptoj qeverinë, së bashku me drejtimin, kuptohet, të vetë partisë – varet jo thjesht nëse do të fitojë Partia Socialiste më tutje, por varet nëse Partia Socialiste do të bëhet përjashtim apo do të përjashtohet nga historia e mëtejshme e këtij vendi.

Kjo është pak, por besoni që kjo është e sigurt. Nëse Partia Socialiste do të bëhet përjashtim, ose, më saktë, nuk do të jetë përjashtimi i vetëm, se ka edhe përjashtime të tjera, por do të hyjë te përjashtimet, atëherë Partia Socialiste do të jetë jo vetëm në skenë, por në qendër të skenës, edhe pasi të paktën disa prej nesh këtu të mos jenë më në këtë detyrë.

Nëse jo, atëherë nuk do të ketë skenë për Partinë Socialiste. Ka një sërë forcash historike, që nuk i solla këtu në atë rrëfimin tim, të cilat kanë pasur karakteristika të ngjashme dhe që sot nuk ekzistojnë.

Faleminderit!

Kjo ishte hyrja që m’u duk e udhës ta ndaj jo vetëm me ju, por edhe me ata që na ndjekin, duke pasur parasysh, në radhë të parë, socialistët.

Dhe mund të vazhdojmë më tutje me një diskutim shumë paraprak, duke pasur parasysh që të dy dokumentet do të duhet t’i nënshtrohen një diskutimi më të gjerë, duke marrë kontribute konkrete nga të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë ose kanë vullnetin për të kontribuar.

Next Post
“100 bashki dhe 6 rajone”, PD prezanton draftin për ndarjen e re territoriale

“100 bashki dhe 6 rajone”, PD prezanton draftin për ndarjen e re territoriale

Comments 3

  1. Luftvafe says:
    5 hours ago

    Ec përpara, KM im, e mos çaj kokën, se ç’pjerdhin me gojë, ATA që hanë mut çdo ditë 24 në 24.
    Ruaj vehten nga “miqtë”, nga JAGOT, të cilët i ke rreth vehtes me shumicë, duke pritur rastin, të të fusin stërkëmbëshin.
    Ju uroj shëndet e jetë mik.

    Reply
  2. Bruno says:
    5 hours ago

    Edhe gjarperi e ndryshon lekuren,pore perseri gjarper mbetet,keshtu eshte edhe puna e k/hajdutit,eshte mjeshter per rrena mashtrime.

    Reply
  3. Zhani says:
    4 hours ago

    Bruno llapaqeni qysh në gen, e që e ka trashegim nga të parët…

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

“Këta që kanë mbetur janë zogjtë e një klloçke plakë”, deputetja e PS: Protesta është e lidhur me Berishën

“Robi plaket kur don vet”, Sali Berisha tregon se ku e sheh veten në 2029-ën

July 30, 2026
Me not drejt Europës! Qindra emigrantë kalojnë detin për të hyrë në Spanjë

Me not drejt Europës! Qindra emigrantë kalojnë detin për të hyrë në Spanjë

July 30, 2026
“Nëse Rama nuk vjen në interpelancë …”, Berisha porosi deputetëve: Do përfundojmë te drejtorët e ministrive

“Fatkeqësi që kanë qenë pranë meje”, Berisha komenton ish-zyrtarët demokratë që iu bashkuan PS-së

July 30, 2026
Krijohet Regjistri Kombëtar për Kanabisin Mjekësor e Industrial, monitorim digjital nga kultivimi te asgjësimi

Krijohet Regjistri Kombëtar për Kanabisin Mjekësor e Industrial, monitorim digjital nga kultivimi te asgjësimi

July 30, 2026
“Ma ço lart atë që nisi Zana Çela”, demokratja e emëruar në krye të AKT zbulon bisedën me Ramën: Më tha ‘mos u bëj socialiste’

“Ma ço lart atë që nisi Zana Çela”, demokratja e emëruar në krye të AKT zbulon bisedën me Ramën: Më tha ‘mos u bëj socialiste’

July 30, 2026
Bllokohen ndërtimet në bregdet deri më 15 Shtator, ja punimet që përjashtohen dhe orari i lejuar

Bllokohen ndërtimet në bregdet deri më 15 Shtator, ja punimet që përjashtohen dhe orari i lejuar

July 30, 2026
10 viktima dhe shkatërrim në disa qytete, çfarë ndodhi së fundmi në Ukrainë

10 viktima dhe shkatërrim në disa qytete, çfarë ndodhi së fundmi në Ukrainë

July 30, 2026
Berisha dhe parimorët e karrigeve

“Më morën në telefon”, Berisha tregon si u njoftua për heqjen e “non gratës” dhe kur do të udhëtojë në SHBA

July 30, 2026
Eurostat: 53% e familjeve shqiptare nuk bëjnë dot një javë pushime

Eurostat: 53% e familjeve shqiptare nuk bëjnë dot një javë pushime

July 30, 2026
Çfarë dihet për arkivat që Kosova po i kërkon Serbisë t’i hapë

Çfarë dihet për arkivat që Kosova po i kërkon Serbisë t’i hapë

July 30, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com