Partia e Lirisë i është përgjigjur kërkesës së kreut të Kuvendit, Niko Peleshi, për propozimet e ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit brenda datës 3 prill 2026.
Në letrën që mban firmën e kreut të grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, kërkohen sqarime për procesin, kush e ka ndërmarrë dhe kush po e kryen, si edhe pse ka lindur nevoja për ndryshimet.
Blushi kërkon që të pritet vendimi i zbardhur Gjykatës Kushtetuese, i cili sipas tij duhet të respektohet edhe nga ana e kreut të Kuvendit.
“Sjellim në vëmendjen tuaj se Rregullorja e Kuvendit është ndryshuar së fundmi në mënyrë të njëanshme nga ana e mazhorancës, përmes vendimit nr. 57, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ky ndryshim është shfuqizuar njëzëri, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në datë 23.02.2026, nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, dhe ne jemi ende në pritje të zbardhjes së vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, detyrim që buron njëlloj edhe për Kryetarin e Kuvendit.
Për ne është thelbësore në një shoqëri demokratike respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Shprehim shqetësimin tonë të thellë për injorimin që ju si Kryetar Kuvendi, dhe mazhoranca parlamentare, i bëni vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Blushit.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi nuk respektoi procedurat në nisje të legjislaturës së re në shtator të vitit të shkuar, kur rikompozoi të gjithë arkitekturën e komisioneve të përhershme parlamentare, duke shtuar numrin nga 8 në 11.
Megjithatë, Gjykata vendosi që t’i linte 30 ditë kohë Kuvendit për të bërë nga e para procedurën, por pa penguar punën.











