Drejtori Ekzekutiv i “Ekolëvizjes”, Xhemal Mato, shprehet për masat e pamjaftueshme të qeverive shqiptare sa i përket ndryshimeve klimatike, në një kohë kur ato e kanë angazhuar botën në një luftë frontale globale, e ku sipari u ngrit në Paris me pjesëmarrjen e autoriteteve politike më të njohura të botës…
Intervistoi Ben Andoni
Xhemal Mato ka vite që është i njohur për iniciativat e tij në mbrojtje të mjedisit. Në këtë intervistë për “JAVAnews”-n, ai shpjegon si edhe pse klima ka ndryshuar, dhe arsyen përse publiku shqiptar është krejt pasiv për këtë realitet. Dhe, jo vetëm kaq, por edhe qeveria shqiptare që duhej të drejtonte politika në fusha të ndryshme për t’u përballur me ndryshimet e duhura, e ka të pamundur thjesht prej mossinqeritetit të saj. “Klima ka ndryshuar por mendja jonë jo”, thotë aktivisti i shquar, që në vitet e fundit ka mobilizuar dhe ka qenë pjesëmarrës në disa kauza. Në këtë intervistë për ta bërë shqetësimin shumë më të kuptueshëm ai ka folur në mënyrë simbolike, po në disa momente dhe shumë direkt, që jo vetëm politikë-bërësit por edhe njerëzit duhet të jenë gjithnjë e më të kujdesshëm, për atë që na kanoset në të ardhmen…
De jure Shqipëria është një vend që kontribuon kundër të keqes së prodhimit të Gazit me efekt serrë dhe kjo e bën të qetë në Samitin e Parisit, që ende po zhvillon takimet e veta, sepse për “fat” niveli ynë i prodhimit ka rënë ndjeshëm.
Shqipëria vërtetë i ka mbështetur qëndrimet kundrejt Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFÇC) dhe ka përcaktuar targetin për eficiencën e energjisë dhe burimeve të energjive të rinovueshme ( rritje me 38%), në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Dhe, deri më 2030 përcaktohet një reduktim të CO2 me 11.5% ose 708 kton, duke u konsideruar ky si një synim kombëtar dhe brenda detyrimeve ndërkombëtare.
Megjithatë Shqipërisë edhe në këtë rast i mbetet shumë për të bërë që nga rishikimi i legjislacionit kombëtar në disa fusha. Dhe, kostoja totale e masave që duhet të marrë deri në vitin 2030 është rreth 687 milion Euro!!! Një faturë vërtetë që duhet menduar qartë.
Mato pretendon se Shqipëria vetëm plotëson dhe ratifikon firma, ndërsa në terren gjendja është shumë e dobët sa i përket ndryshimeve klimatike. Masat për të përballur këtë gjendje të ndryshimeve klimatike mungojnë në kompleksitetin e tyre. Dhe, ndërkohë që në flemë mbi statistika: reshjet e shiut në vend janë sa gjysma e një viti më parë dhe me tendencë zbritje, e janë shtuar edhe ditët me thatësirë. Ndikimin më të madh nga ngrohja globale dhe ndryshimet klimatike po e pëson Ultësira Perëndimore, që po i përmbyten hapësira të mëdha toke, fillimisht ato që janë afër kuotës zeros ose nën nivelin e tij. Kurse, ashtu si theksuam kapacitetet e qeverisë dhe të vendit, janë mjaft modeste e të ulëta, kundrejt retorikës së saj lodhëse, që besojmë se e ka mbartur edhe në Paris. Të mos harrojmë se prej shpyllëzimit të egër, niveli i gërryerjeve të dheut nga shirat është rritur 12 herë ose 8 herë më tepër së normalja.
Megjithë sensibilizimin nga ana e njerëzve të mjedisit dhe angazhimet e detyruara të qeverisë, shikohet se Shqipëria është larg një vështrimi serioz te pasojat që e presin nga ndryshimet klimatike. SI një nga njerëzit më aktivë në sensibilizimin e opinionit por edhe politikëbërësve, si e shikoni këtë menefregizëm të shtetit tonë?
“Sot shumë shkencëtarë e krahasojnë ndryshimin klimatik me një stuhi shumë të fuqishme që po vjen në një oqean ku vendet, krahasohen me anije të madhësive të ndryshme. Imagjinoni tani në këtë oqean, një varkë të vogël me konstrukt të dobët dhe të dëmtuar, ( siç është vendi ynë) mbi të cilën gjithashtu do të kalojë kjo stuhi, jo për një orë por për dhjetëra apo më shumë vite. Drejtuesit e anijes kanë plot probleme të përditshme të menaxhimit dhe ju duket një gjë e largët ardhja e stuhisë. Dhe kur del ndonjë i “fandaksur” dhe propozon që të ndërrohen disa dërrasa të kalbura të anijes se nga stuhia mund të çahen dhe të futet uji, kapitenët e anijes thonë: “Lëreni stuhinë se ka kohë por futeni gjithë ujin në tuba se ne do ta bëjmë anijen minisuperfuqi të gjithë oqeanit. Kur një ”idealist” tjetër propozon të ndërrohet direku i anijes se forca e stuhisë do të jetë e jashtëzakonshme dhe mund ta këpusë, kapitenët urdhërojnë: “Mirë është direku po lyejini me bojëra pak këto parmakët që të duket e bukur anija”. Në anije ka dhe disa intelektual, të njohur për origjinalitetin dhe shpirtin mohues të tyre që duke parë qiellin e pastër me yje, ju thonë marinarëve: ”Unë besoj se s’do të ketë stuhi, por thjesht erëra të zakonshme oqeanike’”…
Dhe, çfarë do të ndodh me këtë anije kur stuhia vërtet mbërrin…?
“Në 1997, tërë bota u mblodh në një takim në Kioto të Japonisë për të marrë masa ndaj ngrohjes globale. Në këtë takim mori pjesë dhe Shqipëria, e cila e firmosi deklaratën e Kiotos e cila shprehte angazhimin e qeverisë sonë në këtë drejtim. (Në përgjithësi qeveria jonë i firmos të gjitha llojet e konventave apo Deklaratave Ndërkombëtare pa problem)
Por nëse në atë kohë për ndryshimin e klimës, flitej si për diçka që i përkiste të ardhmes, sot , pas 18 vjetësh, ne jemi duke folur në lidhje me ndryshimin e klimës, si diçka që ka vite që po ndodh, që po e shohim dhe e vuajmë nga viti në vit gjithnjë e më shumë. Në se do të merrej seriozisht ndryshimi klimatik 15-vjet e më parë, Shqipëria do të kishte menjanuar apo lehtësuar shumë katastrofa dhe goditje natyrore me pasoja në jetë njerëzish në degradimet e pasurive natyrore si dhe në humbje të mëdha ekonomike.
Pra cilido politikan, drejtues apo dhe intelektual duhet të turpërohet për skepticizmin injorancën apo mosvlerësimin ndaj “ciklonit” Ndryshimi klimatik, që po vepron shumë më shpejt se sa u mendua dy dekada më parë.
Por që mospërfillja të vazhdojë ende dhe sot kur faktet globale dhe ato brenda vendit janë tronditëse, ajo do të quhej kriminale.
Nëse i kthehemi vetëm periudhës kohore nga takimi i Kiotos e deri sot, pra periudhës 18-vjeçare, shifrat mbi ndryshimin klimatik janë tronditëse. Që nga viti 1997 popullsia është rritur me 1.2 miliardë më shumë njerëz në botë, lëshimi i dioksidit të karbonit nga djegia e lëndëve djegëse fosile u rrit 50 %, bota tani lëshon në ajër më shumë se 100 milion ton dioksid karboni në ditë.
Që nga viti 1997, sipas llogaritjeve nga Universiteti i Kolorados, detet janë rritur mesatarisht 6.2 centimetra,
Në verë, Arktiku është 820,000 milje katrore më i vogël se sa ishte 18 vjet më parë.
Vetëm në 18 vitet e fundit kanë ndodhur 6 valë te nxehta vdekjeprurëse: Në vitin 1997, Toka vendosi një rekord për vitin më të nxehtë, por kjo nuk zgjati shumë sepse rekordi vazhdoi të thellohej në vitin 1998, 2005, 2010, 2014, dhe arriti pikun në vitin 2015. Vite të tilla më parë përsëriteshin një herë në 30-50 vjet. Vala e nxehtë evropiane e vitit 2003 vrau 70.000 njerëz; Uragani Sandy, ne Amerike, shkaktoi më shumë se 67 miliard $ dëme dhe zhduku 159 jetë; vala të nxehtit rus e vitit 2010 la më shumë se 55.000 të vdekur; në vitin 2013, tajfuni Haiyan në Filipine, vrau më shumë se 6.000 njerëz.
Numri i fatkeqësive në mbarë botën nga moti dhe klima gjatë kësaj periudhe të shkurtër është rritur 42 %,
Nga viti 2010 deri në vitin 2014, mesatarja vjetore e fatkeqësive nga moti ishte 313, ndërsa vdekjet 1.364”.
Dhe çfarë pasojash do të sjellin këto në jetën e shoqërisë?
“Këto janë vetëm disa nga dukuritë e mëdha që tregojnë se ndryshimi klimatik tashmë e ka mbërthyer tërë planetin por janë me mijëra dukuri të tjera që çlirohen pas tyre zinxhir, që po shfaqen në mjedise lokale jo vetëm me shira dhe nxehtësi ekstreme por dhe me viruse të rinj, me kafshë dhe bimë të reja në zona që s’kanë qenë me parë, me ndryshime në sezonet dhe prodhimet bujqësore me ndryshime në sezone turistike dhe me shpërngulje masive të popullsive nga zonat mjedisore të goditura dhe degraduara në zona të tjera”.
Ku i shikoni më shqetësuese pasojat e ndryshimeve klimatike në vend?
“Përmbytjet në Shqipëri nga viti në vit janë shtuar me 14 % . Përmbytja e vitit 2010 në zonën e Shkodrës mbuloi 10.000 ha tokë, 2.405 shtëpi, arriti një dëm prej 40 milion EU. Përmbytjet e Vjosës në vitin 2015 gjithashtu ishin të mëdha, ndonëse nuk u bë vlerësimi i dëmit të plotë ekonomik të tij. Muajt Qershor, Korrik, Gusht të vitit 2015 ishin pothuajse tërësisht të thatë dhe më një temperaturë mesatare mbi 35 gradë C, temperatura që po bëhen të zakonshme nga viti në vit. Por dhe këto valë të nxehta nuk patën një vlerësim të plot të dëmit njerëzor dhe ekonomik. Mushkonja tropikale Tiger si mbartëse e viruseve të rinj është shfaqur deri në lartësitë e Kukësit , Në ujërat e bregdeteve tonë janë shfaqur disa bimë dhe peshq të panjohur më parë për mjediset tona ujore; e kështu faktet e ndikimit të ndryshimit klimatik vazhdojnë”.
Sa po mundet individi dhe shoqëria shqiptare të jetë serioze sa i përket projekteve të energjisë së rinovueshme, sipas jush?
“Pra, ndryshimin klimatik e kemi tashmë në prag të shtëpive tona po për të diskutohet pak dhe strategjitë, masat, planet e veprimit janë shume të vogla dhe të ngadalta, përballë përmasave, fuqisë dhe përhapjes shkatërruese të saj.
Ndërkohë mendja jonë s’arrin të dalë nga inercia, ne vazhdojmë të mendojmë dhe të investojmë njësoj si më parë, pa e konsideruar ndryshimin klimatik sot të pranishëm dhe pa e pranuar skenarin e fuqizimit të tij në të ardhmen. Tërë pasuria ujore e lumenjve i jepet hidrocentraleve me gati 500 koncesione për HC-e, ndërtohet incenerator për djegien e mbetjeve në qytetin e Elbasanit (se nuk i mjaftonin Elbasanit tymrat e metalurgjikut), ndërtohen rrugët e reja mbi kanalet e mëdhenj kullues duke shtuar përmbytjet në zona të pa ndodhura më parë (Kanali Vjosë- Levan-Fier është mbuluar në një segment nga rruga e re Levan-Tepelenë) etj., etj.
Pra Z. Ndryshim Klimatik nuk është pjesë në marrjen e vendimeve në qeveri, në investimet e reja, në konferencat shkencore , në shoqatat jo qeveritare dhe në bisedat në media. Ne s’merremi me të dhe s’na intereson shumë ta njohim, kështu që dhe “ai” është i lirë por si një kriminel i panjohur rreth nesh. Aq i panjohur sa që ende shumë filozof meditojnë: ‘Pse vërtet këto katastrofa natyrore po na i shkakton Ndryshimi klimatik?’”