Kreu i grupit parlamentar të LSIsë, Petrit Vasili thekson se qeveria ka nevojë për impulse të reja dhe frymëzim, në mënyrë që të përballojë problemet ekonomike dhe të përmbushë pritshmëritë e publikut.
I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, zoti Vasili tha se tagrin për ndryshime në qeveri e ka kryeministri, ndërsa theksoi se LSIja do të mbështesë çdo vendim për qeverisje më të mirë dhe më efiçente.
“Gjithmonë një qeverisje ka nevojë për impulse, për frymëzim. Nga aksionet, reformat që ndërmerr, sepse përballja me problemet ekonomike, konteksti i krizës që rrethon rajonin, pritshmëritë e mëdha që publiku ka, një pushtet i ri vendor që u vendos pas 21 qershorit, kërkojnë ritme të larta, arritje.
Për këto ka nevojë për impulse të vazhdueshme. Ai që punon dhe monitoron në mënyrë të vazhdueshme punën e kabinetit është kryeministri. Ai konkludon kur shpreh vlerësimet e tij
dhe nëse ka rezerva është në tagrin e tij për të bërë ndryshime. Ne do ta mbështesim politikisht me të gjithë fuqinë e mandatit që kemi, që qeverisja të jetë
efiçente dhe e mirë.” deklaroi Vasili.
Lidhur me çështjen e dekriminalizimit, Vasili u shpreh i bindur se ka pika pa fund ku palët mund të gjejnë mirëkuptim.
“Çështja duhet mbyllur sa më parë. Dy draftet e paraqitura fatmirësisht kanë një ngjashmëri në mbi 90% të përmbajtjes së tyre. Ka pika prerje pa fund për të
gjetur mirëkuptim. Nëse nuk ka dakordësi të kërkohet ndërhyrja e Komisionit të Venecias. Palët të mos humbasin kohë të mëtejshme, por ta mbyllin këtë çështje
njëherë e përgjithmonë.” deklaroi Vasili.
Petrit Vasili komentoi edhe aksionin kundër informalitetit, duke theksuar se është një aksion i mirëpritur dhe i munguar. Por Vasili theksoi rëndësinë që të
dallohen bizneset e mëdha nga ato që shërbejnë për mbijetesë, në mënyrë që mendohet lidhur me qëndrimin që duhet mbajtur ndaj ekonomive të mbijetesës.
“Informaliteti dëmtonte ekonominë dhe konkurrencën e ndershme. Logjika e gjërave dhe ajo që ne kemi sugjeruar, është shndërrimi në një aksion
permanent.Nga këqyrja e terrenit në mënyrë intensive, sepse kështu ishte aksioni, në konkluzionet e para që do nxirren është të dallohen bizneset e mëdha që
bëjnë evazion fiskal dhe ato, që vështirë t’i quash biznese, por që shërbejnë për mbijetesë. Këto të dhëna duhet të përfshihen në paketën fiskale, specialistet
duhet të mendojnë se cili do të ishte një qëndrim ndaj ekonomive të mbijetesës, për të parë modele me të ndërsjellta.” deklaroi Vasili.