Klubi i njohur brazilian, Flamengo, ka njoftuar shkarkimin e trajnerit Filipe Luis, pavarësisht fitores së thellë 8-0 ndaj Madureira-s në orët e para të mëngjesit të së martës.
Megjithëse kjo fitore siguroi kualifikimin në finalen e kampionatit Carioca, drejtuesit e klubit kishin vendosur tashmë për largimin e teknikut brazilian.
Shkak për këtë vendim ekstrem është bërë fillimi më i dobët i sezonit në dhjetë vitet e fundit, ku ekipi humbi dy finale radhazi. Flamengo dështoi të fitonte Superkupën e Brazilit ndaj Corinthians dhe Recopa Sudamericana përballë Lanús, rezultate që sollën krizën mes trajnerit dhe bordit.
Filipe Luís u emërua në krye të pankinës në shtator të vitit 2024, duke pasur një ecuri të suksesshme në fillim. Gjatë 99 ndeshjeve në drejtim, ai arriti të fitonte gjashtë trofe të rëndësishëm, duke përfshirë edhe Copa Libertadores.











