Strukturat e Emergjencave Civile dhe të Rezervave të Shtetit kanë shpërndarë sot ndihma ushqimore dhe batanije, për zonan e prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit në Njësinë Administrative 11 të Tiranës. I shoqëruar nga deputeti i zonës Rapik Suli, Prefekti Sadi Vorpsi, drejtues lokalë dhe të Emergjencave Civile, ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri apeloi për solidaritet të gjithë shoqërisë.
Prononcimi për mediat i ministrit Tahiri:
Jam këtu me Prefektin, me punonjësit e Policisë dhe mbi të gjitha me studentët e Akademisë, me deputetin, Administratorin, drejtorin e shkollës, me përfaqësues të Rezervave të Shtetit dhe Emergjencave Civile. Kjo për shkak se zona ku jemi është një zonë që në mënyrë ciklike përmbytet. Dhe ndërkohë na duhet të marrim masa emergjente për të garantuar që kjo të mos ndodhë më në të ardhmen.
Pra duke zhvilluar një program të tërë nga njëra anë jemi për analizimin e situatës dhe shkaqeve pse përmbytet kjo zonë, dhe nga ana tjetër për të marrë masa që kjo të mos ndodhë në të ardhmen. Kjo është një pjesë e punës sonë.
Pjesa tjetër ka të bëjë pa asnjë diskutim me ndihmën që u japim banorëve të cilët deri para pak ditësh ishin me prani të ujit në shtëpitë e tyre. Ka shumë rëndësi solidariteti i njerëzve, solidariteti mes nesh, për të ndihmuar ata që janë në nevojë. Është e disata herë që kemi ndihmuar komunitete të caktuara që kemi ndihmuar komunitete të caktuara që janë gjendur në vështirësi për shkak të kushteve atmosferike dhe veçanërisht përmbytjeve.
Në kushtet aktuale po bëjmë gjithçka është e mundur për të menaxhuar situatën çdo cep të Shqipërisë, për të mos pasur vështirësi e situata kritike me përmbytjet. Por nga sot nisim dhe një fushatë të tërë ndihme dhe solidariteti për ata që u prekën nga kjo përmbytje.
Është pas asnjë diskutim e dimensionit social e asaj që kemi bërë deri më sot. Do ta vazhdojmë me çdo familje duke i ndihmuar që të krijojnë kushtet e jetesës në banesat që kishin prani të ujit. Zjarrfikëset, Emergjencat Civile, forcat e Policisë, forcat e Ushtrisë aty ku është e nevojshme, do të bëjnë gjithçka që është e mundur për të rikthyer shtëpitë dhe banesat në kushtet e jetueshme. Dhe nga ana tjetër Rezervat e Shtetit, bizneset, partnerët tanë do të ndihmojnë që të rikrijojmë këtë shtresë të solidaritetit social me të gjithë ata që ishin në kushte të vështira.
Ka ende shumë për të bërë. Situata është ende në vlerësim të vazhdueshëm orë pas ora, pasi reshjet e shiut nuk kanë pushuar. Ka zona të vendit me temperaturë të lartë – pra nga pikëpamja e rrezikut janë ende nën kërcënimin e motit. Ne po e monitorojmë çast pas çasti, në mënyrë që të shmangim sa është e mundur pasojat e rënda në pasurinë e qytetarëve dhe mbi të gjitha për të shmangur në mënyrë absolute pasojat në shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
E theksoj, nga njëra anë kjo është puna për të shmangur dëmet dhe pasojat. Nga ana tjetër, ne po rindërtojmë indin social të shoqërisë, duke u solidarizuar me të gjithë ata që janë gjendur në kushte të vështira këto ditë. I kemi bërë thirrje sipërmarrësve, i kemi bërë thirrje të gjitha institucioneve shtetërore dhe fillojmë sot një fushatë solidariteti dhe ndihme për të gjithë ata që kanë pasur probleme për shkak të motit dhe situatave të vështira për shkak të motit.
Pyetje: Zoti ministër në të gjithë vendin sa është numri i familjeve që kanë nevojë për ndihma sikurse këto familje që morën sot?
Ministri Tahiri: Kjo është ende në vlerësim të vazhdueshëm pasi nuk ka ende një numër definitiv sa kohë situata kritike vazhdon. E ritheksova përveç angazhimit tonë për të shmangur pasojat, angazhimi tjetër është pas asnjë diskutim vlerësimi ditë pas dite, mbjatja shënim dhe evidentimi i problemeve.
Qofshin këto probleme në pasuri apo në gjënë e gjallë apo probleme në jetueshmërinë e kushteve minimale të qytetarëve.
Pyetje: Zona më problematike për momentin, kush është zoti ministër?
Ministri Tahiri: Sot e gjithë Shqipëria është në vlerësim aktual, pra situata me motin e keq nuk ka përfunduar. Ne jemi ende në fazën që po menaxhojmë në zonat që janë në rrezik të shtuar, jemi ende në fazën që po menaxhojmë shmangien maksimale të pasojave. Ndërkohë në zonat që kanë pasur para disa ditësh probleme të tilla kemi filluar fazën e dytë, fazën e rekuperimit si nga pikëpamja e pasurisë ashtu edhe nga pikëpamja e ndihmës për të gjithë ata që kanë pasur probleme.
Në këto situata të vështira vihet në test mundësia jonë për tu bërë bashkë. Në këto situata të vështira për shkak të motit, vihet në test mundësia jonë për tu solidarizuar me të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë. Ndaj unë do shfrytëzoja këtë rast për t’i bërë thirrje të gjithë qytetarëve, të gjithë sipërmarrësve, të tregojnë që me njëri tjetrin ne mund të përballim shumë më mirë pasojat edhe të kapriçove të motit siç ndodhi para disa ditësh dhe kjo është e vetmja mënyrë për të bërë gjithçka është e mundur që të rikuperojmë me aq sa kemi mundësi pasojat e rënda që shkaktohen nga përmbytjet për të gjithë ata që sot janë në nevojë.
Pyetje: Zoti Tahiri janë marrë masa të shtuara të sigurisë për sa i përket takimit të sotëm me Izraelin?
Ministri Tahiri: Policia ka marrë të gjitha masat. Unë sot këtu jam për tjetër gjë dhe do të doja të mos zgjatesha në çështje të tjera. Më mirëkuptoni, për mua është shumë e rëndësishme që t’i tregojmë publikut aftësinë që kemi si shoqëri për t’u bërë bashkë dhe për të ndihmuar ata që janë në nevojë.
Në raste të vështira, në çaste të vështira si këto për këto familje apo shumë të tjerë që kanë vuajtur pasoja të veçanta për shkak të motit është shumë e rëndësishme që shoqëria t’i thërrasë solidaritetit dhe të bëhemi bashkë për t’i ndihmuar.