Fondi i ndihmës ekonomike në tremujorin e tretë të vitit u tkurr me 4,3 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm, për rrjedhojë 2544 familje të cilat ishin trajtuar me ndihmë në tremujorin e dytë, nuk e përfituan gjatë periudhës korrik-shtator.
Sipas Buletinit Statistikor të INSTAT, fondi i ndihmës ekonomike në tremujorin e tretë ishte 343,7 milionë lekë nga 359,2 milionë lekë që ishte në prill-qershor.
Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2015 numri mesatar i familjeve të trajtuara me ndihmë ekonomike është 81.621 familje, nga të cilat 39.073 familje u trajtuan me ndihmë ekonomike të pjesshme dhe 42.548 familje me ndihmë ekonomike të plotë. Ndërsa gjatë tremujorit të dytë të 2015 familjet e trajtuara me ndihmë ekonomike ishin 84.145.
Qarku i Elbasanit ka numrin më të madh të familjeve në skemën e ndihmës ekonomike (17,7 % të të gjitha familjeve në skemë në rang vendi), të cilat përfitojnë ndihmën ekonomike në masë të plotë.
Familjet me katër anëtarë zënë peshën më të madhe (30,2 %) në numrin e familjeve në skemën e ndihmës ekonomike, 53,7 % e të cilave përfitojnë ndihmë ekonomike të plotë./Monitor