Tre persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës për shitjet e jashtëligjshme të biletave, për ndeshjen që do të zhvillohet të shtunën e 7 qershorit mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Sipas burimeve identifikimi i tyre është bërë nga rrjetet sociale pasi reklamonin shitjet e tyre nga 300 deri në 1000 euro.
Të njëjta burime bëjnë me dije se të arrestuarve u janë gjetur edhe bileta me vete, si provë materiale.
Kombëtarja shqiptare e futbollit luan të shtunën në orën 20:45 kundër Serbisë në “Arenën Kombëtare” të Tiranës, sfidë kjo e vlefshme për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026.
Stadiumi Arena Kombëtare ka një kapacitet prej afërsisht 22 mijë vendesh, ndërsa për ndeshjen e 7 qershorit, që vlen për kualifikueset e Botërorit, ka patur rreth 200 mijë kërkesa për bileta.