Kina zbuloi një plan për të lejuar krijimin e spitaleve tërësisht në pronësi të huaj në disa qytete të mëdha, në një lëvizje për të hapur më tej sektorin e saj mjekësor.
Nga plani pilot i punës, i publikuar nga Komisioni Kombëtar i Shëndetit (NHC) dhe tre departamente të tjera qeveritare, përfitojnë Pekini, Tianjin, Shangai, Nanjing, Suzhou, Fuzhou, Guangzhou dhe Shenzhen, si dhe provinca ishullore Hainan.
Një rezolutë e madhe reforme në korrik theksoi telekomunikacionin dhe shërbimet mjekësore si fusha që kanë nevojë për hapje më të gjerë.
Në një shpjegim të planit të punës të publikuar, komisioni bëri të ditur se të dy sektorët kanë kërkesë të lartë në tregun e brendshëm dhe interes të madh për investime nga investitorët e huaj, shkruan “Xinhua”.
Në vitin 2023, numri i spitaleve në Kinë arriti në 38.000, me spitalet publike që përbëjnë më pak se një të tretën e totalit. Megjithatë, sipas të dhënave zyrtare, spitalet publike përbënin 83.5 për qind të numrit të përgjithshëm të vizitave të pacientëve në shkallë vendi.
Që nga viti 2000, Kina ka lejuar krijimin e institucioneve mjekësore të përbashkëta me investitorët e huaj. Pas më shumë se 20 vitesh zhvillimi, aktualisht në vend ka mbi 60 institucione mjekësore me investim të huaj.
Plani i punës përjashton në mënyrë eksplicite spitalet e mjekësisë tradicionale kineze dhe ndalon blerjen e spitaleve publike nga jashtë.