Ndërtimet që janë zhvilluar jashtë lejeve të dhëna por janë të papërfunduara do të duhet që të përfundojnë dhe ndërtuesi do të ketë detyrim për një pjesë të investimit.
Draft “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 66/2023 “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa lejë me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara” parashikon se nëpërmjet ekspertit të kontraktuar, grupi i punës i dedikuar për këtë proces kryen vlerësimin e përshtatjes së objektit dhe përcakton nevojat teknike, urbane, financiare e procedurale të realizimit të përshtatjes.
Po kështu ky grup propozon formën e zhvillimit më të përshtatshëm në rastin konkret, si dhe harton masat përkatëse për zhvillim, të cilat i propozohet për miratim titullarit të institucionit, i cili më pas ia paraqet ministrit përgjegjës për administrimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nga krimi në rast shitjeje.
“Për zhvillimin e objekteve me investim të papërfunduar, nëpërmjet ekspertit të licencuar, Agjencia vlerëson kostot për përfundimin e punimeve për: a) kryerjen e punimeve totale për përfundimin e objektit, me qëllim vënien e tij në funksion; b) kryerjen e punimeve për përfundimin e tyre në lidhje me ambientet e përbashkëta; c) kryerjen e punimeve për përfundimin e ambienteve të cilat i përkasin pronësisë Shtet” thuhet në pikën 2 të nenit 19/1.
Sipas të njëjtit për çdo objekt, rast pas rasti, duhet të merret parasysh që:
– në varësi të objektit të konfiskuar nga 2-10%, shpenzimet për përfundimin e punimeve të pakryera në objekt kryhen nga subjekti zhvillues/zbatues/mbikëqyrës/kolaudues, sipas angazhimit të marrë prej tij në fazën fillestare të ndërtimit të objektit. Nëse ai nuk i kryen ato, atëherë procedohet me bllokimin e llogarive bankare dhe pasuritë e tij për të mbuluar shpenzimet.
– në rastin kur objekti i konfiskuar në tejkalim të lejes së ndërtimit mbi 10% të punimeve të kryera pa leje, nga ana e ekspertit të licencuar, të kontraktuar nga AAPSK, përcaktohet vlera e nevojshme për kryerje e punimeve përsa i përket ambienteve të përbashkëta që duhen realizuar për përfundimin e objektit.
-c) vlera e nxjerrë nga eksperti i njoftohen subjektit zhvillues/zbatues/mbikëqyrës/kolaudues për kryerje pagese. Në rast mos kryerje të pagesës nga ana e tij, merren masa për bllokimin e llogarive bankare apo aseteve të subjektit zhvillues/zbatues/mbikëqyrës/kolaudues, me qëllim mbulimin e shpenzimeve për kryerjen e punimeve.
“Me marrjen e objektit dhe administrimin e tij nga AAPSK-ja, kjo e fundit merr masat për regjistrimin përkatës pranë ASHK-së. 5. Në rastet e objekteve të cilat kalojnë në pronësi/përdorim apo përgjegjësi administrimi, institucioni përfitues realizon procedurat për investimin përkatës” thuhet në fund të këtij neni./ Monitor












Mund te hetohete ndertime