Ndërsa vendi përgatitet të festojë ndërrimin e viteve, Kryeministri Edi Rama ka drejtuar vëmendjen te “bluzat e bardha”, duke vlerësuar sakrificën dhe përkushtimin e stafeve mjekësore që do ta kalojnë natën e festës në krye të detyrës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë theksoi rëndësinë e punës së tyre të palodhur në këto ditë festive.
“Në prag të ndërrimit të viteve, së bashku me ata që çdo ditë punojnë në shërbim të kujdesit tuaj shëndetësor,” shkruan Rama.
Gatishmëri e plotë në Urgjencën Kombëtare
Në të njëjtën kohë, bëhet e ditur se Urgjenca Kombëtare e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT), së bashku me ekipet e urgjencës mjekësore në mbarë vendin, janë në gatishmëri maksimale.
Ata qëndrojnë në vijën e parë të shërbimit, duke garantuar kujdes profesional dhe të sigurt për çdo qytetar që mund të ketë nevojë për ndihmë shëndetësore gjatë orëve të ndërrimit të viteve.
Të dhënat zyrtare tregojnë një volum të lartë pune për urgjencën qendrore gjatë vitit që po lëmë pas.
“125,000 raste janë trajtuar vetëm në QSUNT gjatë vitit 2025. 300 pacientë në ditë kanë marrë shërbim gjatë ditëve të fundit të dhjetorit, tregues ky i ngarkesës së shtuar në prag festash.”, thuhet në njoftim.
Autoritetet garantojnë se shërbimi do të ofrohet pa ndërprerje, 24 orë në 7 ditë të javës, për të siguruar shëndetin e qytetarëve në çdo moment.











