Për Zhani Ziçishtin, një aktor që me dinjitet punoi si në skenën teatrale po ashtu edhe më magjinë e ekranit të madh nderimi dhe duartrokitjet janë pak.
Kështu rrëfejnë miqtë, kolegët dhe dashamirësit që si një karakter të çmuar të artit e përcjellin sot me ikjen e tij fizike në moshën 85-vjeçare.
“Ai ishte një aktor me një botë shpirtërore të pasur. Ishte një aktor i talentuar, një aktor me një plastikë të mrekullueshme, e cila e ka ndihmuar që të realizojë role mjaft të bukur si në teatër ashtu edhe në kinematografi. Madje edhe në rolet jo protagoniste, në rolet të dyta, ka krijuar figura që mbahen mend dhe do të jenë gjatë në kujtesën e spektatorit”, thotë njëri prej tyre. “Unë kam pasur rastin të interpretoj disa role bashkë me të dhe ai shquhej për një interpretim shumë të thjeshtë, shumë natyral. Është një humbje e madhe për teatrin e Korçës edhe për tërë artin shqiptar. Ai do mbetet i paharruar”.
“Zhani i takon një plejade të shquar të artistëve korçarë që kanë dhënë shumë për artin skenik, për filmin shqiptar”, u shpreh kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo.
Nderimet janë kryer në shtëpinë e tij artistike, në Teatrin “Andon Zako Çajupi” ku aktori Zhani Ziçishti numëron dhjetëra role, të gjitha të duartrokitura nga publiku.











