Nga Ben Andoni/
Ekipi përfaqësues shqiptar i futbollit, për herë të parë në historinë e vet, shkon në finalet e një kompeticioni ndërkombëtar. “Franca 2016” është një realitet dhe tashmë sfida është që të përfaqësohemi sa më mirë në finalet e verës. Një nderim i veçantë shkon për këtë brez djemsh të diasporës shqiptare që kontribuoi kaq shumë por po ashtu edhe breza të tërë sportistësh shqiptarë, që kontribuuan në dekada të tëra të heshtura, por që nuk mundën të arrinin suksesin e këtyre djemve.
Pra, edhe pse kurorat e dafinave janë vënë mbi kokat e këtyre djemve që meritojnë të gjithë nderimin e madh, një homazh vetvetiu të vjen për futbollistët shqiptarë që u përpoqën përmes kushteve të jashtëzakonshme të kohës së shkuar, shpesh në disfavor, jo pak herë edhe të privuar, për të kapur një ëndërr, por që nuk mundi të bëhej kurrë realitet.
Nga ana tjetër, rezultati i përfaqësueses kuq-e-zi është shumë më tepër, është një stad i ri për Shqipërinë dhe sportin e saj dhe një grishje për brezat e tërë që do të kenë me ç’të maten këtej e tutje. Edhe pse detyra e këtyre djemve ende nuk ka mbaruar, ata mund të jenë të kënaqur sepse kanë bërë atë që shumëkush nga futbollistët e vendeve të vogla si Shqipëria do ta dëshironin: pjesëmarrjen në një kompeticion të tillë.
Kjo është arsyeja që në këto momente nderimi i madh shkon edhe për futbollistët, trajnerët, njerëzit e futbollit të gjith6ë diasporës që si rrallëherë janë bashkuar duke i dhuruar Shqipërisë një kontingjent për të cilën është krenar, por më shumë se kaq një ekipi dinjitoz, që i duhet të përballë dhe krenarinë e madhe të një populli, që asnjëherë s’ka mundur ta përballë ndjenjën në këto nivele. Dhe, mbi të gjitha një amanet të kryer të brezave të tërë të futbollistëve shqiptarë të gjallë dhe të vdekur, që s’mundën dot kurrë të arrinin. Në Francë 2016 janë dhe ata, që kontribuuan me mbushjen e krenarisë, por që të dielën e 11 Tetorit 2015 e realizuan brezi i futbollistëve të talentuar, që u drejtuan me shumë zgjuarsi nga trajneri De Biasi.